Lajme

Gjithnjë e më shumë njerëz në Gjermani po bien në varfëri, kjo është arsyeja

Autori: Gazeta inFokus 10:25 | 23 December 2023

Gjithnjë e më shumë njerëz në Gjermani bien në varfëri dhe disa madje humbasin edhe shtëpitë. Qeveria synonte ta kapërcente problemin e mungesës së strehimit deri në vitin 2030.

Të parët kanë ardhur gjysmë ore më herët. Çdo të mërkurë të pastrehët mund të hanë, pinë, të ngrohen dhe të përdorin tualetin në hapësirat e kishës së komunitetit Tabor në Berlin. Së shpejti do t’u ofrohet edhe një vakt me gjellë të ngrohtë. Akoma ndjehet se një natë më parë këtu kanë fjetur shumë njerëz. Prej 30 vjetësh kisha ofron një herë në javë vende fjetjeje për të pastrehët. Rreth dyzet vetë e kalojnë natën në paradhomën e kishës. Ndonjëherë bëhen gjashtëdhjetë. Atyre u jepet diçka për të ngrënë. Dhe dy mjekë vullnetarë kujdesen për plagët ose sëmundjet.

Sabine Albrecht është pastore e bashkësisë Tabor. “Këtu vijnë edhe ata që bien nga shkallët e shoqërisë. Për disa gjendja është shumë e mjerueshme”, thotë ajo. Ata që vijnë për të fjetur, janë të ndryshëm nga ata që vijnë në kafene të mërkurën, thotë priftëresha. Shumë vijnë nga Evropa Lindore, disa madje kanë punuar – në kushte të pasigurta pune. Disa kanë probleme varësie, përvoja dhune, sëmundje psiqike. Albrecht tregon për një burrë që “fle këtu prej njëzet vjetësh.” 59-vjeçarja madje edhe i ka varrosur dy nga të ftuarit, siç i quan ajo.

-Advertisement-

Si mund të përballohet kaq shumë mjerim? “Sindroma e ndihmës nuk të ndihmon. Nevojitet të jesh e fortë dhe gjërat nuk duhen marrë personalisht”, thotë Albrecht. Fjala është që të jesh në gjendje të përballesh edhe me njerëz agresivë dhe të ashpër. Për këtë nevojiten njerëz si Margot Moser, e cila ka ndihmuar që në fillim në organizimin e qëndrimeve për të pastrehët gjatë natës. Së bashku me njëzet ndihmës të tjerë 79-vjeçarja ndihmon edhe sot në mënyrë aktive. Ndoshta ngaqë asaj gjithmonë i është dashur t`ia dalë me pak para, dëshiron të ndihmojë. Megjithatë ajo nuk ka iluzione. “Disa e kanë pësuar nga budallallëku: Ata bashkëjetojnë me dikë, heqin dorë nga banesa e tyre, pastaj ndahen – dhe ngelen në rrugë,” thotë ndihmësja e bashkësisë. Dhe kush humbet sot banesën, nuk mund të gjejë aq shpejt një të re.

Shumë të pastrehë nuk janë të përfshirë në statistika

“Mungesa e strehës është një problem serioz social”, thotë për DW, Werena Rosenke, drejtoreshë menaxhuese e Shoqatës Federale për Ndihmën e të Pastrehëve (BAGW). Për Rosenke arsyeja kryesore është, se ka shumë pak hapësirë banimi, që është e përballueshme financiarisht.

BAGW është organizata ombrellë për shërbimet dhe strukturat e ndihmës për strehimin emergjent në Gjermani. Sipas përllogaritjes të tyre të fundit për vitin 2022 në Gjermani ishin të pastrehë 607.000 njerëz. Prej tyre rreth 50.000 jetonin në rrugë, pa asnjë strehë. Zyra Federale e Statistikave regjistron vetëm njerëzit në strehimore dhe arrin në 372.060 vetë.

Ndryshimi nga shifrat më të ulëta të Zyrës Federale të Statistikave qëndron në metodën e numërimit. BAG W regjistron shifrat për një vit të tërë dhe jo për një datë të caktuar.Ajo numëron edhe të pastrehët e fshehur. Pra njerëzit pa banesë të tyren, që flenë në divan te miqtë, anëtarët e familjes apo të huajt.

Të pengohet paraprakisht mungesa e strehës

Për Werena Rosenke gjërat nuk duhet të arrijnë deri në këtë pikë. “Prevencioni është gjëja më e rëndësishme. Ne duhet të parandalojmë, që njerëzit të humbasin banesën. Shumëkush as nuk e di se mund të aplikojë për para për banesë”, thotë Rosenke. Për komunat do të ishte më e leverdisshme, sikur të merrnin përsipër borxhet e qirave, në vend që të financojnë bujtjet në hotele ose akomodime të tjera, që shpesh janë shumë të shtrenjta”, thotë ajo.

Werena Rosenke përmend shumë masa, që mund të parandalojnë shpejt dhe pa shumë shpenzime humbjen e banesës. Për shembull rinovimin e strehimoreve emergjente dhe shndërrimin e tyre në banesa sociale. Sepse banesat sociale tani janë si pluhur ari: shumë të rralla.

Ndërtimi banesave sociale është gjithçka

Qëllimi i qeverisë gjermane është të ndërtojë 400.000 banesa të reja në vit; 100.000 prej tyre duhet të jenë banesa sociale. Por qeveria është me kilometra larg këtyre synimeve. Për Werena Rosenke ky është gjithsesi një objektiv modest: 100.000 banesa sociale në vit, siç është premtuar nga qeveria, nuk do të kishin ndryshuar sa duhet situatën e mungesës së strehimit të përballueshëm, thotë ajo. Përveç banesave sociale do të nevojiten edhe 100.000 banesa të tjera të përballueshme financiarisht.

Në vitet e fundit janë krijuar vetëm rreth 25.000 banesa të reja sociale”, ankohet shefja e BAG W.  Rosenke bën thirrje për kuota fikse për njerëzit e pastrehë në banesat sociale. Sepse për shkak të paragjykimeve ata shpesh as që konsiderohen si qiramarrës të mundshëm.

Komiteti Drejtues i të pastrehëve është në bisedime me qeverinë. Ajo ka bërë të ditur se përmes një plani veprimi deri në vitin 2030 dëshiron t’i japë fund të qënit i pastrehë në Gjermani. Plani i veprimit pritet të miratohet nga kabineti qeveritar në pranverën e vitit 2024. Megjithatë mund të kalojnë vite, para se ai të zbatohet nga landet dhe komunat.

Të kthehemi te bashkësia Tabor. Në paradhomën e kishës janë ende rreth dhjetë veta. Një burrë është shtrirë para kaloriferit në korridor. Pastorja Sabine Albrecht buzëqesh dhe thotë: “Disa e bëjnë këtë për t’u ngrohur sërish.” Dy burra lexojnë libra me bukën dhe kafen e bashkësisë përpara. Ata duken si studentë të vjetër. Kjo i bie në sy edhe pastores. “Gjithnjë e më shpesh në kafenenë e së mërkurës vijnë këtu njerëz, për të cilët nuk do të më kishte shkuar mendja kurrë se janë në nevojë apo të pastrehë.”/DW

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Marsi sjell Magji në ETC
-Advertisement-

Të tjera