Fokus

Gjithçka që po ndodhë me rinumërimin e certifikimin e zgjedhjeve të 6 tetorit

Autori: Halil Berisha 11:35 | 20 November 2019

Si dhe pse u vonua krijimi i qeverisë së re?

Ishte data 19 korrik, kur Ramush Haradinaj, dha dorëheqje nga posti i kryeministrit të Kosovës, me arsyen se është ftuar për intervistë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Kështu, në Kosovë, u krijua një situatë e re politike, ku tanimë e domosdoshme ishte mbajtja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, shkruan gazeta inFokus.

-Advertisement-

Këto, u caktuan e u mbajtën më 6 tetor, apo rreth 3 muaj pasi u dorëhoq shefi i qeverisë.

Por, që nga 6 tetori, ku qytetarët votuan, e që si parti e parë doli Vetëvendosje, e pasuar nga LDK, të dy këto parti opozitare, kanë kaluar edhe afër 2 muaj, por pa çertifikim të rezultateve.

Kjo, pas ankesave të partive politike, por edhe disa parregullsive të vërejtura, për të cilat u desh rinumërim i rezultateve, shkruan gazeta inFokus.

Të fundit, janë numërimi i 1500 vendvotimeve, por edhe anulimi i votave të ardhura nga Serbia, nga të cilat disa punonjës të KQZ-së u desh të kërkojnë edhe ndihmë mjekësore, pasi hapën zarfet që erdhën nga shteti serb.

A e kalon NISMA pragun pas anulimit të votave serbe?

Pasi u mor vendimi që votat e ardhura nga Serbia të anulohen, u mendua që i erdhi fundi edhe një diskutimi që i përcolli këtë kohë zgjedhjes, shkruan gazeta inFokus.

Hyrja, apo mos-hyrja e koalicionit NISMA-AKR-PD në Kuvendin e Kosovës.

Këta, madje ia uruan njëri-tjetrit kalimin e pragut, por që tash derisa po rinumërohen 1500 vendvotimet, raportohet se janë shumë afër pragut, e që rezultati final mund të ndryshoj gjendjen.

Por, për këtë punë nuk pranuan që të flasin nga Demokracia në Veprim, të cilët po monitorojnë procesin zgjedhor dhe numërimin e rinumërimin e votave.

“Për pjesën e NISMËS, jemi të rezervuar, pasi nuk duam të marrim anë me thënë nëse e kalon ose jo, duhet me prit deri të përfundon krejt, nuk deklarohemi për atë pjesë”, tha Eugen Cakolli nga KDI.

Kur do të përfundoj rinumërimi?

Cakolli në një bisedë me gazetën inFokus, ka treguar se deri këtë të mërkurë, janë rinumëruar rreth 60% e vendvotimeve.

Madje, Cakolli thotë që tashmë jo shumë gjatë, pritet edhe certifikimi i rezultateve, shkruan gazeta inFokus.

“Sipas të dhënave nga QNR, tashmë janë numëruar rreth 60% e numrit të përgjithshëm të vendvotimeve të cilat kanë qenë të parapara për rinumërim, e në bazë të këtyre trendëve e me shtimin e kapaciteteve të QNR-së, për rreth 30% që ka ndikuar edhe për shkurtimin e kohës së numërimit, atëherë unë besoj që procesi i numërimit do të përmbyllet në fund të kësaj jave, apo eventualisht në ditët e para të javës së ardhshme, meqenëse tashmë kanë mbetur disa nga komunat më të mëdha të cilat do të rinumërohen, që janë sidomos Prishtina, Prizreni e disa komuna tjera që kanë numër më të madh të votuesve brenda vendvotimeve, andaj besoj që me këtë tempo të rinumërimit, pra me rreth mbi 30 tavolina të numërimit, i tërë procesi i numërimit do të përmbyllet në fillim të javës së ardhshme, maksimialisht, e pastaj do t’i hapte udhë ankesave që parashihen me ligjin e zgjedhjeve, pra 24 orë pas përfundimit të procesit, që nënkupton se potencialisht mund të kemi çertifimikimin e rezultateve diku ka mesi apo më së largu, fundi i javës së ardhshme”, ka thënë Cakolli.

Sa pati parregullësi në procesin e fundit të rinumërimit të votave?

E ajo çka e karakterizon këtë pjesën e fundit të rinumërimit të votave, është se shkoj pa ndonjë parregullsi.

Në fakt, kishte pak telashe, kryesisht në mes të vëzhguesve, por që të cilat, ishin të vogla, e nuk mund t’i japin karakter tjetër këtij procesi, shkruan gazeta inFokus.

“Sa i përket aspektit procedural të rinumërimit deri më tani me aq sa kemi informacione si DnV, ka rrjedhur krejtësisht brenda parametrave që parashihen me ligj, ndonëse ka pasur disa përplase deri diku verbale në mes të vëzhguesve të subjekteve politike në QNR, sidoqoftë, kjo nuk ka ndikuar në asnjë moment në integritetin e procesit të numërimit, dhe të njëjtit janë zëvendësuar me vëzhgues të tjerë, siç parashihet në dispozitat ligjore”, ka thënë Cakolli.

Madje, sipas Cakollit, kjo situatë është e mirë, pasi garanton që nuk do të ketë kontestim të rezultateve nga askush.

“Në asnjë moment, procesi i numërimit në QNR, nuk është kompromentuar në çfarëdo aspekti, e në fakti si proces i shëbren rritjes së besueshmërisë së publikut ndaj procesit zgjedhor, mirëpo edhe i garantimit që nuk do të ketë kontestim të rezultateve nga cilado palë, pasi procesi është i vëzhguar e monitoruar si nga organizatat jo-qeveritare, vëzhguesit e subjekteve politike e po ashtu edhe mediat që kanë pasur qasje të plotë në procesin e numërimit, përkatësisht rinumërimit”, ka përfunduar Cakolli./Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera