Lajme

Gjithçka që ndodhi deri tani në Bruksel

Autori: Gazeta inFokus 15:45 | 18 August 2022

15:00 – Filloi raundi i dytë i takimit trepalësh në Bruksel

Ka filluar raundi i dytë i takimit trepalësh ndërmjet përfaqësuesve të BE-së me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiq.

Më herët, veçmas, kreu i diplomacisë së BE-së, Josep Borell dhe i dërguari special i BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, kanë biseduar me Kurtin dhe Vuçiqin.

-Advertisement-

Në Bruksel më herët ka përfunduar takimi i parë trepalësh mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq, dhe ndërmjetësve evropianë në dialog, Josep Borell dhe Miroslav Lajçak.

Në takimin trepalësh mori pjesë edhe i dërguari special i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

14:42 – Seferi: Mediat serbe paraqesin delegacionin e tyre si palë konstruktive, Kosovën si destruktive

Idro Seferi, korrespodenti nga Beogradi, thotë se takimet mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq në Bruksel, po përcillen me shumë vëmendje nga mediat e Serbisë.

Seferi, në Klan Kosova, tha se të njëjtat palën serbe e paraqesin si konstruktive ndërsa Kosovën si palë destruktive dhe të pa interesuar për arritje të marrëveshjes.

“Ka një raportim të vazhdueshëm rreth bisedimeve në Bruksel, theksi kryesor i mediave këtu është që Serbia shkon në këtë takim si palë që është e gatshme për të biseduar si palë që paraqet stabilitetin në Ballkan që pala kosovare është ajo që dëshiron të nxisë konflikte dhe të dëbojë serbët nga veriu i Kosovës”.

“Gjatë ditës së sotme kryeministrja e Serbisë, Ana bërnabiq ka folur për media duke thënë që kryeministri Albin Kurtit nuk i leverdisë të ketë paqe me Serbinë dhe nuk dëshiron të ketë kompromis. Po, ashtu se kryeministri Kurti ka një plan konkret për të dëbuar serbët dhe se Serbia ka shkuar në takim që në çdo mënyrë të arrijë paqe në Ballkan dhe për ta ruajtur qetësinë”.

:Ideja e mediave në Serbi është që ta paraqesin delegacionin serb si palë konstruktive në këtë proces dhe palën kosovare si ata që nuk duan të arrijnë marrëveshje. Por, duket se megjithatë vëmendja është duke shkuar drejt asaj që do të ketë marrëveshje sot apo jo”, tha Seferi.

14:37 – “Thirrja e Vuçiqit drejtuar serbëve nga Kosova është sinjal për lajme të këqija nga Brukseli”

Pas lajmit se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka caktuar një takim me serbët nga Kosova për të dielën në orën 11:00, kosovo-online shkruan se siç mësojnë, kjo ftesë është sinjal për lajme të këqija nga Brukseli.

Bëhet e ditur se të ftuar janë të gjithë përfaqësuesit politikë dhe institucionalë të serbëve të Kosovës, liderët e Listës Serbe, të gjithë kryetarët serbë, kryetarët e qarkut e drejtorët e spitaleve.

Sot në Belgjikë presidenti Vuçiq zhvilloi takim me kryeministrin Kurti, në përpjekje për të arritur një marrëveshje mes Kosovës e Serbisë.

13:50 – Borrelli-Kurtit: Ndërhyrja e KFOR-it në veri nuk do të jetë e nevojshme (VIDEO)

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, e ka siguruar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se ndërhyrja e KFOR-it në veri të Kosovës nuk do të jetë e nevojshme edhe pse gjatë ditës së djeshme mori mbështetjen e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, se nëse rrezikohet stabiliteti janë të gatshëm të ndërhyjnë.

Kurti i tha Borrellit se shpreson se ndërhyrja nuk do të jetë e nevojshme.

Mes tjerash, Kurti i tha Borrellit se takimi me Stoltenbergun ishte shumë i mirë.

Biseda e Borrellit dhe Kurtit gjatë pritjes:

Borrell: Dje keni takuar Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, kam lexuar për të nga gazetat.

Kurti: Po, kam qenë një takim shumë i mirë.

Borrell: A ishte takim i mirë?

Kurti: Po.

Borrell: Ai ishte gati të dërgonte më shumë trupa nëse ishte e nevojshme?

Kurti: Epo nëse është e nevojshme po.

Borrell: Ndërhyrja nuk do të jetë e nevojshme.

Kurti: Edhe unë shpresoj kështu.

13:31 -Vuçiq nga Brukseli cakton takim me serbët e Kosovës

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka caktuar një takim me serbët nga Kosova nga Brukseli ku po zhvillon takime me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në kuadër të procesit të dialogut Kosovë-Serbi.

Takimi është paralajmëruar të mbahet të dielën në orën 11:00 në Pallatin “Serbia”, shkruan Novosti.

Në takim janë të ftuar të gjithë përfaqësuesit politikë dhe institucionalë të serbëve nga Kosova, liderët e Listës Serbe, të gjithë kryetarët serbë, kryetarët e rretheve, drejtorët e spitaleve.

13:07 – Takimi në Bruksel, Vuçiq nuk ia zgjatë dorën Borrellit

Në Bruksel është duke u mbajtur takimi ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq.

Ky takim do të ndërmjetësohet edhe nga Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, i përkrahur nga i Dërguari i Posaçëm, Miroslav Lajçak, njofton Klan Kosova.

Nga pamjet që i ka shpërndarë vetë BE, mund të shihet se në fillim të takimit Borrell ia zgjatë dorën Vuçiqit për ta përshëndetur, mirëpo ky i fundit nuk ia zgjatë dorën atij.

13:06 – Europarlamentari rumun thirrje Kosovës e Serbisë: Arrini marrëveshje

Europarlamentari nga Rumania, Vlad Gheorghe, i ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të arrijnë një marrëveshje në Bruksel këtë enjte.

Ai thotë se Evropa nuk mund të përballoj edhe një konflikt tjetër në kontinent.

“Serbia dhe Kosova duhet të arrijnë një marrëveshje sot në Bruksel. Ne nuk mund të përballojmë një tjetër konflikt në kontinentin tonë. I bëj thirrje Aleksandar Vuçiqit të bashkëpunojë me Bashkimin Evropian dhe NATO-n dhe të ndërpresë lidhjet me Putinin”.

13:03 – Mandl për takimin Kurti-Vuçiq: E rëndësishme të merren përgjegjësi dhe të shmanget nacionalizmi

Deputeti i Parlamentit Evropian nga Austria, Lukas Mandl, me rastin e takimit të sotëm të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti me presidentin serb Aleksandar Vuçiq në Bruksel, ka thënë se është e rëndësishme të merren përgjegjësi dhe të shmanget nacionalizmi.

Mandl shkroi në Twitter se kompromiset “dembele” gjithashtu duhet të shmangen dhe se heqja dorë nga dhuna duhet të merret si e mirëqenë.

“Sot është e rëndësishme të marrim përgjegjësi dhe të shmangim kompromiset dembele. Populli i Ballkanit Perëndimor meriton një të ardhme të mirë. Heqja dorë nga dhuna duhet të merret si e mirëqenë,” tha Mandl.

12:59 – Axha i Kurtit: Kryeministri e ka shumë vështirë, i ka armiqtë brenda dhe jashtë (VIDEO)

Hamza Kurti, i cili është axha i kryeministrit Albin Kurti, ka thënë se ky i fundit e ka shumë të vështirë udhëheqjen pasi ai i ka armiqtë brenda dhe jashtë vendit.

Ai këto mendime i ka ndarë në një lidhje direkte në Klan Kosova.

12:57 – Axha i Kurtit: Albini parimet nuk i ndryshon

Xhaxhai i kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, Hamza Kurti, ka thënë se nipi i tij parimet dhe qëndrimet e tij nuk i ndryshon.

“Parimet dhe qëndrimet nuk i ndryshon. S’di çka të them më tepër”, ka thënë ai.

Ai tha se nuk e di se si do të përfundojë takimi, pasi sipas tij, Serbia është e parapashikueshme.

“Nuk e di si mund të përfundoj takimi, s’mund të parashikoj asgjë, pasi Serbia është e paparashikueshme”, shtoi ai.

12:52 – Tahiri: Takimi i sotëm në mes të Kurtit dhe Vuçiqit nuk mund të sjellë një marrëveshje finale

Ish-kryenegociatorja për implementim në dialogun e Brukselit, Edita Tahiri, ka komentuar takimin e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksander Vuçiq.

Tahiri, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se takimi i sotëm në mes të Kurtit dhe Vuçiqit nuk mund të sjellë një marrëveshje finale, mirëpo sipas saj, BE, NATO, ShBA janë të bindura që ka ardhur koha për marrëveshje finale.

“Marrëveshja finale për njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë është çelësi i paqes në rajon dhe normalizim të marrëdhënieve bilaterale. Edhe pse takimi i sotëm Kurti-Vuçiq në Bruksel nuk mund të sjellë një marrëveshje të tillë, është e qartë se edhe BE, ShBA, NATO janë të bindura se ka ardhur koha për marrëveshje finale. Kjo gjë u pa nga angazhimi maksimal dhe mesazheve të tyre të dhëna këto ditë”, ka shkruar Tahiri në facebook.

12:28 – Escobar mbërrin në ndërtesën ku po zhvillohet takimi mes Kurtit e Vuçiq

Përfaqësuesi i posaçëm i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabiel Escobar, pak para orës 12 të mesditës, ka hyrë në ndërtesën e Shërbimit Evropian për Punë të Jashtme në Bruksel, ku po zhvillohet raundi i ri i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, raporton Tanjug.

Pak para orës 11 ka nisur takimi i zyrtarëve të Bashkimit Evropian Giuseppe Borej dhe Miroslav Lajçak me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrin e Kosovës Albin Kurti.

12:25 – Përfundon raundi i parë i takimit Kurti-Vuçiq

Ka përfunduar raundi i parë i takimit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Takimi u bë me ndërmjetësimin e Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe emisarit Miroslav Lajçak.

Besohet se takime mes Kurtit e Vuçiqit me ndërmjetësimin e BE-së do të ketë edhe gjatë ditës.

Teksa kur do të mbarojnë këto takime do të ketë edhe konferencë për media.

Në ndërtesën e BE-së ku po zhvillohet dialogu ka arritur edhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Pala amerikane edhe pse nuk merr pjesë në dialog mbështet plotësisht përpjekjet e BE-së në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

12:10 – Ministrja serbe: Vuçiq do të bëjë gjithçka për të ruajtur interesat kombëtare

Ministrja e Punës në Qeverinë e Serbisë, Darija Kisiq, vlerësoi se qytetarët e Serbisë duhet të jenë të qetë dhe ta dinë se presidenti i tyre, Aleksandar Vuçiq, do të bëjë gjithçka sot në Bruksel, siç ka bërë deri më tani, për të ruajtur interesat shtetërore dhe kombëtare.

“Politika për të cilën presidenti Vuçiq mbron pa rezerva është politika e së ardhmes – që të gjithë qytetarët në rajon të jetojnë në paqe dhe prosperitet, që të punojmë dhe të fitojmë para, të hapim fabrika dhe vende të reja pune”, shkroi Kisiq në Instagram.

11:50 – Pamje nga pritja që i bëri Borrell ndaras Kurtit e Vuçiqit

Shefi për Politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borrell, ka pritur në Bruksel kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, dhe presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq.

Pasa nisjes së takimit dypalësh, Borell ka shtrënguar duart veçmas me liderët e të dyja shteteve dhe ka pozuar para gazetarëve.

11:32 – Euronews: Kosova dhe Serbia mbajnë bisedime të rrallë për të ulur tensionet në Ballkan

Euronews e vendosi në ballinë takimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Mediumi me seli në Francë, përballjen në Bruksel e përshkroi se si rivalët e kohës së luftës, Serbia dhe Kosova, po mbajnë bisedime të nivelit të lartë të krizës të enjten, që ndërmjetësuesit e Bashkimit Evropian shpresojnë se do të de-përshkallëzojnë tensionet në rritje në Ballkan, ku Rusia është përpjekur të rrisë më tej ndikimin e saj në mes të luftës në Ukrainë.

Më tej thuhet se shpresat, që ky takim i rrallë kokë më kokë, midis presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, mund të prodhojë një përparim të madh, janë të pakta. Por zyrtarët që mbikëqyrin ngërçin prej dekadash midis dy fqinjëve shpresojnë se kjo të paktën do të reduktonte retorikën gjithnjë e më nxitëse të luftës që vjen nga të dyja palët.

Euronews citoi zëdhënësen e Komisionit Evropian për Punët e Jashtme Nabila Massrali, e cila u tha gazetarëve se “Të dyja palët duhet t’i japin fund armiqësive të tyre në këtë pikë” dhe “të veprojnë me përgjegjësi”.

Ky medium theksoi edhe deklaratën e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili takoi veçmas Vuçiqin dhe Kurtin në Bruksel të mërkurën, ku tha se trupat e udhëhequra nga NATO të stacionuara në Kosovë kanë forcuar praninë e tyre në kufirin verior të Kosovës me Serbinë për shkak të tensioneve aktuale.

11:30 – Me Coca-Cola e hamburgerë priten Kurti e Vuçiq në Bruksel

Ka nisur të mbahet takimi në Bruksel ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq.

Ky takim ka filluar të mbahet me ndërmjetësimin e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell, përkrahur nga i Dërguari i Posaçëm, Miroslav Lajçak.

Por çfarë iu shërbyer atyre në tavolinën e bisedimeve?

Nga pamjet që ka siguruar Klan Kosova mund të vërehet se atyre iu është shërbyer Coca-Cola dhe hamburgerë.

11:19 – Pa shtrëngim duarsh dhe pa shikim sy më sy, Kurti dhe Vuçiq nisën takimin në Bruksel 

Ka nisur takimi i nivelit të lartë dialogues në mes të Kosovës dhe Serbisë ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Në nisje të takimit nuk ka pasur as shtrëngim duarsh, por nga pamjet e publikuara, kryeministri Albin Kurti dhe presidenti Vuçiq nuk janë shikuar as në sy, përcjell KlanKosova.tv.

Ky takim ndërmjetësohet nga Shefi për Politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borrell, i cili përkrahet nga Miroslav Lajçak, i Dërguar i BE-së për Ballkanin Perëndimor.

11:12 – Shfaqen grafite serbe në veri të Mitrovicës: “Mos u shqetësoni, ne jemi këtu”

Të mërkurën presidenti serb Aleksandar Vuçiq është takuar me sekretarin gjeneral të NATO-s, Jens Stoltenberg, në selinë e NATO-s në Bruksel.

Pas takimit, në një konferencë të përbashkët, Stoltenberg ia bëri me dije Vuçiqit se NATO është e gatshme të ndërmarrë çdo masë të nevojshme për ta siguruar paqen, stabilitetin dhe lëvizjen e lirë të të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Si kundërpërgjigje, në veri të Mitrovicës janë shfaqur grafite në gjuhën serbe, ku shkruan “Mos u shqetësoni, ne jemi këtu, po presim”.

Grafite të ngjashme ishin shkruar edhe më herët në rrugët e Mitrovicës së Veriut, por edhe në komunat tjera në veri të Kosovës, por tani për herë të parë u shfaq nënshkrimi “Brigada e Veriut”.

10:55 – Nis takimi Kurti-Vuçiq në Bruksel

Ka filluar takimi ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq në Bruksel.

Ky takim do të ndërmjetësohet edhe nga Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, i përkrahur nga i Dërguari i Posaçëm, Miroslav Lajçak.

Pak minuta më parë, shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, ka shkruar në llogarinë e tij në Twitter, se pret që sot të dy liderët të jenë të hapur për të gjetur një gjuhë të përbashkët.

“Tensionet e fundit në veri të Kosovës kanë treguar sërish se është koha për të ecur përpara drejt normalizimit të plotë. Unë pres që të dy udhëheqësit të jenë të hapur dhe fleksibil për të gjetur gjuhën e përbashkët”.

Kujtojmë se së fundmi janë ngritur shqetësimet për një përshkallëzim të mundshëm të situatës në veri të Kosovës. Kjo pasi kryeministri Kurti ka paralajmëruar se do ta zbatojë masën e reciprocitetit sa i përket çështjes së targave dhe dokumenteve me Serbinë.

10:54 – Vuçiq: Shpresoj në një zgjidhje për Kosovën, edhe pse nuk besoj fare

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka takuar sot në Bruksel Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë dhe zëvendëspresidentin e Komisionit Evropian, Josep Borell dhe Përfaqësuesin Special të BE-së, Miroslav Lajçak.

Vuçiq ka shkruar në profilin e tij në Instagram “buducnostsrbijeav” se shpreson në zgjidhjen e problemit me Kosovën, edhe pse për këtë, sipas tij, ekzistojnë pak shanse.

“Fillimi i bisedimeve për problemet thelbësore në Kosovë. Shpresoj për një zgjidhje, edhe pse nuk besoj fare”, shkroi Vuçiq.

10:53 – Raci: Kosova e Serbia nuk kanë zgjidhje tjetër pos dialogut për marrëveshjen finale

Analisti politik, Gazmir Raci, vlerëson se Kosova dhe Serbia nuk kanë zgjidhje tjetër pos dialogut për arritjen e marrëveshjes finale.

Raci, në Klan Kosova, tha se kjo është edhe kërkesë e Amerikës dhe Bashkimit Evropian veçse sot nuk pret ndonjë marrëveshje.

“Nuk ka zgjidhje tjetër për momentin pos dialogut dhe arritjes së marrëveshjes finale. Këtë e kanë kërkuar edhe miqtë tanë ndërkombëtarë SHBA dhe BE dhe në fund të fundit është rruga jonë e vetme për rrugën drejtë Bashkimit Evropian”.

“Sot nuk pres ndonjë befasi nga Brukseli dhe nuk ka nevojë të dramatizohet dita e sotme. Nuk pres marrëveshje të tipit që mund të ndryshonte gjendjen në terren për shkak se masa e reciprocitetit që është vendosur nga kryeministri është një nga ato elementet që Kosova nuk i ka zbatuar që nga viti 2015”.

Mes tjerash, Raci tha se është e rëndësishme që kryeministri Kurti është përfshirë në dialog.

“Është e çuditshme se njerëzit që më parë e kritikonin Kurtin për mospërfshirje në dialog tani e kritikojnë për përfshirje. Për mua është e rëndësishme që Kurti ka hy në dialog dhe s’ka zgjidhje tjetër pos përfshirjes në dialog dhe arritjen e marrëveshjes përfundimtare që është kërkuar edhe nga aleatët tanë ndërkombëtar” tha Raci.

10:46 – Borrell: Pres që të dy udhëheqësit të jenë të hapur për të gjetur gjuhën e përbashkët

Shefi i diplomacisë evropiane, Joseph Borrell, në prag të takimit me kryeminsitrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq.
Borrell tha se pret që sot të dy liderët të jenë të hapur për të gjetur një gjuhë të përbashkët.

“Tensionet e fundit në veri të Kosovës kanë treguar sërish se është koha për të ecur përpara drejt normalizimit të plotë. Unë pres që të dy udhëheqësit të jenë të hapur dhe fleksibil për të gjetur gjuhën e përbashkët”, ka shkruar Borrell në Twitter.

10:42 – Bruksel: Vuçiq u takua me Josep Borell dhe Miroslav Lajçak

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka takuar sot në Bruksel përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borell dhe Përfaqësuesin Special të BE-së për Dialog, Miroslav Lajçak, në kuadër të vazhdimit të dialogut në nivelin më të lartë ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës pas më shumë se një viti, shkruan Tanjug.

10:35 – Tahiri: Pritshmëritë e takimit Kurti-Vuçiq janë të mëdha nga të gjithë

Pritshmëritë për takimin e sotëm mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë të mëdha nga të gjithë, vlerëson gazetari i Klan Kosovës Besnik Tahiri.

Tahiri thotë se veçanërisht Amerika ka pritshmëri të mëdha nga ky takim pasi kërkesë e vazhdueshme e tyre ka qenë ulja e tensioneve mes të dyja palëve.

“Pritshmëritë për këtë takim janë të larta dhe ky takim është kulmi i asaj që ka ndodh më 31 korrik kur ndodhi eksalimi i situatës në kufirin Kosovë-Serbi kur serbët kishin vendosur barrikadat”.

“Edhe i dërguari i posaçëm i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar edhe zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Ned Price, treguan se pritshmëritë e takimit të sotëm i kanë të mëdha pasi Washingtoni është vëzhgues në këtë rast dhe për këtë presin shumë nga takimi i sotëm, të paktën zotimet e të dyja palëve që të mos ketë tensione”.

Tahiri, mes tjerash, thotë se nuk pret ndonjë përafrim mes Kurtit e Vuçiqit teksa thekson se të dy liderët asnjëherë s’i kanë shtrënguar dorën njëri-tjetrit.

“Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq përpos që janë të papajtueshëm janë të njëjtit që as nuk i kanë shtrënguar duart kurrë. Nuk i kanë zgjatur dorën njëri-tjetrit asnjëherë as nëpër takimet paraprake”, tha gazetari Tahiri.

10:35 – Lutfi Haziri: Albin Kurti nuk u konsultua me opozitën para se të niset për Bruksel 

Sot në Bruksel do të mbahet takimi ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka thënë se kryeministri Albin Kurti nuk është konsultuar me opozitën para se të niset për Bruksel.

Në një lidhje direkte në Klan Kosova, Haziri ka theksuar se dialogu politik në Kosovë ka rënë për tokë.

“Nuk ka dialog politik në Kosovë, s’ka dialog as me sindikata dhe nuk ka dialog të brendshëm me komunitete etnike. Pakicat po luajnë një rol të madh në Ballkan. Për problemet me Serbinë, Kurti duhet të konsultohet me partitë politike – së paku me ato që janë në parlament”.

“Mos të na ftojnë në një situatë pasi të ndodh diçka në Kosovë. Duhet t’u paraprihet evitimit të problemeve”.

10:25 – Bërnabiq: Kurti provokon dhe provokon

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq tha se të gjitha mendimet e saj janë me presidentin e Serbisë, i cili sot takohet me kryeministrin kosovar, Albin Kurti në Bruksel.

Siç shtoi ajo, qëllimi i vetëm i Serbisë është ruajtja e paqes dhe stabilitetit, transmeton Klankosova.tv.

“Kurti provokon dhe provokon dhe shkon edhe më tutje, edhe më tutje… Dhe atje nuk ka paqe… Të gjitha mendimet e mia sot janë me presidentin Vuçiq”, theksoi Brnabiq dhe se siç tha ajo “qëllimi i Albin Kurtit është të dëbojë serbët nga Kosova”, tha Bërnabiq për TV Prva.

Ajo deklaroi se as pas 10 vjetësh nuk është themeluar Asociacioni duke shtuar se Serbia ka nënshkruar një marrëveshje energjetike për të ndihmuar serbët në Kosovë.

09:42 -Kjo ishte deklarata e Kurtit pas takimit me Escobarin dhe Lajçakun

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ka pasur një diskutim të hapur në Bruksel mbrëmë me të dërguarin special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe emisarin e BE-së për dialog, Miroslav Lajçak.

Kurti ka shkruar në Twitter se qëllimi i bisedimeve duhet të jetë arritja e një marrëveshjeje me qendër njohjen reciproke të Kosovës dhe Serbisë.

“Ne patëm një diskutim të hapur me të dërguarin special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar dhe Përfaqësuesin Special të BE-së Miroslav Lajçak përpara bisedimeve të nivelit të lartë të nesërm. Qëllimi i këtyre bisedimeve duhet të jetë arritja e një marrëveshjeje ligjërisht të detyrueshme të përqendruar në njohjen reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë me qytetarët si përfitues përfundimtarë”, ka shkruar ai.

Takimi i mbrëmshëm trilateral Kurti-Escobar-Lajçak u mbajt para atij të sotmit gjatë të cilit do të ballafaqohen kryeministri kosovar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

09:33 – Departamenti i Shtetit: Suksesi i dialogut të Brukselit është prioritet absolut i SHBA-së

“Ne jemi të kënaqur që liderët e Serbisë dhe Kosovës do të takohen në Bruksel si pjesë e një dialogu të ndërmjetësuar nga BE. E mbështesim plotësisht këtë dialog. Është e rëndësishme që ne besojmë se të dyja palët e përdorin këtë mundësi për të çuar përpara bisedimet e tyre për normalizimin e marrëdhënieve. Ky është prioriteti ynë. Ne dëshirojmë të shohim progres dhe zbatimin e marrëveshjes”, tha mbrëmë Price.

Dialogu dhe kompromisi, thotë ai, nuk janë shenja dobësie, por janë thelbësore për arritjen e një marrëveshjeje lokale për normalizimin e marrëdhënieve, e cila, thotë ai, është ende thelbësore si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë kur bëhet fjalë për aspiratat e tyre drejt BE-së.

“Shpresojmë që liderët në Serbi dhe Kosovë ta kuptojnë rëndësinë e ecjes përpara, jo prapa, përmes dialogut të udhëhequr nga BE-ja”, tha ai, duke shtuar se një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit (Gabriel Escobar) udhëtoi në SHBA për t’i mbështesin bisedimet.

Edhe pse SHBA, siç thotë ai, nuk po marrin pjesë në dialog, suksesi i këtyre bisedimeve është “prioritet absolut”.

Price shprehet se deklarata e sotme e presidentit Aleksandar Vuçiq se ai nuk mbështet bazat ushtarake të askujt në Serbi apo askund në Ballkanin Perëndimor, është një hap në drejtim të ruajtjes së “sovranitetit të Serbisë dhe integritetit të saj territorial”.

“Këto janë vendime sovrane të Qeverisë së Serbisë, por janë marrë parasysh edhe vërejtjet e presidentit (Vuçiq), është vendim i tij sovran, por ne kemi thënë në të gjithë botën, përfshirë edhe rajon, se nuk mund të ketë marrëdhënie normale biznesi me Rusinë dhe se vendet duhet të vazhdojnë të flasin qartë dhe të veprojnë në mbështetje të partnerëve tanë në Ukrainë”, tha ai.

08:53 -Çka ndodhi në takimin e fundit të Kurtit me Vuçiqin?

Sot në Bruksel do të zhvillohet takimi ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq.

Ky takim do të ndërmjetësohet edhe nga Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, i përkrahur nga i Dërguari i Posaçëm, Miroslav Lajçak, njofton Klan Kosova.

“Takimi do të nis në 10:30 dhe në fokus do të jetë rruga para në dialog dhe arritja e marrëveshjes gjithëpërfshirëse për normalizim”, thuhet në njoftimin e BE-së.

Të mërkurën e 5 majit Kurti e Vuçiq u takuan e darkuan në Berlin, me ftesë të kancelarit gjerman, Olaf Scholz.

Scholz pati takuar të dy liderët në takime të ndara e me secilin veç e veç mbajti konferencë për media.

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, pati lavdëruar Kosovën për rreshtimin që republika e vogël ballkanike e ka bërë karshi Rusisë që nisi luftën në Ukrainë.

Temë tjetër në takimin Scholz-Kurti ishin bisedimet Kosovë-Serbi.

Për t’i dhënë një shtytje këtij procesi kancelari ftoi në kryeqytetin gjerman edhe emisarin evropian për dialog, Miroslav Lajçak që sipas planit në një takim joformal i bënë bashkë Kurtin e presidentin serb, Aleksandar Vuçiqin në Berlin.

Nga ana e tij, Kurti i tha kancelarit se Prishtina është gati për bisedime me Beogradin, por “ku njohja vjen në fillim të procesit e jo në fund”.

Të dy kryeministrat folën për bashkëpunimin ekonomik kosovaro-gjerman. Republika Federale u quajt si investitori më i madh në Kosovë.

Tutje ndërmjetësuesi i Bashkimit Evropian, për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, dha detaje nga darka që bëri bashkë në një tavolinë Kurtin e Vuçiqin.

Lajçak e pati vlerësuar si mundësi të mirë atë takim të treshes, për të diskutuar rreth çështjes së dialogut, për të cilin thotë se pritet diskutim tjetër në nivel kryenegociatorësh më 13 maj.

”Mirëpritëm mundësinë për një darkë joformale diskutimi rreth dialogut me kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiq në Berlin. Mirënjohës ndaj qeverisë gjermane për pritjen. Ne do të vazhdojmë diskutimin në nivel të kryenegociatorëve më 13 maj”.

Për takimin në Berlin pati folur edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq i cili tha se darka joformale me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ishte shumë e vështirë dhe se sipas tij përfaqësuesit gjermanë këmbëngulën se ajo çka është firmosur në Marrëveshjen e Brukselit duhet të zbatohet.

“Bisedimet do të vazhdojnë. Drejtori i Zyrës për Kosovë, Petar Petkoviq, më 13 maj do të shkojë në Bruksel për të tentuar të pajtohet për diçka”, tha Vuçiq, raporton RTS.

Vuçiq pati theksuar se problemi për Beogradin është se disa refuzojnë të flasin Asociacionin, por sipas tij, ishte e rëndësishme që të gjithë përfaqësuesit gjermanë kanë thënë se ajo që është nënshkruar duhet të zbatohet.

“Detyra ime është të luftoj për Serbinë dhe do të vazhdoj ta bëj këtë”, tha Vuçiq.

08:00 -Sot takohen Kurti dhe Vuçiq në Bruksel

Sot në Bruksel do të zhvillohet takimi ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq.

Ky takim do të ndërmjetësohet edhe nga Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, i përkrahur nga i Dërguari i Posaçëm, Miroslav Lajçak.

“Takimi do të nis në 10:30 dhe në fokus do të jetë rruga para në dialog dhe arritja e marrëveshjes gjithëpërfshirëse për normalizim”, thuhet në njoftimin e BE-së.

“Po ashtu do të adresohen çështjet aktuale me synim të uljes së tensioneve. Borrell gjithashtu do të mbajë takime të ndara me secilin nga liderët”.

Kujtojmë se së fundmi janë ngritur shqetësimet për një përshkallëzim të mundshëm të situatës në veri të Kosovës. Kjo pasi kryeministri Kurti ka paralajmëruar se do ta zbatojë masën e reciprocitetit sa i përket çështjes së targave dhe dokumenteve me Serbinë.

Një takim i rëndësishëm është mbajtur të mërkurën (17.08.2022) në selinë e NATO-s në Bruksel, ku pas takimeve të ndara veç e veç, sekretari gjeneral i NATO-s ka mbajtur konferencë për media, nga ku ka theksuar se NATO është e gatshme të ndërmarrë çdo masë të nevojshme në mënyrë që ta ruajë paqen, stabilitetin dhe lëvizjen e lirë të të gjithë qytetarëve të Kosovës.

“NATO vazhdon të monitorojë nga afër situatën në terren. Misioni ynë paqeruajtës i KFOR-it mbetet i fokusuar në mandatin e tij në OKB. Nëse rrezikohet stabiliteti, KFOR-i është i gatshëm të ndërhyjë dhe do të marrë çdo masë që është e nevojshme për të siguruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë popullin e Kosovës”.

Ai po ashtu u ka bërë thirrje të dy palëve që mosmarrëveshjet t’i zgjidhin përmes dialogut që do të mbahet sot në Bruksel.

“Dialogu konstruktiv është mënyra e vetme për të zgjidhur mosmarrëveshjet në rajon. Dialogu Beograd-Prishtinë i lehtësuar nga BE-ja është platforma për të gjetur një zgjidhje që respekton të drejtat e të gjitha komuniteteve”.

“E mirëpres raundin tjetër të dialogut që do të zhvillohet nesër. I inkurajoj të gjitha palët të angazhohen në mirëbesim, të tregojnë fleksibilitet dhe të jenë konstruktiv”.

Pas takimit të sotëm, Borrell pritet të dalë në një konferencë për media për të treguar rreth mbarëvajtjes së takimit.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Edicioni i 6-të i Garage Sale sjell zbritje të madhe në Comodita Home!
-Advertisement-

Të tjera