Lifestyle

Gjithçka që mendoni se dini mbi CIA-n është e gabuar

Autori: Gazeta inFokus 15:20 | 15 October 2021

Nga David Mccloskey

Ne jemi të mbushur me histori spiunësh. “No Time to Die”, ishte filmi i fundit i Xhejms Bond, që nisi të shfaqet në kinematë e mbarë botës javën e kaluar, si pjesa e 25-të e kësaj sage. Unë jam një konsumator i madh i historive të spiunazhit. Madje kam shkruar vetë një roman spiunazhi.

Gjithashtu jam një ish-analist i CIA-s. Dhe nëse thrillerët e Hollivudit apo librat me spiunë, janë burimi juaj kryesor mbi selinë e agjencisë së famshme në Lengli, atëherë shanset janë që gjithçka që mendoni se dini mbi CIA-n të jetë e gabuar.

-Advertisement-

Në shumicën e filmave të Hollivudit, spiunët super-heronj të CIA-s vrasin shumë njerëz, shpërthejnë objekte dhe veprojnë shpesh pa vendime zyrtare, ndoshta në territorin amerikane. Në përshkrimet e tjera, CIA përshkruhet si moralisht e falimentuar dhe joefektive, ndërsa oficerët e saj si gënjeshtarë, cinikë dhe agresivë.

Unë nuk shoh ndonjë gjë të keqe me filmat e Hollivudit, pasi në çdo rast shumica e tyre nuk janë duke u përpjekur të jenë të vërtetë në raport me CIA-n. Pjesa më e madhe e tyre është shumë argëtuese. Madje disa prej tyre mund të përfaqësojnë deri diku një grimcë e të vërtetës.

Por asnjëra prej tyre nuk hedh dritë mbi atë se si është në të vërtetë të punosh brenda CIA-s.

Për ta kuptuar këtë të fundit, mendojeni atë si një organizatë unike bipolare. Puna e përditshme e CIA-s është më e zakonshme (dhe shumë më e çuditshme) se thuajse e çdo lloj biznesi.

Por ajo është njëherazi shumë e kualifikuar dhe e jashtëzakonshme. Një aspekt i zakonshmërisë:agjencia është një organ i madh burokratik,i rrethuar nga shumë probleme të njëjta me kompanitë e “Fortune 500”. Pjesa më e madhe e punës së kreut të zyrës së CIA diku përfshin shkëmbimin e kabllogramëve me selinë qendrore Lengli, një mënyrë elegante për të thënë se si shumë menaxherë të nivelit të mesëm dhe të lartë, dërgojnë shumë e-maile.

Oficerët në terren e thërrasin “Kaçavida 10.000 milje e gjatë” selinë qendrore për shkak të aftësisë së saj për të rregulluar problemet në zyrat e agjencisë në gjithë botën. Ndërkohë ka disa procedura shumë të rrepta për paraqitjen e shpenzimeve dhe prenotimin e udhëtimeve.

Për shembull, fluturimet duhet të jenë mbi 13 orë në kohëzgjatje (pa përfshirë pushimet) për t’u kualifikuar për çmimet e klasit biznes. Por ka edhe shumë çudira të tjera. Kështu disa nga zyrat e përkohshme të Lenglit janë të infektuara me minj. Dhe oficerët rivalizojnë fort njëri-tjetrin për të gjetur parkim, për të shkurtuar rrugëtimin nëpër parkingun e madh të stilit “Disleyland” që ka Lengli.

CIA organizon çdo vit “Ditën e Familjes”, në të cilën punonjësit mund të marrin me vete disa të afërm. Zyrat dhe departamentet e agjencisë ngrenë disa stenda dhe organizojnë aktivitete argëtuese. Në stendën e drejtuar nga Zyra e Sigurisë, motra ime adoleshente dështoi në mënyrë spektakolare në testin e saj të parë dhe të vetëm të poligrafit (testin e së vërtetës).

Në selinë qendrore ekziston një dyqan dhuratash që shet logon e agjencisë, e cila gjendet në objekte të ndryshme si gotat e birrës, topat e golfit etj. Fakti që agjencia nuk është vetëm një organizatë e madhe por edhe shumë e fshehtë qeveritare, do të thotë se oficerët e CIA-s i nënshtrohen rregullave të tjera të çuditshme.

Futja e alkoolit në godinë kërkon leje të posaçme (konfiskimet nuk janë të rralla). Për shkak se dollarët e taksapaguesve nuk mund të përdoren për të financuar festimet, festat me rastin e pushimeve në CIA i ngjajnë atyre të zhvilluara në ambientet familjare, ku janë kryesisht vullnetarët që gatuajnë ose blejnë ushqimin.

Brenda selisë, punonjësit e mirëmbajtjes menaxhohen nga kompanitë kontraktore, uniforma e të cilëve përfshin një kostum jeshil. Por nëse burokracia është e zakonshme dhe rregullat të çuditshme, operacionet e CIA-s janë shumë të rrezikshme.

Nuk ka vërtet spiunë super-heronj si ata të Hollivudit, por CIA merret me misionet më të rrezikshme dhe shpeshherë vdekjeprurëse. Ata bindin agjentët e huaj që të tradhtojnë vendet e tyre, shkatërrojnë rrjetet terroriste, dhe u sigurojnë politikë-bërësve amerikanë informacionet mbi të cilat bazohet politika e jashtme amerikane.

Unë di shumë mbi operacionet teknike dhe njerëzore, që depërtuan në celulat terroriste në Lindjen e Mesme, duke parandaluar sulmet e tyre. Unë kam parë pamjet me dron të disa prej objekteve më të çmuara – dhe të fshehta – të kundërshtarëve tanë nga dhomat pa dritare në Lengli.

Unë kam dijeni mbi operacionet në të cilat oficerët e CIA-s hynë të maskuar në territoret e vendeve armike, për të zbuluar vende të mundshme ku agjentët mund të marrin dokumente shumë të rëndësishme. Unë di rastet e qeseve me para që u jepen agjentëve pas lirimit të tyre nga burgu, me mesazhin se CIA i mban premtimet e saj.

Unë njoh agjentë të arrestuar dhe vrarë pasi qeveritë e tyre zbuluan se ata i kishin dhënë CIA-s sekrete të rëndësishme. Unë di se oficerëve të agjencisë iu kërkua të shpërndaheshin në Afganistan dhe pika të tjera të nxehta për periudha 1-vjeçare, duke vënë nën një presion të jashtëzakonshme martesat dhe familjet e tyre.

I them që të gjitha këto, jo për të përshkruar mangësitë e vërteta të CIA-s, por për të ofruar disa shembuj që tregojnë se ndërsa shumica e punëve të korporatave kanë analogji diku tjetër, në rastin e CIA-s kjo nuk vlen. Realiteti i çuditshëm është se, për një organizatë të fshehtë që merret me mashtrim, kodi moral i zhvilluar për të arritur këtë mision ka të bëjë me të vërtetën. Kjo nuk do të thotë që CIA i përmbahet gjithmonë këtij kodi – historia e agjencisë ka pjesën e saj të dështimeve morale – por e vërteta është standardi i saj.

Analistët krenohen me të“duke i thënë të vërtetën pushtetit” dhe inkurajohen që në ditët e para të punës që të jenë të kujdesshëm ndaj kujtdo që përpiqet të shtrembërojë realitetin. Drejtorët e sapoemëruar të CIA-s, shumica e të cilëve mbërrijnë nga jashtë Lenglit shpesh tronditen kur shohin se si analistët e rinj korrigjojnë eprorët e tyre apo edhe drejtorin në njoftimet që përgatiten për kreun e shtetit.

Oficerët e çështjeve të CIA-s – të akuzuar për zbulimin, zhvillimin dhe rekrutimin e agjentëve – portretizohen shpesh në media si gënjeshtarë profesionistë. Por natyra e punës së tyre kërkon pikërisht të kundërtën. Ata duhet të jenë në gjendje të punojnë në mënyrë të pavarur. Lengli duhet t’u besojë atyre. Dhe është ndershmëria ajo që e jep këtë besim.

Oficerëve të CIA-s u mësohet që në fillim se gënjeshtra ndaj Lenglit, është mëkati më i madh nga të gjithë mëkatet. CIA mund të tolerojë të gjitha llojet e gabimeve, por jo mashtrimin.

Prandaj herën tjetër kur të shihni filma me spiunë, mos harroni se në anën tjetër, oficerët e CIA-s luftojnë me të zakonshmen, dhe janë të angazhuar në një lojë serioze, me rreziqe të mëdha për të përmbushur misionin e tyre:zbulimin dhe thënien e së vërtetës. / CNN – Bota.al

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Nis bashkëpunimi serioz dhe strategjik midis Comodita dhe JYSK International
-Advertisement-

Të tjera