Fokus

Gjithçka çfarë ndodhi? Për dy javë Policia e Kosovës u sulmua gjashtë herë në veri

Autori: Elvira Haxhiu 10:33 | 26 April 2022

Në dy javët e fundit të muajit prill, Policia e Kosovës është sulmuar gjashtë herë në veri të vendit, shkruan Gazeta Infokus.

Në këto raste policia u sulmua me mjete të ndryshme, e që nuk u përjashtuan as gjuajtjet me armë zjarri në drejtim të saj.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në një konferencë të jashtëzakonshme për media më 15 prill, njoftoi se për tri ditë Policia e Kosovës ishte sulmuar katër herë në veri.

-Advertisement-

Në rastin e datës 15 të muajit prill, policia u sulmua me armë zjarri të llojit AK-47 dhe garantë dore.

“Sot rreth 07:40 ka ndodhur një sulm ndaj policisë së Kosovës të cilët kanë qenë duke realizuar ndërrimin në pikat kufitare. Ky sulm tashmë i faktuar me granat dore dhe AK 47 si një akt terrorist është bërë me qëllim të frikësimit të policisë dhe qytetarët. Grupet e ndryshme në 3 ditët e fundit kanë bërë katër sulme ndaj Policisë së Kosovës”, ka thënë Sveçla.

Drejtori i PK-së, Samedin Mehmeti tha se sulmet ishin të sinkronizuara, e që njoftoi se në herën e parë policia ishte penguar me vendosjen e mbi 40 iriqëve në formë metalike në rrugë.

Në rastin e dytë policia është sulmuar me gurë, kurse në rastin e tretë ajo është sulmuar me armë zjarri, ku ishin dëgjuar pesë të shtëna.

“Sulmi i tretë ka ndodhur mbrëmë, saktësisht në vendin që quhet Pragovë, rreth orës 20:40 minuta, janë dëgjuar katër deri në pesë të shtëna me rafal të shkurta, diku rreth 30 fishekë që dyshohet se të shtënat kanë ardhur nga territori i Republikës së Serbisë. S’ka pasë të lënduar, por vetëm dëme materiale. Gjuajtjet kanë ndodhur në distancë 200-300 metra afër patrullës, në fshatin Bube, ku para disa kohe e kemi bërë mbylljen e kësaj rruge ilegale”, ka thënë Mehmedi në konferencën e përbashkët me ministrin Sveçla.

Ndërsa, në rastin e katërt të datës 15 prill, siç u potencua edhe më lart Policia e Kosovës ishte sulmuar me AK-47 dhe granatë dore.

Mirëpo, nuk kaluan as 24 orë kur erdhi edhe sulmi tjetër ndaj policisë në veri, saktësisht në Sharpej të Jarinjës ku ndodhën dy shpërthime.

“Sot, më 16.04.2022, rreth orës 03:10, në Sharpej të Jarinjës, kanë ndodhur dy shpërthime (dyshohet nga mjete piroteknike). Shpërthimet kanë ndodhur afër veturës së policisë e cila ishte në një pikë statike ku policia ishte e përqendruar në parandalim të kontrabandës në atë zone”, thuhet në njoftim.

E sulmi i gjashtë ndaj Policisë së Kosovës ndodhi sot më 26 prill në fshatin Zupçe të Zubin Potokut, ku një njësi patrulluese është sulmuar me armë zjarri.

Këtë rast për Gazetën Infokus e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë, Baki Kelani, i cili njoftoi se nga ky sulm nuk është raportuar për zyrtarë të lënduar.

“Lidhur me rastin janë ndërmarrë të gjitha veprimet e menjëhershme policore, ku në vendngjarje kanë dalë edhe njësitet policore të rendit nga stacioni policor Zubin Potok, të cila kanë njoftuar se njësiti kufitar janë sulmuar me armë zjarri, përveç dëmeve materiale në automjet nuk raportohet për zyrtarë të lënduar”, ka thënë Kelani.

Sulmet ndaj Policisë së Kosovës u dënuan nga krerë të institucioneve të Kosovës si dhe përfaqësues ndërkombëtarë me mision në Prishtinë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e quajti “sulm terrorist” sulmin ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në veri të vendit më 15 prill, duke shtuar se nuk do të ketë “asnjë gram tolerancë” nga Qeveria për strukturat ilegale të Serbisë në Kosovë.

“Ne e kemi dënuar ashpër këtë sulm, i cili ishte sulm terrorist me qenë se me plumba, me granata u gjuajtën pjesëtarët e policisë, të cilët patën fat që në veturat e tyre pësuan vetëm dëme materiale”, tha Kurti.

Madje, këto sulme i ka dënuar edhe misioni i KFOR-it i drejtuar nga NATO në Kosovë, ku në një përgjigje për Gazetën Infokus nga KFOR-i kanë thënë se janë të gatshëm të mbështesin Policinë e Kosovës sa herë që ka nevojë.

“Misioni i KFOR-it i drejtuar nga NATO dënon ashpër sulmet e fundit kundër pjesëtarëve të Policisë së Kosovës. Ne konfirmojmë gatishmërinë tonë për të mbështetur Policinë e Kosovës, nëse është e nevojshme dhe e kërkuar”, ka thënë për Infokus, Vincenzo Lipari, shef i Zyrës për Marrëdhënie me Publikun në KFOR.

Në reagimin e tyre po ashtu KFOR ka deklaruar se presin nga të dy palët që të veprojnë me përgjegjësi dhe të mos bëjnë veprime që ngrisin tensionet e ndikojnë negativisht në sigurinë e Kosovës./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera