Lajme

Gjinovci i ik përgjigjes për bullizmin ndaj Kusarit me “nccc” dhe ndalje telefoni – pasojnë reagimet ndaj tij

Autori: Gazeta inFokus 17:34 | 17 June 2023
Pjesëtari i shoqërisë civile, Rron Gjinovci, me përqeshje ia ka komentuar pamjen fizike juristes së të drejtës së mediave, Flutura Kusari.

Derisa Kusari po fliste nëpër media në lidhje me dhunën fizike që dje gazetarët e përjetuan në Leposaviq, Gjinovci, që drejton edhe ORCA-n (Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim), shpërndau një lajm të saj dhe shkroi: “Çfarë frizure”, pasuar me disa figura duke qeshur.

Ky koment i Gjinovcit u konsiderua bullizëm ndaj pamjes së jashtme të Kusarit, për çka edhe pasuan reagimet e shumta ndaj tij nga gazetarë, politikanë e drejtues mediash.

-Advertisement-

Klankosova.tv ka provuar ta marrë një sqarim të Gjinovcit për këtë çështje, por ai e ndali telefonin pas pyetjes.

Në pyetjen se “pse e ke bërë një koment të tillë dhe çka ke dashur të thuash”, Gjinovci u përgjigj me cinizëm: “Nccc”, dhe e ndali telefonin.

Më pas, derisa Klankosova.tv po e shkruante artikullin, ai shkroi një postim në FCB, të cilin mund ta gjeni KËTU.

Ish-drejtori i Klan Kosovës, Adriatik Kelmendi, ka thënë se Flutura Kusari e meriton të jetë presidentja e tretë në Kosovë.

“Dy presidente i ka pasur Kosova deri tash. Flutura Kusari e meriton të jetë e treta. E kompletuar në çdo aspekt. Lum shoqëria jonë që e kemi”, ka thënë Kelmendi, transmeton Klankosova.tv.

Komentet e Gjinovcit për Kusarin, si të papranueshme i ka parë edhe drejtori i Nacionales, Berat Buzhala, i cili tha se si është e mundur që një pjesëtar i shoqërisë civile ta ketë një postim të tillë.

“Qysh është e mundur një pjesëtar i shoqërisë civile, një njëri që pretendon që është i kulturuar dhe civilizuar, me e pasë këtë postim”, tha Buzhala.

Tutje, ai tha se Flutura Kusari është autoriteti më i lartë i Kosovës në fushën e mediave në Evropë.

E, për gazetaren Arta Avdiu, në media nuk duhet të ketë vend për seksistët recidivistë.

“Flutura Kusari është ndër profesionistet më të mira që e njoh. Grua me integritet, etikë të punës dhe arritje të mëdha ndërkombëtare. Në pamundësi me argumentu, burrat patriarkal i vërsulen grave duke ua komentuar pamjen fizike”, tha Avdiu, përcjell Klankosova.tv.

Ndërsa deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, i tha Flutura Kusarit “t’i du flokët, sytë, mendjen e krejt çka ti përfaqëson”.

Reagim për komentin bullizues të Gjinovict pati edhe ish-ambasadori i Kosovës në Suedi, Lulzim Peci, aktualisht pjesë e shoqërisë civile si drejtues i organizatës KIPRED. Ai tha se “disa anëtarë të shoqërisë më së paku civile kanë rrëshqitë komplet, bile edhe busullat ideologjike u janë trazuar”.

Peci tha se në njërën anë ata janë të pranishëm në paradën e krenarisë të komunitetit LGBTQ ndërsa në anën tjetër bëjnë ironi me frizurën e aktivistes së shoqërisë civile, Flutura Kusari.

Kurse ish-deputetja Aida Dërguti, tha se Flutura Kusari, Ehat Miftaraj e disa individë të tjerë me integritet të lartë në shoqëri civile, janë shtylla dhe siguresat e demokracisë.

“Njerëzit e mençur e përdorin kokën për të menduar, disave iu shërben veç për frizurë”, tha Dërguti.

Komentin bullizues të Gjinovcit, anëtarja e organizatës “QIKA”, Leonida Molliqaj, i quajti fyese ndaj grave që guxojnë ta ngrisin zërin e të bëhen pjesë e jetës publike.

“Sot qenka tallur me flokët e Flutura Kusarit; para ca ditësh e quajti ‘e çmendur’ Dafina Demakun ndërkohë, iu ka shndërru në ushtrim ditor gjuha e ulët e bullizuese ndaj moderatores Mimoza Koprani Muçaj. Rroni ta zëmë, i vetëdeklaruar si aktivist i majtë, s’paska denjuar ta komentojë aktivizmin e Fluturës për lirinë e shprehjes, e paska zgjedhur fyerjen si zhvlerësim të personit”, tha Molliqaj, transmeton Klankosova.tv.

Përqeshje e bullizëm për frizurën e Kusarit pati edhe nga një faqe e quajtur “Simpatizantet e Vetvendosjes”, të cilët thanë se “A me koordinim a pa koordinim? Ç’far frizure”.

Klankosova.tv ka tentuar disa herë gjatë ditës të marrë qëndrim edhe nga Flutura Kusari, mirëpo kontakti me të ka qenë i pamundur.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Keiretsu Forum Southeast Europe dhe BKT Kosova, një bashkëpunim i guximshëm për herë të parë në llojin e tij, në…
-Advertisement-

Të tjera