Lajme

Gjinekologut që mundësoi abortin e 13-vjeçares i caktohet arrest shtëpiak, premton që nuk do të ndikojë në dëshmitarë

Autori: Gazeta inFokus 17:37 | 15 October 2020

Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e arrestit shtëpiak prej 30 ditë gjinekologut A.G.

Gjinekologu në ordinancën e tij e ka kryer abortin ndaj të miturës, me ç’rast i njëjti ka treguar vendosmëri në kryerjen e veprave penale pasi që i kishte diktuar të dëmtuarës se çfarë të shkruaj në deklaratën e saj për dhënien e pëlqimit për kryerjen e abortit.

Gjithashtu gjinekologu gjatë kontrollit të dëmtuarës, nuk e ka lajmëruar veprën penale të dhunimit.

-Advertisement-

Me këto veprime i pandehuri A. G. dyshohet se ka kryer veprat penale ‘’ndërprerja e shtatzënisë’’ dhe “moslajmërimi i veprave penale dhe kryerësve të tyre”, vepra të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Fillimisht kërkesa e prokurorit ka qenë për caktimin e masës së paraburgimit, por pas dëgjimit të deklaratës së të pandehurit dhe të mbrojtësit të tij, ka kërkuar që të caktohet masa e arrestit shtëpiak, pasi që i njëjti i ka premtuar Gjykatës që nuk do të ndikoi në dëshmitarë.

Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, pas mbajtjes së seancës dëgjimore, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj të pandehurit, pasi që caktimi i masave tjera alternative do të pengonin zhvillimin normal të procedurës penale.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.​

Ndryshe, me datë 29.09.2020, Gjykata ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj dy të pandehurve, të cilët dyshohet se kanë dhunuar të miturën.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera