Lajme

Gjilani me vetëm pesë çerdhe, prindërit kërkojnë më shumë sosh

Autori: Gazeta inFokus 21:47 | 25 June 2022

Prindërit e fëmijëve parashkollorë kanë kërkesa nga komuna e Gjilanit. Ata po kërkojnë më shumë çerdhe pasi në ato aktuale nuk ka më kapacitete. Nga komuna thonë se vitin e ardhshëm do të jetësohen projektet nga Ministria e Arsimit, e opozita lokale kritikon qeverisjen e Vetëvendosjes atje.

Edukatoret dhe prindërit në Gjilan kërkojnë nga Komuna që ta rrisë numrin e çerdheve publike, sepse këto ekzistueset kanë mungesë të hapësirës dhe janë të ngarkuara me numër të madh të fëmijëve. Ndërkohë kërkesat për regjistrim të fëmijëve në kopshte vazhdojnë, por kapacitetet janë minimale.

“Janë të mirëseardhja e kopshteve sidomos publike për shkak se edhe cilësia është më e mirë edhe edukatoret e kanë më të lehtë të punojnë kur kanë numër më të vogël të fëmijëve dmth grupet janë më pak të ngarkuara”, thotë Njomza Lakna, edukatore.

-Advertisement-

“Unë mendoj se çerdhe duhet me pasë më shumë qytetit i Gjilanit për arsye se tash gratë punojnë më shumë dhe për t’I dërguar fëmijët në çerdhe është e kufizuar”, thotë Fikrie Aliu, prind.

Opozitarët kanë kritikuar qeverisjen në Gjilan, për mospërmbushje të premtimeve sidomos për çerdhet.

“Duke e ditur mungesën e objekteve parashkollore të gjitha partitë e kemi pasur në objektiv dhe program hapjen e çerdheve të reja se është nevojë shumë e konsiderueshme, nuk është bërë asgjë edhe në këtë aspekt, dmth zero, nuk është nisë fare”, thotë Avdyl Aliu, shef i Grupit Parlamentar të LDK-së, Gjilan.

“Nuk kemi akoma të filluar asnjë çerdhe në Gjilan, asnjë Project ideor, por, nuk ka se si të ndodhë ndryshe kur qeveria në nivel qendror ka ndarë vetëm 700 mijë euro për komunën e Gjilanit dhe aq më keq kur planifikimi buxhetor për arsim në investime kapitale I ndan vetëm 20 mijë euro për vitin e ardhshëm”, thotë Nazim Gagica, asamblist i AAK-së.

Se ka nevojë për më shumë çerdhe, e pranojnë edhe vetë zyrtarët e arsimit në Gjilan.

“Gjendja do të përmirësohet gjithsesi për arsye se janë bërë të gjitha përgatitjet e qeverisjes sonë për fillimin e dy çerdheve, një në fshatin Miresh dhe tjetra në pjesën e qytetit Qarku 1, është në ndërtim e sipër çerdhja në Arbëri, që ka kapacitetin për 130 fëmijë”, tha Selvete Sylejmani, drejtoreshë e arsimit, Gjilan.

Aktualisht në komunën e Gjilanit janë pesë çerdhe, katër në qytet dhe një në fshatin Shillovë./rtk

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Vrasja e Lulzim Fejzullahut, vjen reagimi i parë nga ministrja Haxhiu

Të tjera