Rozë

Gjiko dënohet me 400 euro gjobë për armëmbajtje pa leje

Autori: Gazeta inFokus 13:26 | 07 July 2020

Gjykata Themelore në Pejë e ka dënuar me 400 euro gjobë, të akuzuarin për armëmbajtje pa leje, Asdren Gjikolli, i njohur me emrin artistik Gjiko.

Me 400 euro gjobë u dënua edhe i akuzuari tjetër për armëmbajtje pa leje, Valon Alija, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktgjykimit të shpallur të martën, nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Sami Sharraxhiu, shumën prej 400 euro të pandehurit detyrohen ta paguajnë në afat prej 30 ditëve pasi aktgjykimi të marrë formën e prerë.

-Advertisement-

Të njëjtit u njoftuan edhe për pasojat e mos pagesës së gjobës, me ç’rast dënimi me gjobë do tu shndërrohet në dënim me burg. Sipas aktgjykimit, të pandehurve u janë konfiskuar edhe armët.

Ndryshe, Asdren Gjikolli dhe Valon Alija kanë lidhur marrëveshje për pranimin e fajësisë me Prokurorinë Themelore në Pejë, përmes mbrojtësve të tyre, avokatëve Fisnik Mujaj dhe Blerim Ademaj, ku janë pajtuar që ndaj tyre gjykata të shqiptoj dënim me gjobë prej 400 deri në 500 euro, si dhe të bëhet konfiskimi i armëve.

Lidhur me këtë, gjatë seancës së mbajtur të martën, të pandehurit deklaruan se asnjëherë nuk do t’i përsërisin veprimet e tilla, duke shprehur pendim.

Ndryshe sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Pejë, të përpiluar më 22 nëntor 2019, Asdren Gjikolli dhe Valon Alija akuzohen për armëmbajtje pa leje.

Në dispozitivin e parë të aktakuzës thuhet se, i pandehuri Gjikolli, në kohë të panjohur e në vazhdimësi deri më 8 tetor 2019, në parkingun e restorantit Univers në Pejë, mban në pronësi, në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm, armën Pistoletë me gas, e markës së panjohur, cal. 9mm dhe me të shtinë në ajër disa herë gjatë një ahengu familjar, të cilën armë ia konfiskojnë Policia e Kosovës, së bashku me dy karikator dhe një fishek me gas, pasi kishin siguruar një video të postuar në rrjetin social “Instagram” ku i dyshuari shihet duke shtënë me të njëjtën.

Kurse sipas dispozitivit të dytë, i pandehuri Alija akuzohet se, në kohë të panjohur e në vazhdimësi deri më 8 tetor 2019, në parkingun e restorantit Univers në Pejë, mban në pronësi, në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm, armën Pistoletë e markës BLOË F92 me gas, e prodhimit të panjohur, cal. 9mm dhe me të shtinë në ajër disa herë gjatë një ahengu familjar, të cilën armë ia konfiskojnë Policia e Kosovës, së bashku me dy karikator, pasi kishin siguruar një video të postuar në rrjetin social “Instagram” ku i dyshuari shihet duke shtënë me të njëjtën.

Më këto, ata akuzohen se kanë kryer veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Ndërsa edhe vetë reperi Gjiko ka postuar një InstaStory ku shihet së bashku me Valon Alinë dhe dy avokatët e tyre.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera