Lajme

Gjermania planifikon të ndalojë reklamimin e ushqimeve të pashëndetshme për fëmijët

Autori: Gazeta inFokus 23:55 | 28 February 2023

Ministri gjerman i Bujqësisë Cem Ozdemir bëri thirrje për ndalimin e të gjitha reklamave ushqimore që nuk janë të shëndetshme për fëmijët.

Propozimi i ministrit ka të bëjë me ëmbëlsirat, ushqimet me përmbajtje të lartë kripe, sheqeri apo yndyre. Konsumimi i këtyre ushqimeve nga fëmijët lidhet me zhvillimin e obezitetit, diabetit apo sëmundjeve të tjera.

Reklamat përkatëse në TV, radio, YouTube dhe Instagram duhet të transmetohen vetëm ndërmjet orës 23:00 dhe 06:00.

-Advertisement-

Gjithashtu, do të ndalohen reklamat për ëmbëlsirat në postera pranë shkollave dhe qendrave të aktivitetit të fëmijëve.

Grupet e konsumatorëve, siç raportohet nga Guardian, po bëjnë thirrje të ndalohet vendosja e këtyre ushqimeve në vendet ku mund të shihen nga fëmijët. Këto produkte zakonisht vendosen pranë kasave në mënyrë që fëmijët t’i shohin dhe t’u luten prindërve t’u blejnë diçka përpara se të paguajnë.

Një në dy gjermanë, si dhe 15% e fëmijëve në vend, janë mbipeshë, sipas shkencëtarëve shëndetësorë në vend.

Ozdemir tha se do të kërkonte mbështetje ndërpartiake për planin, megjithëse ai pret të përballet me rezistencë. Plani u përfshi në marrëveshjen për formimin e qeverisë së koalicionit nga socialdemokratët, të gjelbërt dhe FDP.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Vetëm edhe 4 ditë nga Bootcamp me Alan Greenberg, ish-Drejtorin për Edukim në Apple, Apliko Tani

Të tjera