Lajme

Gjermani, “Samiti i Dieselit” për të diskutuar ndotjen nga automjetet

Autori: Gazeta inFokus 13:05 | 02 August 2017

Ministrat dhe shefat ekzekutivë gjermanë të prodhuesve të automjeteve pritet të takohen këtë të mërkurë për të diskutuar dhe rakorduar mënyrat sesi të luftohet ndotja e brendshme e qyteteve, ku pritet edhe një përpjekje për të ndaluar përdorimin e makinave me naftë, me synimin për të ringritur reputacionin e dëmtuar të industrisë së automjeteve në Gjermani

Që kur Volkswageni pranoi se kishte mashtruar me testet amerikane kundër emetimeve në shtator të vitit 2015, qeveria e Kancelares Angela Merkel është vënë nën presion se nuk ka bërë mjaftueshëm për të luftuar ndotjen nga automjetet, e për faktin se qëndron shumë pranë prodhuesve të fuqishëm të makinave.

Çështja është bërë një temë qendrore e fushatës përpara zgjedhjeve kombëtare të muajit të ardhshëm, ndaj qeveria është e vendosur të tregojë se po ndërmerr veprime, në një kohë kur grupet ambientaliste po korrin sukses nëpër gjykata për t’i detyruar qytetet më të mëdha të ndalojnë automjetet me naftë.

-Advertisement-

Por ministrat janë të kujdesshëm në këtë pikë, pasi mund të dëmtojnë një industri që është eksportuesja më e madhe e vendit dhe ofron të paktën 800 mijë vende pune.

“Ne kemi ende nevojë për një industri të fortë makinash. Duam që prodhuesit tanë të vazhdojnë të jenë të suksesshëm në botë dhe të vijojnë me prodhimin e automjeteve më të mira”, tha Armin Laschet, kryeministër i rajonit North-Rhine Westphalia, baza e shumë fabrikave të automjeteve.

“Ne nuk duhet ta zhdukim naftën, por duhet gjithashtu të bëjmë edhe një lëvizje drejt epokës elektrike”, shtoi ai.

Britania dhe Franca kanë njoftuar planet e tyre për të ndaluar të gjitha automjetet me naftë, ndërsa prodhuesit kryesorë gjermanë të makinave, si BMW, Daimler, Audi, Porsche dhe Volskwagen po hetohen nga rregullatorët europianë për atë që dyshohet si marrëveshje antikonkurrencë.

Një sondazh i publikuar të mërkurën nga “Die Welt” tregoi se 73 për qind e gjermanëve duan që politikanët të ndërmarrin linja më të ashpra ndaj industrisë së automjeteve sa i përket ndotjes së ajrit.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Ku mos mu HUTU me BLACK FRIDAY Artmotion
-Advertisement-

Të tjera