Lajme

Gjendja e sigurisë në Podujevë e qetë dhe stabile

Autori: Gazeta inFokus 14:32 | 20 June 2017

Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi, në takimin e sotëm, e cilësoi të qetë dhe stabile gjendjen e sigurisë në Komunën e Podujevës si dhe e vlerësoi pozitivisht mbarëvajtjen e fushatës dhe procesit zgjedhor në zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit.

Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) i Komunës së Podujevës, në mbledhjen e kryesuar nga kryetari i Komunës, Agim Veliu, ka shqyrtuar raportin e Policisë së Kosovës dhe KFOR-it për gjendjen e sigurisë në Komunë; informatën për aktivitetet e Policisë për parandalimin e të shtënave me armë në dasma, ahengje dhe manifestime tjera publike; informatën nga Drejtoria e shërbimeve publike Mbrojtjes dhe shpëtimit për projektet që ndikojnë në sigurinë e qytetarëve.

Lidhur me gjendjen e sigurisë gjatë dy muajve të fundit raportoi komandanti i Stacionit Policor në Podujevë, kapiteni Bekim Bislimi, e cili tha se gjendja e sigurisë në Komunën e Podujevës është e qetë dhe stabile.

-Advertisement-

Komandanti i Bislimi tha se brenda periudhës raportuese policia ka zhvilluar aktivitete dhe plane operative që kanë pasur të bëjnë me përmbylljen e vitit shkollor, mbrëmjet e maturës dhe semimaturës, mbarëvajtjen e fushatës dhe vetë procesit zgjedhor në zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit.

“Të gjitha këto aktivitete janë zhvilluar dhe kanë përfunduar pa ndonjë incident”, tha komandanti Bislimi.

Si shqetësim kapiteni Bislimi përmendi përfshirjen e adoleshentëve në lojën e rrezikshme virtuale “Balena e kaltër”, për çka tha se bashkë me Drejtorinë e Arsimit kanë ndërmarrë fushatë vetëdijësuese për nxënësit nëpër shkolla.

Gjendjen e sigurisë e kanë vlerësuar të qetë dhe stabile edhe përfaqësuesit e KFOR-it dhe FSK-së.

Lidhur me raportin e përfaqësuesve të organeve të sigurisë, kryetari Veliu, tha se është shumë i kënaqur që në Komunën e Podujevës kemi një gjendje të mirë të sigurisë.
Kryetari Veliu përgëzoi Policinë e Kosovës për punën dhe angazhimin e bërë gjatë gjithë kësaj periudhe, kur në Komunën e Podujevës kishte aktivitete të ndryshme, përfshirë këtu fushatën dhe vetë procesin zgjedhor.

“Përgëzoj pjesëmarrësit në proces zgjedhor, subjektet politike, por edhe qytetarët, për mbarëvajtjen e fushatës dhe vetë procesit zgjedhor, i cili u zhvillua pa asnjë incident”, tha kryetari Veliu.

Komandanti i Policisë ka raportuar edhe për aktivitetet e Policisë për parandalimin e të shtënave me armë në dasma, ahengje dhe manifestime tjera publike. Ai tha ka një plan operativ për vetëdijesimin dhe parandalimin e kësaj dukurie.

Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike Mbrojtjes dhe Shpëtimit, Faik Muçiqi, raportoi për projektet që ndikojnë në sigurinë e qytetarëve.

Në këtë aspekt drejtori Muçiqi përmendi projektet që janë duke u realizuar në ndërtimin e trotuareve në segmentet rrugore afër shkolla, duke thënë se deri tash janë ndërtuar mbi 13 km trotuare me kubëza.

Ai tha se është duke u mirëmbajtur ndriçimi publik në qytet si dje janë në fazën e realizmit projekt për zgjerimin e rrjetit të ndriçimit. Ndërsa, janë duke  vazhduar projektet në zgjerimin e shtratit të lumenjve, ndërtimi i urave. Kurse tashmë janë kryer të gjitha procedurat për shenjëzimet horizontale dhe vertikale në rrugë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
E PREMTJA E BARDHË NË ETC ME ZBRITJE DERI 50%
-Advertisement-

Të tjera