Lajme

Gjatë këtij viti synohet funksionalizimi i shërbimit për fekondim artificial

Autori: Gazeta inFokus 10:33 | 22 February 2021

Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK), synon që brenda këtij viti të funksionalizojë shërbimin për fekondim artificial. Këtë e ka bërë të ditur drejtori i SHSKUK-së, Valbon Krasniqi.

Ai ka thënë se për ofrimin e këtij shërbimi tashmë kanë filluar punimet për adaptimin e këtyre hapësirave. Krasniqi ka folur edhe për planet e tij në krye të SHSKUK-së, ku ka thënë se synim është ngritja e disiplinës, transparenca e llogaridhënia.

“Një nga pikat e mia të udhëheqjes në këtë mandat është ngritja e disiplinës në punë transparenca dhe llogaridhënia. Pra të gjithë të punësuarit në njësinë përbërëse të SHSKUK-së duhet të respektojnë orarin e punës, të ngrisin llogaridhënien dhe transparencën në raport me qytetarët, por edhe me mediet. Po ashtu kemi filluar punimet për adaptimin e hapësirave për futjen e shërbimit për fekondim artificial dhe brenda këtij viti kemi planin që ta funksionalizojmë këtë shërbim në kuadër të QKUK-së. Është diçka që bëhet në baza të rregullta ditore dhe baza individuale”, ka thënë ai.

-Advertisement-

Krasniqi ka folur edhe për largimin e ish-drejtoreshës së Klinikës Infektive Lindita Ajazaj-Berisha, që sipas tij, ajo në letrën e saj ka përmendur arsyet e saj personale të largimit, duke shtuar se është në kërkim të zëvendësuesit të ri.

“Në letrën që na ka ofruar ka përmendur arsyet personale të dorëheqjes dhe unë jam në kërkim të zëvendësuesit të ri, që do ta drejtojë Klinikën Infektive. Ende nuk kam marrë vendim se a është drejtoreshë në dorëheqje”, shtoi ai. Krasniqi ka thënë se objekti i Mjekësisë Sportive tani është funksional dhe janë në dispozicion 101 shtretër.

“Objekti i Mjekësisë Sportive tanimë është funksional dhe kemi në dispozicion 101 shtretër. Që të gjithë janë të lidhur në sistemin qendror të oksigjenit dhe ka kushte jashtëzakonisht të mira për trajtimin e pacientëve”, shtoi Krasniqi.

Sipas tij, shumica e shërbimeve nuk janë ndalur gjatë kohës së pandemisë duke përfshirë klinikat: Radiologjike, Gjinekologjikë, Shërbimet për pacientët e sëmurë me kancer, shërbimet në Klinikën e Pediatrisë.

“Ne kemi rikthyer këto shërbime që nga 5 janari i këtij viti. Ne kemi rikthyer vizita specialistike në të gjitha ambulancat specialistike përfshirë edhe në QKUK dhe spitalet e përgjithshme dhe po ashtu kemi bërë kthimin gradual të shërbimeve kirurgjike të ashtuquajturat rastet e ftohta. Pra janë rikthyer në tërësi të gjitha shërbimet, të cilat kanë qenë të pezulluara gjatë kohës së pandemisë”.

“Por shumica e shërbimeve nuk janë ndalur përfshirë ato radiologjike, gjinekologjikë, shërbimet për pacientët e sëmurë me kancer, shërbimet në Klinikën e Pediatrisë nuk kanë qenë të ndalura gjatë kohës së pandemisë”, shtoi Krasniqi.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera