Lajme

Gjashtë muaj ankth për të dyshuarit nga Specialja

Autori: Gazeta inFokus 10:34 | 28 April 2020

Kur e gjithë vëmendja është kthyer te Ushtria Çlirimtare e Kosovës, pas deklaratave të Shkëlzen Gashit, ish-këshilltarit të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti për krimet e kryera ndaj serbëve në Kosovë, si për qudi nga Gjykata Speciale ka ardhur një lajm i keq.

Ky institucion ka bërë të ditur se tashmë një aktakuzë e re është bërë gati nga Specialja, përmbajtja e së cilës është konfidenciale.

Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi për shtyp të Dhomave të Specializuara të Kosovës.

-Advertisement-

“Në pajtim me Ligjin dhe Rregulloren e Caktimit të Gjykatësve, Kryetarja e ka caktuar një gjykatës të procedurës paraprake për shqyrtimin e aktakuzës së re të paraqitur nga Prokurori i Specializuar. Përmbajtja e aktakuzës është konfidenciale, përveçse kur konfirmohet dhe deri sa të konfirmohet nga gjykatësi i procedurës paraprake”, shkruan në njoftim.

Por kjo nuk është aktakuza e parë që po shqyrtohet nga Specialja.

Në shkurt të këtij viti, është caktuar një gjykatës i procedurës paraprake, i cili pati pranuar  aktakuzat e para për krimet e supozuara në Kosovë.

Në bazë të ligjit në fuqi, gjykatësi i procedurës paraprake ka maksimum gjashtë muaj për të shqyrtuar provat që mbështesin aktakuzën për të vendosur nëse ekziston një dyshim i bazuar mirë kundër të dyshuarit dhe për të konfirmuar ose hedhur poshtë aktakuzën.

Gjykata Speciale u krijua në bazë të një ligji të miratuar në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës – nën presionin e aleatëve perëndimorë të Kosovës – për të gjykuar krimet e kryera nga anëtarët e UÇK-së gjatë dhe menjëherë pas luftës së viteve 1998-1999.

Gjykata, e cila është me vendndodhje në Holandë, por pjesë e sistemit të drejtësisë së Kosovës, u krijua nga akuzat e bëra në një raport nga raportuesi i Këshillit të Europës, Dick Marty, në vitin 2010.

Një task forcë e BE-së më pas shqyrtoi pretendimet e Marty dhe arriti në përfundimin se kishte prova të mjaftueshme për gjykime për vepra penale si vrasje, rrëmbime, ndalime të paligjshme dhe dhunë seksuale.

Bazuar në ligjin e miratuar nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2015, mandati i gjykatës duhet të vazhdojë derisa Kosova të njoftohet nga Këshilli i Bashkimit Europian që hetimet kanë përfunduar dhe se çdo procedurë është e plotë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera