Lajme

Gjasa minimale që të ketë zgjedhje këtë vit

Autori: Gazeta inFokus 10:55 | 13 October 2018

Vetëm tre muaj pasi kryeministri Ramush Haradinaj kishte marrë detyrën si shef i Qeverisë së Kosovës, në dhjetor të vitit të shkuar, përfaqësues të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) kishin nisur ta përmendnin ngritjen e mocionit për rrëzimin e ekzekutivit.

Ndonëse tashmë kanë kaluar 10 muaj që nga atëherë, partia më e madhe opozitare nuk ka bërë ende asnjë hap konkret që do të çonte drejt rrëzimit të Qeverisë, rrjedhimisht çuarjen e vendit drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, shkruan “Zëri”.

Megjithatë, zyrtarë të këtij subjekti po vazhdojnë të zotohen se shumë shpejt do t’i japin fund Qeverisë aktuale. Në anën tjetër, edhe pjesa tjetër e opozitës tashmë është deklaruar në mbështetje të një mocioni të mundshëm për rrëzimin e Qeverisë, porse problem në këtë drejtim po vazhdojnë të mbesin numrat.

-Advertisement-

Sipas matematikave të deritanishme, opozitës i nevojiten edhe katër deputetë për ta arritur shifrën 61, me anë të së cilës do të realizohej votimi i mocionit për rrëzim të Qeverisë. Në anën tjetër, njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se gjasat janë minimale që këtë vit të ketë zgjedhje të parakohshme nacionale.Politologu Ramush Tahiri ka vlerësuar se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme, porse sipas tij gjasat që të ketë zgjedhje gjatë këtij viti janë minimale.

“Qeveria nuk po e ka shumicën e votave në Kuvend, por njëkohësisht as opozita nuk po e ka shumicën e votave për ta rrëzuar Qeverinë. LDK-ja ka marrë një iniciativë dhe ka mbledhur votat e nevojshme për ta proceduar rrëzimin e Qeverisë, por nuk po e procedon pa i pasur me shkrim 61 vota”, ka thënë ai për “Zërin”.

Tahiri më tej ka thënë se ekzistojnë disa arsye se pse nuk ka vullnet për rrëzim të Qeverisë.

“Së pari, deputetët që janë aktualisht nuk e kanë mandatin tjetër të sigurt. Ata caktohen nga struktura partiake dhe ata nuk po e dinë nëse do të hyjnë edhe një herë kandidatë për deputetë ose jo. Arsyeja tjetër është se partitë nuk i kanë rregulluar fraksionet e brendshme”, ka theksuar ai.

Pos këtyre, sipas tij, as bashkësia ndërkombëtare nuk dëshiron që të ketë zgjedhje në këtë kohë.

“Faktori ndërkombëtar nuk po do që të ketë zgjedhje, sepse i frikësohet destabilizimit dhe po do që të kryhet marrëveshja me Serbinë dhe ta shfrytëzojë këtë garniturë, që mund të bëjë kompromise të dhimbshme, siç po thuhet”, ka shtuar ai.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera