“Golden Eagle” e Shaqir Palushit vjedhë ujin e Kosovës me ndihmë të Naser Hafizit
Autori: Gazeta inFokus 14:13 | 15 October 2024
Pas një vizite në terren te kompania “Frutex/Golden Eagle” në Suharekë dhe një takimi në ministri, zyrtarja e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës i kishte dërguar e-mail Naser Hafizit, me 9 nëntor 2022, se meqë kompania ka vepruar jashtë lejes ujore dhe e ka ndërruar burimin e ujit ilegalisht dhe pa njoftim sipas ligjit, atëherë duhet të formohet një komision për vizitë te kjo kompani.
Hafizi, përkundër se i njoftuar nga zyrtarja e vetë ministrisë për shkeljet e mëdha ligjore të kompanisë për (ndërrim burimi, rritje shpenzimi të ujit jashtëligjshëm dhe veprim jashtë lejes ujore) ishte shprehur kundërshtues me zyrtaren.
Ai kishte kthyer më pas një e-mail jashtë orarit të punës, në orën 8:59 minuta të mbrëmjes duke i kërkuar llogari zyrtares se me çfarë baze ligjore po dëshiron t’i dërgojë kësaj kompanie komision.
Hafizi në cilësinë e ushtruesit të detyrës së Udhëheqësit të Autoritetit të Rajonit të Pellgjeve Lumore në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, që aktualisht është në paraburgim për shlyerje ilegale të borxhit kompanive të ambalazhuesve të ujit në Kosovë, më vonë edhe e kishte detyruar zyrtaren që të lëshojë leje për këtë kompani në kundërshtim me ligjin.
Derisa përfundimisht zyrtarët që kishin konstatuar shkeljet e kompanisë “Frutex” i kishte dërguar në komision disiplinor.
Siç tregon e-maili i siguruar nga Albanian Post, zyrtarja e ministrisë i dërgon e-mail kompanisë Frutex dhe Hafizit ku thotë se “meqenëse ju keni vepruar jashtë lejes ujore dhe nuk na keni informuar për rritje të prodhimit (shpenzimit të ujit) si dhe ndërrim të burimit, ne: Jemi në pritje të formimit të një komisioni ku do të vizitojmë kompanitë për incizim të gjendjes faktike, pra do ta vizitojmë edhe ndërmarrjen tuaj”.
Në këtë e-mail, rreth pesë orë pas përfundimit të orarit të punës përgjigjet Naser Hafizi, i cili shkruan se kërkon “informatë më të detajuar” se kur është iniciuar komisioni dhe cila është “baza ligjore”.
Ai shkruante kështu, edhe pse e dinte se ligji e përcaktonte qartësisht me Nenin 72 për Leje Ujore, paragrafi 8 se “Bartësi i të drejtës ujore, detyrohet t’a informojë lëshuesin e lejës, në rast të ndryshimit në veprim, teknologji dhe shfrytëzim të ujit apo në raste tjera, kur mund të kenë ndikim të rëndësishëm në regjimin ujor”.
Përkundër kësaj dhe përkundër se Hafizi e kishte parë raportin nga terreni ku zyrtarët konstatonin se kanë gjetur burim të pa lajmëruar të kësaj kompanie, i cili ishte hapur ilegalisht rreth një kilometër larg fabrikës ku prodhoheshin pijet, atij aq i bën.
Në të njëjtën ditë dhe përafërsisht në të njëjtën orë, Hafizi dërgon edhe një e-mail tjetër ku tash pyet kompaninë Frutex se çfarë ka ndodhur në takimin që kishin pasur zyrtarët e ministrisë me përfaqësuesit e kompanisë “Frutex”.
Duke mos ju besuar zyrtarëve të tij, ai kërkon ta di versionin nga operatori, madje duke e quajtur atë si versioni “i vërtetë”.
“Në bazë të e-mailit nga zyrtarja përgjegjëse duket se nuk ka shkuar më së miri takimi juaj sot. Në mungesë timen si udhëheqës do të më interesonte versioni i vërtetë i ecurisë së takimit”, shkruan Hafizi.
Por, Hafizi nuk e lë me kaq, vetëm dy ditë më vonë, ai i dërgon në komision disiplinor zyrtarët që i kishin gjetur shkeljet e kompanisë “Frutex” dhe pamundëson formimin e komisionit që do ta vizitonte kompaninë për inspektim të detajuar.
Nga dokumenti që ka siguruar Albanian Post, Hafizi formon komision disiplinor duke thënë se zyrtaret në fjalë duhet të dënohen për “mos përmbushje të detyrës së punës”, “mos-respektim i afateve të caktuara në përmbushjen e detyrave, të cilat kanë sjellë pasoja të rënda” dhe “shkelje e përsëritur e rregullave të kodit të etikës në shërbimin civil”.
Derisa zyrtaren tjetër Hafizi e akuzon edhe për gjëra të tjera.
Përfundimisht, dy zyrtaret ia kishin fituar rastin Hafizit, meqë i njëjti s’kishte prova për pretendimet e tij.
Më vonë, nga dosja e Prokurorisë Speciale, pas arrestimit të Hafizit dhe dërgimit në paraburgim, do të kuptohej se Hafizi kishte bërë presion ndaj Zyrtares së Lartë për të Drejtën Ujore duke ushtruar ndikim që “me çdo kusht të lëshohet apo vazhdohet leja”, për kompaninë Frutex, por edhe për kompani të tjera si Fluidi e Frutti.
Albanian Post ka siguruar edhe një raport të ministrisë për vizitë në kompaninë Frutex.
Aty, pos tjerash thuhet se gjatë vizitës “pala nuk kishte prezantuar raportin me orëmatës”, që është obligim ligjor.
Në këtë vizitë, siç dëshmon raporti, ishte gjetur një rezervar i ujit “i ndërtuar në kodër afërsisht 1 kilometër, fare afër rezervarit për furnizim me ujë publik”.
Zyrtarët konstatojnë, ndryshe sa ishte pretendimi i përfaqësuesve të kompanisë se, “pusi kishte dy pompa dhe se fabrika e prodhimit dhe ambalazhimit të pijeve po u furnizoka nga ky pus”.
Më pas, raporti flet edhe për një situatë krejtësisht të çuditshme, kur zyrtarët e ministri kishin kërkuar që “edhe njëherë të vizitohet Pusi në kuadër të fabrikës por përfaqësuesit e ‘Frutex’-it nuk e gjenin”.
Në fund të raportit thuhet se “Pala duhet sjellur planin e situacionit me të gjitha burimet dhe infrastrukturën ujore që është duke e shfrytëzuar, duke specifikuar shfrytëzimin për destinimet e caktuara, të kërkohen lejet e shfrytëzimit sipas procedurave për leje ujore sipas specifikave dhe të vendos –instalon, njehsorët sipas së cilëve duhet raportuar shfrytëzimi i ujit për lejen ujore përkatëse, përndryshe pala do te ngarkohet sipas dokumentacionit Tekniko-Investiv”.
Albanian Post kishte filluar raportimin rreth shkeljeve ligjore në rastin e shlyerjes së borxheve për ambalazhuesit e ujit në prill të këtij viti.
Aty ishte zbërthyer një pjesë e skemës, ku Naser Hafizi kishte prodhuar procedura jo ligjore për të shlyerjen e borxheve milionëshe me shifra simbolike.
Ai më pas u arrestua me 10 tetor dhe iu caktua masa e paraburgimit prej 30 ditësh.
Sipas dosjes së Prokurorisë Speciale, Hafizi ngarkohet me veprat penale të “keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”, “shpëlarje e parave” si dhe “mos raportim ose raportim i rremë i pasurisë, të ardhurave, dhuratave dhe i dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare”.
Nga hetimi i Prokurorisë, deri më tani ka rezultuar se Hafizi vetëm në 11 muajt e fundit ka blerë 4 banesa dhe patundshmëri të tjera, derisa vetëm në muajin shkurt të këtij viti ka qarkulluar 395 mijë euro në xhirollogarinë e tij dhe në periudha të ndryshme ka deponuar 109 mijë euro përmes bankomatit, derisa pagën mujore e ka vetëm 732 euro.
Për këtë rast, përveç Naser Hafizit, është arrestuar edhe sekretari i Ministrisë, Izedin Bytyqi.
Të tjera
-
Osmani merr konfirmimin: Lituania vazhdon ta mbështesë fuqizimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës
Presidentja Vjosa Osmani, është takuar në Budapest me homologun e saj të Litu...
-
Gërvalla i reagon Çitakut për fushatën e Kurtit nëpër ambasada: Për vite të tëra degraduat diplomacinë, përçatë dhe përbuzët diasporën
Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, takimin me mërgimtarë në Norv...
-
Abdixhiku zbulon emrat për deputetë nga Peja: Po i japim vendit listën më të fuqishme që ka pasur ndonjëherë
Kryetari i LDK-së dhe kandidati për kryeministër nga kjo parti ka bërë të...
-
Osmani takohet me Orpon, flasin për rrugëtimin euroatlantik të Kosovës
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në Budapest zhvilloi takim edhe me kryemi...
-
Gërvalla në Forumin për Demokraci: Solidariteti dhe mbështetja mes demokracive, thelbësore për triumfin mbi autokracitë
“Besimi në demokraci, solidariteti mes demokratëve dhe një qasje e qartë për ...
-
Lëvizte i ạrmatosur, arrestohet një 40-vjeçar në Tiranë
Është arrestuar një person i moshës 40-vjeçare në Tiranë. Dyshohet se ai ...
-
Gazmend Muhaxheri kandidat i LDK-së për deputet të Kuvendit
Disa nga kryetarët e komunave me të cilat udhëheq Lidhja Demokratike e Kosovë...
-
Bedri Hamza nominon afaristin nga diaspora Isak Nezirin kandidat për deputet
Binznesmeni i njohur nga diapsora Isak Neziri, do të jetë kandidat për depute...
-
Princi serb e telefonon Trumpin, i kërkon ta çnjohë Kosovën
Princi serb Filip Karagjorgjeviq thuhet se e ka telefonuar presidentin e sapo...
-
Hamza në Munich: Afër 250 studentë që janë pjesë e universiteteve më të mira në Gjermani iu bashkuan ekipit tim
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka njoftuar se rreth 250 st...
-
Dollia shqiptare në UNESCO?
Kushedi se sa dolli janë ngritur për të, e sa ka ngritur vetë ai për miq të d...
-
UBS: Pagat zvicerane ka gjasa të rriten në vitin 2025
Rritja e pagave dhe rënia e inflacionit ka të ngjarë të rrisin fuqinë blerëse...