Lajme

Gërvalla: Sot Kosova qëndron partner i palëkundur i ShBA-së në luftën kundër terrorizmit

Autori: Gazeta inFokus 12:50 | 11 September 2022

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka thënë se më 11 shtator 2001, nuk u sulmuan vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por e tërë bota e lirë dhe demokratike.

“Terroristët nuk goditën vetëm dy Kullat Binjake dhe Pentagonin, por sulmuan shpirtin dhe vlerat themelore njerëzore të popullit amerikan dhe të gjithë atyre shteteve dhe popujve, të cilat ndajnë të njëjtat vlera. Këto vlera Republika e Kosovës, atëherë dhe sot, i ndan me aleatin e saj më të rëndësishëm, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vazhdon t’i mbrojë dhe kultivojë me ngulm”, ka shkruar Gërvalla në Facebook.

Ajo tha se Kosova qëndron si partner i palëkundur i ShBA-së në luftën kundër terrorizmit.

-Advertisement-

“Sot Republika e Kosovës, shtet i pavarur dhe sovran, qëndron partner i palëkundur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në luftën e përbashkët kundër terrorizmit. Qoftë e bekuar gjithmonë miqësia jonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës!”, ka shtuar ajo.

Ajo tha se në këtë 21-vjetor përkulet para mijëra jetëve të humbura nga sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 dhe shpirtin e pamposhtur e liridashës të popullit amerikan.

Në një ditë si kjo, Gërvalla tha se kujton edhe kontributin e ShBA-së për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, për ndaljen e gjenocidit dhe krimeve serbe në Kosovë.

“I jemi përjetësisht mirënjohës popullit amerikan”, ka shtuar ajo.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova dhe Komiteti Olimpik i Kosovës nënshkruajnë vazhdimin e marrëveshjes së sponsorizimit për periudhë 10-vjeçare
-Advertisement-

Të tjera