Lajme

Gërvalla për largimin e Kicës: Nëse ajo mendon se diku tjetër e gjen më mirë, i uroj udhë të mbarë

Autori: Gazeta inFokus 21:32 | 11 September 2022

Kryetarja e Listës Guxo, Donika Gërvalla, e cila sot ka marrë pjesë në Kuvendin Konstitues të kësaj partie në Podujevë, ka folur për herë të parë pas largimit të deputetes Doarsa Kica.
Zonja Gërvalla ka thënë se Doarsa Kica është një deputete e cila ka marrë votat në kuadër të Listës Guxo.

Sipas saj, nuk mjafton vetëm inteligjenca, nuk mjafton vetëm ambicia, por duhet edhe qëndrueshmëria.

“Doarsa Kica është një deputete e cila ka marrë votat në kuadër të Listës Guxo. Është shumë e vërtetë që si Presidentja Osmani, ashtu edhe unë personalisht deputeten Doarsa Kica e kemi identifikuar si një person inteligjent. Në bazë të deklaratave të saj në të kaluarën Doarsa Kica kishte lënë të nënkuptonte që ajo çfarë ajo kërkon në politikë përputhet me atë çfarë mund të ofrojë Lista jonë. Zonja Kica është e rritur, është nënë. Duhet të dijë vet vendimet që i merr. Unë një gjë mund të them, e tha edhe kryetari i sapo zgjedhur i Listës Guxo në Llap, e ardhmja u takon atyre që guxojnë. Nuk mjafton vetëm inteligjenca, nuk mjafton vetëm ambicia, por duhet edhe qëndrueshmëria. Presidentja Osmani ka treguar deri sot ndoshta më qartë se gjithkush tjetër në Kosovë, që nuk mjafton vetëm të duash, por duhet edhe të tregosh që qëndron besnik të gjitha premtimeve dhe qëndrimeve të tua, parimeve të tua”,tha Gërvalla për raporto24.

-Advertisement-

Ajo theksoi se nëse zonja Kica mendon se diku tjetër e gjen më mirë, i uron punë të mbarë.

“Nëse zonja Kica mendon se diku tjetër e gjen më mirë, unë i uroj punë të mbarë dhe udhë të mbarë, por unë shumë besoj që partia Guxo jo vetëm sot, por edhe në të ardhmen me opsionin e saj, me ofertën e saj politike do të arrijë të bashkoj shumë të rinj, shumë të reja, shumë profesionistë të fushave të ndryshme dhe do të dëshmojë që kthesa e vërtetë në Kosovë, ndodh me partinë Guxo”, shtoi ajo.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera