Lajme

Gërvalla në Tiranë: Serbia duhet ta pranoj të vërtetën për krimet e kryera në të kaluarën

Autori: Gazeta inFokus 08:56 | 19 October 2021

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, në kuadër të vizitës zyrtare në Shqipëri, mori pjesë në Forumin e Politikës së Jashtme të organizuar nga Institutit Shqiptar për Studime Ndërkombëtare, me temë “Politika e Jashtme e Kosovës”.

Para një audience me përfaqësues diplomatik, institucional, të shoqërisë civile e  mediave, ajo shpalosi prioritetet e politikës së jashtme të Kosovës duke u fokusuar në përparësitë, sfidat dhe reformat që po e përcjellin sektorin e diplomacisë ndër vite.

Ajo ka shpjeguar se Qeveria e re e Kosovës krahas përkushtimit për forcim të shtetit ligjor, zhvillimit ekonomik, barazisë dhe mirëqenies për qytetarët e Kosovës, është shumë e fokusuar në forcim të subjektivitetit të vet ndërkombëtar përmes integrimit e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, përmirësimit të shërbimit të jashtëm, strategjisë së lobimit për njohje të reja dhe promovimit diplomatik, kulturor dhe ekonomik.

-Advertisement-

“Politika jonë e jashtme bazohet në parimet e bashkëpunimit dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore, duke i kontribuuar paqes dhe sigurisë në rajon dhe më gjerë. Në këtë frymë Republika e Kosovës ka rifilluar edhe bisedimet me Serbinë me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve dhe arritjen e njohjes reciproke”, ka thënë ajo.

Tutje ka shpjeguar qëndrimet dhe parimet e palës kosovare në këtë dialog i cili ka thënë se duhet të jetë i drejtë dhe i barabartë.

Gërvalla ka thënë se Serbia duhet ta pranoj realitetin e Kosovës së pavarur dhe po ashtu të pranoj të vërtetën për krimet e kryera në të kaluarën.

“Njëkohësisht dialogu duhet të trajtojë palët si të barabarta në tryezën e diskutimit. Zgjidhjet që ofrohen nga ky dialog duhet të jenë reale, të dobishme dhe të nevojshme për qytetarët tanë”, ka nënvizuar ajo.

Krahas çështjes së dialogut, Kosova si shtet i ri, ka thënë se ka një sërë detyrash me të cilat po merret për të përmbushur agjendën evropiane dhe për të forcuar subjektivitetin e vet ndërkombëtar./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita Home dhe Prince Caffe: Sponsor të përgjithshëm të Sunny Hill Festival
-Advertisement-

Të tjera