Opinione

Genc Prelvukaj kritikon ashpër qeverinë: “Mashtruesit më të mëdhenj që ka parë shoqëria jonë”

Autori: Gazeta inFokus 17:19 | 21 June 2025

Artisti Genc Prelvukaj ka reaguar ashpër ndaj gjendjes aktuale politike në vend, duke adresuar një sërë kritikash të drejtpërdrejta ndaj pushtetit dhe elitës aktuale qeverisëse.

Në një postim në rrjetet sociale, Prelvukaj flet për “dështimet sistematike”, “paaftësinë e udhëheqësve” dhe “dëmin afatgjatë që po i shkaktohet shtetit dhe brezave të rinj”.

Ai shkruan se këta drejtues me arsimim minimal nuk kanë asnjë ndjeshmëri ndaj realitetit të qytetarëve dhe halleve të përditshme, duke shtuar se “ky në të majtë nuk merr vesh nga hallet e punëtorëve sepse nuk ka punuar kurrë”. Prelvukaj vlerëson se qasja e tyre ndaj ekonomisë është dëmtuese, pasi “asnjë kompani serioze nuk investon në Kosovë kur sulmohen operatorët vendorë nga vetë pushteti”.

-Advertisement-

Ai e cilëson qeverinë aktuale si kokëfortë dhe joserioze, duke theksuar se “turpërojnë shtetin 35 herë, duke e futur në rubrikat e humorit në mediat ndërkombëtare”, ndërsa njëkohësisht, sipas tij, u shkojnë për shtati narrativave serbe që synojnë të delegjitimojnë aftësinë e shqiptarëve për shtetformim.

Prelvukaj shprehet i zhgënjyer edhe për mënyrën se si është trajtuar ideja e bashkimit kombëtar, duke akuzuar pushtetin për banalizim dhe hipokrizi: “Në opozitë abuzuan me idenë e bashkimit kombëtar, ndërsa në pushtet e varrosën.”

Ai flet për një mungesë totale të formimit politik dhe intelektual, duke përmendur disa emra konkretë si Gërvalla, Bahtiri, Peci, Haxhiu, Bislimi dhe Murati, për të cilët thotë se “nuk kanë formim adekuat dhe përfaqësojnë dështimin e një sistemi që nuk di të vlerësojë as zotësinë, as paditurinë”.

Në përfundim, Prelvukaj paralajmëron se pasojat e kësaj qeverisjeje nuk do të jenë vetëm momentale: “Turpin dhe dëmet që do t’i lënë shtetit e shoqërisë do t’i vuajë secili fëmijë i lindur nesër.”

Postimi i plotë:

Për këtë nivel, nuk ka rëndësi pse bota është në flakë dhe në çdo sekondë rrethanat mund të marrin për mbrapshtë.
Nuk merziten pse ua neverisin brezave të rinj shtetin dhe ua vrasin dashurinë për atdheun për inate personale. Adoleshentë që nuk rriten kurrë.
Këta njerëz me arsimim minimal, nuk merziten pse e kanë hedhur shtetin në humnerë, duke e rrënuar shkallazi çdo segment të tij.
Ky në të majtë nuk merr vesh nga hallet e punëtorëve sepse nuk ka punuar kurrë. Nuk ka asnjë grimcë zotësie për ta kuptuar se asnjë kompani serioze e jashtme nuk investon në Kosovë kur nga drejtuesit e shtetit sulmohen operatorët ekonomikë vendorë.
Kokëfortësia e tyre shkon deri në atë pikë sa që 35 herë e turpërojnë shtetin, duke e futur në rubrikat e humorit në mediat ndërkombëtare. Duke i shkuar për shtati propagandës historike serbe që shqiptarët nuk kanë aftësi për të bërë e mbajtur shtet.
Në opozitë kanë abuzuar me idenë e bashkimit kombëtar, derisa me ardhjen në pushtet, ia kanë futur dy këmbët në dhe idesë duke e banalizuar tërësisht.
Sikurse etërit e tyre me yll të kuq, tek të helmuarit nga dogma e tyre kanë krijuar neveri ndaj shtetit shqiptar dhe në disa raste edhe ndaj vetë mjediseve politike që na ndihmuan dikur.
Këta akademikë në foto, duke përfshirë edhe disa tjerë të nivelit të përafërt, nuk kanë asnjë referencë intelektuale. Përfaqësohen në studio nga dy tre vetë të nivelit mediokër.
Në kërkim të krediteve historike që smund ti kenë kurrë, i bënë pikë e pesë shqiptarët në Maqedoni. Disa prej tyre më në fund i thirrën mendjës, duke pohuar se situata atje pas intervenimit të Kurtit është tejet e rëndë.
Kurrë nuk janë çliruar nga petku jugosllav, duke krijuar narrativë ndaj krerëve të luftës, sikurse bënë etërit e tyre ndaj Ballit, NDSH-së, apo LDP-së.
Këta njerëz nuk kanë aftësi për ta lexuar as zotësinë dhe as paditurinë tek individi. Për këtë arsye nga qindra njerëz të aftë që ka shoqëria shqiptare, i veshin me pushtet njerëz si Gërvalla, Bahtiri, Peci, Haxhiu, Bislimi apo Murati.
Pa formim adekuat, ky formacion nuk ka as konsistencë politike. Nuk kanë lënë asnjë parim pa e braktisur. Shoqëria jonë nuk ka parë mashtrues më të mëdhenj.
Për vite të tëra kanë lansuar informata të pasakta duke demonizuar shumë njerëz të ndershëm e patriotë. Me ardhjen në pushtet kanë vënë rekord korrupsioni e hajdutërie.
Njerëz si këta në foto, që ndajnë nivel e antivlera të përbashkëta, një ditë kanë për të ikur nga pushteti, por turpin dhe dëmët që do ti lënë shtetit e shoqërisë do ti vuajë secili fëmijë i lindur nesër.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita Home nis epokën e franshizës në Belgjikë
-Advertisement-

Të tjera