Lajme

Gazetat komentojnë fitoren e konservatorëve britanikë

Autori: Gazeta inFokus 20:34 | 13 December 2019

Shtypi ndërkombëtar theksoi sot ardhjen e një epoke të re për Britaninë e Madhe, pas fitores së pastër të konservatorëve të Boris Johnson-it në zgjedhjet parlamentare, ndërkohë që disa prej tyre parashikojnë një Brexit më pak të ashpër nga sa parashikohej dhe kanë pikëpyetje për të ardhmen e vendit, ndoshta, më pak premtuese nga sa e paraqesin mbrojtësit e Brexit.

“Fitorja e konservatorëve është një lehtësim i madh për Boris Johnson, por tani vjen sfida e ruajtjes së unitetit brenda Britanisë së Madhe”, shkruan gazeta holandeze “De Volkskrant”.

“Një fitore e madhe për Johnson, që tashmë e ka rrugën të hapur për të miratuar marrëveshjen e Brexit në parlament”, nënvizon e përditshmja daneze “Financieele Dagblad”.

-Advertisement-

“Më në fund nuk do t’i dëgjojmë më në Bruksel disa zyrtarë europianë apo eurokratë që të thonë se “Brexit nuk do të bëhet”, “Britanikët janë pragmatikë”, tha në Twitter korrespondenti i gazetës franceze “Liberation” në Bruksel, Jean Quatremer.

“Pra, Britania e Madhe do të largohet nga BE në fund të janarit. Ky është fillimi i një epoke të re, por kjo epokë e re duket se do të jetë shumë më pak premtuese për Britaninë e Madhe nga sa e paraqitën propaganduesit e daljes nga BE. Në një botë të shenjuar nga një konkurrencë e fortë gjeopolitike e fuqive të mëdha, veprimtaritë e izoluara jo gjithmonë sjellin shpërblime”, nënvizon e përditshmja e djathtë gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”.

“Me Boris Johnson, Brexit ka shanse të mira të jetë gjithçka përveçse i vështirë, sepse një kryeministër me një shumicë të madhe parlamentare ka hapësirë manovruese të mjaftueshme për të vendosur marrëdhënie të reja harmonike me BE-në”, vë në dukje gazeta konservatore gjermane “Die Welt”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera