Lajme

Gazeta izraelite shkruan për deklaratën e Gërvallës

Autori: Gazeta inFokus 10:40 | 01 April 2021

Gazeta izraelite në internet, “The Times of Israel”, ka raportuar për deklaratën e ministres së Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, se çështja e ambasadës në Jerusalem është punë e kryer.

Ministrja e Jashtme e Kosovës thotë se ajo vlerëson që hapja e ambasadës së vendit të saj në Jerusalem është “punë e kryer”.

Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, u pyet gjatë një interviste për trysninë që presidenti turk, Rexhep Erdogan, ka vënë mbi qeverinë e re të Kosovës për ta rishqyrtuar hapjen e ambasadës së vendit ballkanik në Jerusalem.

“Unë besoj se çështja e ambasadës sonë në Izrael është punë e kryer. Pse është punë e kryer? Sepse ne nuk mund të përfshihemi në aventura diplomatike për të rivlerësuar një çështje që tashmë ka përfunduar”, tha Gërvalla gjatë një interviste të martën në mbrëmje.

Gërvalla tha se Kosova dëshiron t’i forcojë lidhjet e veta me Izraelin, por gjithashtu dëshiron “miqësi të mirë, lidhje të mira me autoritetet palestineze.”

Kosova vendosi marrëdhënie diplomatike me Izraelin më 1 shkurt dhe më herët këtë muaj u bë shteti i parë evropian dhe shteti i parë me shumicë myslimane që hapi ambasadë në pjesën perëndimore të Jerusalemit.

Hapi erdhi pasi ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, mori pjesë në një samit në Shtëpinë e Bardhë me ish-presidentin amerikan, Donald Trump, dhe presidentin serb, Aleksander Vuçiq.

Shtetet e Bashkuara dhe Guatemala janë dy shtetet tjera të vetme me ambasada në Jerusalem. Palestinezët pretendojnë se Jerusalemi Lindor, i marrë nën kontroll nga Izraeli gjatë Luftës Gjashtëditore të vitit 1967 dhe më vonë i aneksuar, do të jetë kryeqytet i një shteti të ardhshëm. Shumica e shteteve i kanë ambasadat e tyre në Tel Aviv.

Erdogani kërkoi nga Kosova që ta rivlerësojë këtë çështje në një letër urimi që ia dërgoi kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, pas ardhjes në pushtet javën e kaluar. /Insajder/

Të tjera