Lajme

Gazeta gjermane FAZ shkruan për vrasjen e Ivanoviqit: Ky është komenti

Autori: Gazeta inFokus 20:41 | 16 January 2018

Gazeta gjermane, Frankfurter Allgemeine Zeitung, i ka bërë jehonë vrasjes së politikanit serb, Oliver Ivanoviq, në Mitrovicën e Veriut, nga autorë të paidentifikuar.

“Vdekje në bastionin e mafisë ballkanike”, është titulli i shkrimit të një prej gazetave më të respektuara në Gjermani.

FAZ shkruan se shumëkush mund ta ketë kryer vrasjen e serbit, i cili vetë kishte paralajmëruar mundësinë e një atentati ndaj tij në një prej intervistave të tij të fundit.

-Advertisement-

Gazeta gjermane e përshkruan Ivanoviqin si pragmatist, i cili përmbante zemërimin, kur të tjerët luanin me zjarrin e histerisë nacionaliste dhe të miteve. Ai fokusohej në gjetjen e një kompromisi dhe në bashkërendimin e interesave, në vend të konfliktit dhe kërkesave të mëdha, shkruan FAZ.

“Si politikan, Ivanoviq punonte edhe në Kosovë, edhe në Serbi. Për një kohë të gjatë ka përfaqësuar interesat e minoritetit serb si anëtar i Kuvendit të Kosovës, në Prishtinë. Më vonë, bëri të njëjtën gjë, për katër vjet, si sekretar i shtetit për Kosovën në Qeverinë e Serbisë”, tregon gazeta e Frankfurtit.

“Tani, ai është i vdekur, i vrarë nga autorë të panjohur, me mbështetës të panjohur”, raporton FAZ.

“Qeveria e Kosovës ka premtuar se do ta zbardhë rastin, por kjo tingëllon më shumë premtuese sesa është në të vërtetë”, vlerëson gazeta gjermane.

“Veriu i Mitrovicës, i banuar kryesisht nga serbët, ku Ivanoviq jetonte, dhe ku u vra para selisë së partisë së tij, është në hartën e Kosovës, por në të vërtetë qeveria në Prishtinë ka pak kontroll aty”, shkruan FAZ.

“Këtu është Serbi”, citon gazeta gjermane banorët e zonës në kufi me Serbinë.

FAZ shkruan se si gazetat në Serbi e në Kosovë kanë shkruar për autorët e mundshëm të vrasjes së politikanit serb – dhe thotë se ajo që është e sigurt është se Ivanoviq kishte shumë armiq, transmeton Gazeta Express.

Gazeta shkruan se serbi s’gëzonte simpati tek elita nacionaliste shqiptare në Prishtinë, teksa mbronte të drejtat e minoritetit serbë në Kosovë – as tek nacionalistët serbë, të cilëve s’iu vinte mirë kur ai fliste për realitetin e pavarësisë së Kosovës.

FAZ thekson se Ivanoviq kishte armiq edhe në nëntokën e zhvilluar të Mitrovicës, e fuqizuar dhe e pasuruar pas fundit të luftës në Kosovë më 1999, nëpërmjet kontrabandës dhe bizneseve të tjera të pista.

Është e rëndësishme, shkruan FAZ, për Kosovën, për Serbinë, dhe për serbët në Mitrovicë, që vrasja e Ivanoviqit të zbardhet. Por, gjasat, sipas gazetës, s’janë të mëdha.

“Mitrovica është vrima e zezë në sundimin e ligjit, e cila sot përpiu edhe një viktimë”, përfundon shkrimin gazeta gjermane.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera