Lajme

Gati 2 mijë nxënës e humbën vitin shkollor, mbi 9 mijë nuk e ndoqën mësimin ‘online’

Autori: Gazeta inFokus 21:16 | 01 May 2021

Mësimi i nxënësve nga distanca për shkak të pandemisë, për shumë prindër ka krijuar vështirësi.

Sipas Ministrisë së Arsimit, vitin e kaluar në proces mësimor nuk kanë qenë të përfshirë 9 mijë e 70 nxënës.

“Numri i nxënësve që nuk kanë qenë të përfshirë në mësim nga distanca për vitin e kaluar shkollor (2019/20) nga mosha 5 vjeç deri në klasën e 12-të është: 9.070 (2.8%). Për këta nxënës MASHTI në bashkëpunim me DKA-të dhe mbështetur nga donatorët ka shpërndarë IPED për nivelin e arsimit të obliguar për nxënësit me nevoja të veçanta dhe për nxënësit familjet e të cilëve janë me asistencë sociale”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.

-Advertisement-

Për këtë vit shkollor MASHT ka nxjerrë vendim që të mbahet mësim plotësues për të gjithë ata nxënës që kanë mbetur mbrapa me rezultate të mësim nxënies nga klasa e 1-rë deri te klasa e 12-të.

“Për periudhën e parë dhe të dytë të këtij viti shkollor nuk kemi raportime nga DKA-të lidhur me atë se gjatë kohës sa ka qenë duke u mbajtur mësimi sipas skenarit C, a ka pasur ndonjë nxënës që asnjëherë nuk është qasur në mësim. Megjithatë, nuk përjashtohet mundësia e mungesave të nxënësve gjatë kohës së mbajtjes së mësimit online, siç ndodhë edhe gjatë mbajtjes së mësimit në kushte normale”.

Sipas MASHT, janë 566 nxënëse që nuk e kanë kaluar vitin e fundit shkollor 2019/2020.

“Numri i nxënësve që nuk kanë kaluar vitin e fundit shkollor 2019/20: për nivelin e arsimit të obliguar (klasat 1-9), është 566 nxënës ose 0.3%. Ndërsa, në nivelin e arsimit të mesëm të lartë (klasat 10-12) është 1094 ose 2.9%”.

Pas kësaj, këta nxënës, këtë vit janë regjistruar përsëri në shkolla në nivelin e arsimit të obliguar”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera