Opinione

Gastronomia dhe Turizmi sektorët më të prekur nga Pandemia

Autori: Gazeta inFokus 20:24 | 03 August 2020

Shkruan: Petrit Hasanaj

Pandemia Covid-19 padyshim ka lënë pasoja në Ekonominë e të gjitha vendeve të Botës. Edhe vendi ynë Kosova po përballet me një situatë jo të favorshme ekonomike, e cila ka prekur pothuajse të gjithë sektorët e ekonomisë, ku ndër sektorët më të prekur nga kjo situatë cilësohen të jenë ai i Gastronomisë dhe Turizmit.

Masat e ndërmarra nga Qeveria për parandalimin në përhapjen e pandemisë, në masë të madhe i ka prekur këta sektorë, të cilët në fillim është dashur të mbyllin bizneset apo të punojnë me porosi dhe dërgesë të ushqimit tek klienti për muaj të tërë, duke siguruar të ardhura shumë të ulëta, sa për të paguar punëtorët e tyre apo edhe sa për të siguruar mbijetesën e këtyre bizneseve. Ne ende jemi duke u ballafaquar me pandemin COVID 19, dhe tashmë kemi hyrë ne muajin e gjashtë dhe ende nuk kemi arritur të impementojmë as pakon e parë fiskale, e cila sa do pak do t’i ndihmonte këtyre sektorëve, për tejkalimin e kësaj krize. Ndalimi i ushtrimit të veprimtarisë së këtyre bizneseve ka prekur në masë të madhe këta sektorë, pikërisht për faktin se këto biznese janë shumë të ndërlidhura njëra me tjetrën.

-Advertisement-

Të dhënat tregojnë se këta sektorë kanë pasur rënie te të hyrave në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, pothuajse 100%, pikërisht për shkak të ndalimit të ushtrimit të këtyre veprimtarive, apo punës me orar të reduktuar. FMN dhe BB gjithashtu ka konstatuar se sektorët më të dëmtuar janë gastronomia dhe turizmi dhe për këtë kanë rekomanduar që shtetet të përdorin politika stimulues fiskale dhe të ju ofrojnë mbështetje financiare këtyre sektorëve. Ekonominë e vendit tonë dhe veprimtarinë e këtyre sektorëve e ka rënduar edhe më shumë ardhja në nivel shumë të ulët e bashkëkombasve tanë nga diaspora, kjo për shkak të kufizimeve të udhëtimit, duke shkaktuar kështu humbje të mëdha në industrinë e Turizmit dhe Gastronomisë.

Bizneset e sektorit të Gastronomisë, edhe pas 6 muajve janë duke punuar me kapacitetet te kufizuara me vetëm 20% të potencialit dhe pa mbështetje financiare, ku e gjithë kjo situatë ka ndikuar në rënien të qarkullimit të tyre mujor pothuajse 100% në krahasim me vitin e kaluar. Vlenë të theksohet që kategoria më e prekur janë punëtorët e tyre, sepse ky sektor cilësohet të jetë një ndër sektorët që kontribuon më së shumti në punësim në vendin tonë, pavarësisht që një pjesë e këtyre bizneseve janë biznese familjare dhe një numër i tyre janë të pa deklaruar. Një numër i konsiderueshëm i të punësuarve në këta sektorë në vendin tonë mund të humbin punën e tyre, si pasojë e situatës së krijuar. Pra, ky sektor cilësohet të jetë sektori më i prekur nga Pandemia në vendin tonë, por edhe më gjerë, por edhe sektorët që në njëfarë mënyre kanë lidhshmëri zingjirore që nga furnizimi me produkte bujqësore e blegtoriale. Sipas përllogaritjeve bazike, dëmi në ekonominë e vendit është rreth 10 milionë euro në ditë, e pjesa kryesore e humbjeve vijnë nga sektorët si: Gastronomia, Turizmi, Rekreacioni dhe disa sektorë të tjerë.

Edhe vendimet e fundit të Qeverisë, me qëllim parandaliminin e përhapjes së pandemisë, i kanë detyruar këto biznese të punojnë me orar të reduktuar, duke vështirësuar edhe më tej mbijetesën e këtyre bizneseve karshi situatës së krijuar në vend. Ndalimi i Dasmave për këtë vit, poashtu e ka dëmtuar në masë të madhe këtë sektor, por mund të themi lirisht se e ka dëmtuar ekonominë e gjithë vendit, pasi qarkullimi më i madh i mallrave, parasë dhe njerëzve, ka qenë shumë i madh pikërisht në sezonën e dasmave.

Padyshim, që ndalimi i ushtrimit të këtyre veprimtarive do të ndikojë në rënien e Bruto Produktit vendor, që është indikatori më i rëndësishëm i matjes së fuqisë ekonomike të vendit. Sipas raportit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), BPV e Kosovës pritet të zvogëlohet me 5% në vitin 2020 dhe poashtu edhe të hyrat fiskale pritet të ulen për 12%. Poashtu, papunësia është çdo ditë e më shumë në rritje duke shkaktuar kështu pasoja të mëdha në ekonominë e vendit tonë.

Me masat e propozuara për rimëkëmbje ekonomike, parashikohet që sektorit te gastronomisë dhe turizmit t’u zbritet TVSH nga 18% në 8%, për një periudhë kalimtare. Por, ndoshta vendimi më i duhur do të ishte që TVSH të mos aplikohet fare për një peridhë kalimtare, pasi që kjo do t’i lehtësonte edhe më shumë këta sektorë dhe do t’i ndihmonte që të rrisin aktivitetin e tyre ekonomik si dhe për të siguruar mbijetesën e shumë bizneseve që veçse janë afër mbylljes.

Shkruar nga Prof. Ass. Petrit Hasanaj, Dr i Turizmit!

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:

Të tjera