Lajme

Gastronomët pro mbylljes së lokaleve: Të dënohen të gjithë që nuk i respektojnë masat

Autori: Gazeta inFokus 18:55 | 28 April 2021

Që nga 19 prilli kur edhe u hap gastronomia pas mbylljes 12 ditëshe me vendim të qeverisë së Kosovës, ky sektor ka filluar punën në bazë të një udhëzuesi nga Ministria e Shëndetësisë.

E të gjithë ato biznese që nuk po i respektojnë këto masa udhëzuese se si të punohet, janë duke u dënuar dhe po u mbyllen edhe lokalet, shkruan Gazeta inFokus.

Në një intervistë për Gazetën inFokus përfaqësuesi i Shoqatës së Gastronomëve, Arian Vranica ka thënë se e mirëpresin punën e inspektorëve dhe policisë së Kosovës në dënimin e lokaleve që nuk po i respektojnë masat.

-Advertisement-

Sipas tij deri më tash gastronomët janë duke i respektuar masat në bazë të të cilave po punojnë edhe pse ka pasur disa përjashtime, e që të tilla raste e kanë marrë dënimin e merituar.

“Ka pas edhe rast kur bizneset janë dënuar për mosrespektim të masave pas hapjes, disa lokale që nuk i kanë respektuar masat janë mbyllur por gjithsesi kjo vlen të theksohet se ka qenë kërkesë e shoqatës që të mos ketë konsekuenca kolektive për shkak të vetëm disa lokaleve por natyrisht ka pasur edhe raste që nuk janë aplikuar siç duhet ndëshkimet nga ana e policisë apo inspektorëve të Kosovës, por gjithsesi kjo është për tu përshëndetur dhe shpresojmë që në të ardhmen të ketë një relaksim të masave. Por gjithsesi ne i mirëpresim këto lëvizje dhe lëvizje të tjera të cilat janë kolektive dhe bëjnë dëme”, ka deklaruar ai.

Po ashtu Vranica ka thënë se lokalet që janë mbyllur janë dënuar edhe me gjoba.

“Ka edhe dënime më gjoba sepse në bazë të ligjit për kundërvajtje bizneset është e paraparë që të dënohen me gjobë para mbylljes së lokalit, andaj natyrisht që ata që nuk i respektojnë këto masa dënohen”, ka theksuar ai.

Ndërsa sipas tij edhe ky udhëzues se si të punojnë paraqet një problem për shkak të kohës së shkurtër.

“Pas hapjes që nga data 19 prill e deri më tani sektori i gastronomisë i cili është hap natyrisht me udhëzuesit për funksionimin e bizneseve dhe masat të cilat janë paraparë nga IKSHPK-ja ka pasur një pritje shumë të mirë nga bizneset. Por natyrisht ka pasur edhe raste kur këto masa nuk janë respektuar nga gastronomë duke pasur parasysh edhe sfidën që në një kohë shumë të shkurtër të ketë një efiqencë të jashtëzakonshme sa i përket respektimit të masave. Mirëpo aspekti i bashkëpunimit të shoqatave dhe odave me institucionet publike ka qenë shumë i mirë dhe kjo ka ndikuar që edhe bizneset të kenë një lloj respektimi më të lartë të masave dhe ngritja e vetëdijes së qytetarëve dhe bizneseve për situatën epidemiologjike është më e mirë por gjithsesi ka qenë në rregull edhe sa i përket zbatimit të masave antiCOVID-19 nga institucionet inspektuese”, ka thënë Vranica për inFokus.

Kujtojmë se në bazë të këtij udhëzuesi nga Ministria e Shëndetësisë, lokalet lejohet të punojnë vetëm në orën 22:00 dhe me disa masa të cilat parashihet të parandalojnë përhapjen e virusit COVID-19.

KY ËSHTË UDHËZUESI./Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
TEB sjellë edhe kartelën prestigjioze VISA Infinite

Të tjera