Lajme

Gashi: Viti 2018, viti i trashëgimisë kulturore

Autori: Gazeta inFokus 13:01 | 05 January 2018

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi ka thënë se në vitin 2018 synon që Departamentin e Kulturës ta zhvendos në Prizren, derisa sukses të madh të udhëheqjes së tij e sheh vendosjen e lokacionit për ndërtimin e stadiumit nacional.

Gashi për KosovaPress ka deklaruar se brenda 90 ditëve të udhëheqjes së tij ka arritur ta stabilizojë gjendjen financiare në këtë ministri, duke e shpëtuar buxhetin nga suficiti.

“Për të gjithë ata që mbështeten nga kjo Ministri ka pasur tejkalim të mjeteve financiare për shkak se janë nënshkruar memorandume pa bazë financiare, janë premtuar mjete për federatat dhe të njëjtat po këto mjete financiare nuk kanë qenë të planifikuara në ministri për vitin 2017. Por sido që të jetë nga veprime tonat të shpejta me disa veprime që i kemi marr si kabinet i ministrit kemi arritur që në një masë të madhe të shlyejmë borxhet ndaj federatave, t’i realizojmë pjesët më të mëdha të memorandumeve që janë nënshkruar dhe tek pjesa e investimeve kapitale ne kemi arritur që përmes rishikimit t’i rialokojomë mjetet në projektet të cilat kanë qenë duke u realizuar në mënyrë që ta ruajmë buxhetin të cilin ka qenë në rrezik që të shkon në suficit”, tha ai.

-Advertisement-

Gashi tha se me udhëheqjen e tij në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Kosova është kthyer prapë në ngjarjen kulturore në Venedik.

Ai sukses të madh e ka konsideruar vendimin e lokacionit për ndërtimin e stadiumit nacional duke bërë të ditur se janë në procedurat e shpalljes së fizibilitetit.

“Qeveria e kaluar nuk ka ndërmarr veprime ju e dini që është diskutuar për një lokacion tjetër por në fakt aty nuk janë kryer të gjitha obligimet që është dashur t’i kryej ministria e Kulturës për shkak se të gjitha pronat aty nuk janë shpronësuar, ka prona pa pronar, ka prona të ndërmarrjeve të ndryshme po ashtu ka prona të privatëve të cilat ministria e Kulturës është dashur me kohë t’i shpronësoj dhe lokacionin ta dedikoj fillimisht për ndërtim të stadiumit, dhe duke parë ne këtë gjendje dhe duke parë mos veprimin e ministrisë ne në bazë të analizave që kemi bërë me ekspertë kemi vendosur të veprojmë shpejt pa humbur kohë dhe lokacioni tjetër më i përshtatshëm i cili ka qenë i gatshëm për ndërtim të stadiumit ka qenë lokacioni afër Drenasit, afër Aeroportit dhe ju e dini që në njërën nga mbledhjet e qeverisë ne veç kemi marr vendimit për ta ndërtuar a tje”, tha Gashi.

Gashi tha se për ndërtimin e këtij projekti ka kërkuar një kredi të butë nga Qeveria hungareze.

Gashi si prioritet për vitin 2018 ka zhvendosjen e departamentit të trashëgimisë kulturore dhe atë të kulturës në Prizren për shkak të karakteristikave historike që ka qyteti.

Vitin 2018 e sheh si vit të trashëgimisë kulturore për shkak restaurimeve të shumë monumenteve historike.

“Ne aktualisht po investojmë në restaurimin dhe konservimin e disa monumenteve që nuk janë të pakta, një pjesë e tyre po i financon ministria jonë, kurse një pjesë tjetër i kemi nga donatorët dhe besoj që është duke u bërë një punë e mirë, ne në këtë fazën e parë kemi intervenuar në disa objekte në qytete të Prizrenit, përkatësisht në pjesën historike ku kemi intervenuar pothuajse në 20 objekte dhe po ashtu janë duke u zhvilluar punime edhe në lokalitetin e Ulpianës, pastaj në kalanë e Harilaqit dhe në disa monumente tjera”, ka thënë Gashi.

Sipas tij nga buxheti i kësaj Ministrie ka ndarë mjete shtesë me vlerë prej mbi 1 milionë euro për fushën e trashëgimisë kulturore.

Suksese tjetër për këto 90 ditë të udhëheqje në këtë Ministri, Gashi e ka konsideruar edhe finalizimin e rregullores për krijuesit dhe performuesit , e cila parashihen ngritje të pagave për ta.

Mes tjerash Gashi për KosovaPress ka thënë se i kanë ndërmarrë të gjitha veprimet për plotësimin e të gjitha kritereve për pranimin e Kosovës në UNESCO.

“Tash kemi një gjendje të re për shkak se nga UNESCO janë larguar Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe kemi një situatë tjetër atje dhe çështja e UNESCO-s është pak çështje politike dhe në kuadër të zyrës së kryeministrit ne kemi formuar një grup në të cilin përbëhen ministria e Jashtme, ministria e Kulturës, ministria e Arsimit dhe zyra e kryeministrit, ku do të punojmë bashkërisht, do të lobojmë që kur të vije koha dhe radha për të aplikuar ne do të jemi të gatshëm, të kemi mbështetjen e të gjitha shteteve anëtare në UNESCO dhe ne si ministri kemi ndërmarrë të gjitha obligimet dhe kriteret që duhet t’i plotësojmë si ministri për aplikim, besoj që jemi mirë edhe me kohë edhe me veprime ne kemi kaluar ligjin për të drejtat dhe liri fetare në qeverinë e Republikës së Kosovës dhe besoj që kemi edhe një kënaqshmëri edhe të shteteve anëtare sepse e kanë vlerësuar këtë veprim tonin”, tha Gashi.

Sipas tij, pranimi i Kosovës në UNESCO do e ndihmonte financiarisht trashëgiminë kulturore në vend dhe do të ishte mundësi e artë për prezantimin e trashëgimisë kulturore e cila do të ndikonte pastaj në zhvillim ekonomik dhe zhvillimin e turizmit.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
UNI – Universum International College sërish pjesë e Panairit të Edukimit, vazhdon të ofroj studime me standarde amerikane
-Advertisement-

Të tjera