Lajme

GAP: Emrimi i Burim Rrecajt sekretar në MTI i kundërligjshëm dhe politik

Autori: Gazeta inFokus 17:00 | 03 February 2018

Emërimi i Burim Rrecajt si sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë po konsiderohet vendim jo ligjor. Rrecaj është emëruar në këtë pozitë në bazë të vendimit të Qeverisë Haradinaj, që nga Instituti GAP po vlerësohet si jo ligjor dhe po kërkohet anulimi i këtij vendimi.

Përmes një komunikate drejtuar mediave, Instituti GAP vlerëson se Rrecaj nuk i plotësonte kriteret as për të hyrë në treshen e përzgjedhur, por kjo u arrit vetëm pas largimit të një kandidati në mënyrë të padrejtë nga konkursi, shkruan Infokusi.com

Në komunikatën thuhet se në bazë të vlerësimit të kompanisë britanike dhe komisionit vlerësues, e vetmja kandidate e cila i ka plotësuar kriteret për t’u emëruar sekretare e përgjithshme ishte Gentiana Islamaj, e cila deri në fund të janarit 2018 ishte ushtruese e detyrës së sekretares së përgjithshme në MTI.

-Advertisement-

“Burim Rrecaj, i cili është zgjedhur nga qeveria si sekretar i përgjithshëm, ishte renditur i katërti me pikë. Ai arriti që të përfshihet në listën e tre kandidatëve të cilat MAP i ka dërguar në qeveri vetëm pas largimit nga procesi në mënyrë të pashpjegueshme të njërit prej kandidatëve”, thuhet në komunikatë.

Thonë se do të ishte e logjikshme që Qeveria të zgjidhte kandidatin/en që kishte marrë numrin më të madh të pikëve, që në këtë rast është Gentiana Ismajli, e jo të përzgjedhë kandidatë që nuk i plotësojnë kriteret për atë pozitë.

Madje, zgjedhja e tij në këtë pozitë po konsiderohet edhe si politike, pasi që Rrecaj ishte pjesë e listës zgjedhore të partisë Nisma për anëtar të Kuvendit Komunal të Prishtinës.

GAP vlerëson se me këtë vendim Qeveria e ka shkelur Ligjin për shërbimin civil, dhe se ka shkelur memorandumin e mirëkuptimit me Ambasadën Britanike. Deklarojnë se raste të tilla dërgojnë sinjal jo të mirë te të gjithë profesionistët që dëshirojnë të kontribuojnë në sektorin publik.

“Me këtë vendim, Qeveria e Kosovës ka shkelur Ligjin për shërbimin civil, ka politizuar një ndër pozitat më të larta në shërbimin civil, ka sakrifikuar profesionalizmin dhe ka shkelur të drejtat në punësim, si dhe ka shkelur memorandumin e mirëkuptimit me Ambasadën Britanike për rekrutim të profesionistëve në pozita të larta shtetërore”, thuhet më tej në komunikatë. /INFOKUSI/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Kryetari Përparim Rama pjesë e ‘Mayor’s Talk’

Të tjera