Lajme

Galup: Kosovarët ndjehen më të pavarurit nga ish-Jugosllavët

Autori: Gazeta inFokus 16:02 | 18 May 2017

Në një hulumtim të bërë nga Instituti Gallup thuhet se ndjenjën më të fuqishme të pavarësisë, në mesin e shteteve që kanë dalë nga shpërbërja e ish-Federatës Jugosllave, e kanë qytetarët në Kosovë.

Madje 75 për qind e të anketuarve në Kosovë mendojnë se shpërbërja e Jugosllavisë ishte e dobishme për ta, thuhet në hulumtimin e Galupit, me vlerësimin se “me shumë gjasa kjo bëhet për shkak të dëshirës shumëvjeçare për pavarësi”.

Në hulumtimin e Galup, thuhet se nostalgjia për Jugosllavinë në mesin e shteteve të hapësirës pas jugosllave është ende e fortë.

-Advertisement-

Qytetarët në këto shtete shohin më shumë dëme se sa përfitime nga shpërbërja e ish-RSFJ-së, thuhet në hulumtim.

Tre nga katër qytetarët e Serbisë dhe të Bosnjë e Hercegovinës mendojnë se shpërbërja e Jugosllavisë ka sjellë dëme për vendin e tyre. Ngjashëm me qëndrimet ruse për shpërbërjen e ish Bashkimit Sovjetik, Galup shkruan se serbët kanë një ndjesi acute të humbjes si kombi qendror i ish shtetit shumëkombësh.

Sipas hulumtimit, 81 për qind e të anketuarve në Serbi dhe 77 për qind e atyre në BeH, mendojnë se shpërbërja e RSFJ-së i ka sjellë vendit të tyre dëm. Në Mal të Zi këtë e mendojnë 65 për qind e qytetarëve ndërkaq në Maqedoni 61 për qind.

Qëndrimi negativ në BeH është i lidhur, sipas hulumtimit të Galupit, me frustrimin me udhëheqjen e dobët të shtetit. Më shumë se kudo tjetër në shtetin pas Jugosllavisë, të anketuarit mendojnë se vendi po ecën në drejtim të gabuar (82 për qind) dhe se gjendja ekonomike po përkeqësohet (60 për qind).

Për dallim nga këto shtete, në Kroaci dhe Slloveni, vende këto anëtare të BE-së, të anketuarit mendojnë se kanë përfituar nga shpërbërja e ish shtetit të përbashkët. Hulumtimi ka treguar se 41 për qind e qytetarëve të Sllovenisë mendojnë se shpërbërja e ish-RSFJ-së ka sjellë dëm kurse 45 për qind thonë se ajo ka sjellë përfitime. Në Kroaci 23 për qind mendojnë se ky proces u ka shkaktuar dëm. Rreth 55 për qind e qytetarëve të Kroacisë mendojnë se kanë pasur më shumë përfitime nga shpërbërja e Jugosllavisë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Prince Caffe pjesëmarrës në panairin “Gulfood Fair 2024” në Dubai
-Advertisement-

Të tjera