Sport

Futbolli anglez në zi, shuhet kampioni i botës i vitit 1966

Autori: Gazeta inFokus 15:48 | 12 February 2019

Futbolli anglez mban zi për Gordon Banks. Ish-portieri legjendar i përfaqësueses angleze u nda nga jeta në moshën 81-vjeçare, lajm që u konfirmua nga familjarët e tij.

I cilësuar si një prej lojtarëve më të mëdhenj në pozicionin e tij, Gordon Banks është shpallur nga FIFA si portieri më i mirë i vitit në 6 raste, ndërkohë që me përfaqësuesen e Anglisë ka luajtur 73 ndeshje, duke u shpallur edhe kampion bote në vitin 1966.

Gordon Banks mbahet më shumë mend për pritjen e tij ndaj gjuajtjes së Pelesë në ndeshjen mes Anglisë dhe Brazilit në Botërorin e vitit 1970, të zhvilluar në Meksikë.

-Advertisement-

I lindur në Shefilld, Gordon Banks e nisi karrierën e tij te Chesterfield përpara se të bashkohej me Leicester në 1959 për 7000 paund. Te skuadra e Dhelprave ai spikati si portier dhe në vitin 1963 bëri debutimin e tij me pëfaqësuesen angleze në ndeshjen me Skocinë.

Gjatë Botërorit të vitit 1966, Banks u aktivizua në të gjitha ndeshjet dhe kulmi ishte finalja e Wembley-t me Gjermaninë, që Anglia e fitoi 4-2.

Gjatë 8 sezoneve të qëndrimit te Leicester, Banks ka arritur dy herë në finale të Kupës së Anglisë, ndërkohë që në 1964 fitoi Kupën e Ligës përpara se të bashkohej me Stoke City në 1967. Me këtë skuadër ai fitoi një tjetër Kupë të Ligës, në vitin 1972, pikërisht një vit përpara tërheqjes së tij nga futbolli profesionist.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera