Lajme

FUSHË KOSOVA, MJETET PËR INVESTIME KAPITALE I SHFRYTËZON PËR KOSHERE TË BLETËVE

Autori: Gazeta inFokus 13:50 | 22 June 2017

Komuna e Fushë Kosovës kishte planifikuar të bëjë investime kapitale, por një pjesë të mjeteve që i ka destinuar për të tilla projekte e ka shfrytëzuar për gjëra të tjera.

Këtë e ka vërejtur Zyra Kombëtare e Auditimit dhe e ka regjistruar si të dhënë në raportin për vitin 2016, shkruan AktivPress.

Audituesit me këtë rast kanë treguar se ku janë shpenzuar ato mjete.

-Advertisement-

“Prej mostrave të testuara, kemi vërejtur se janë bërë financime nga investimet kapitale për mallra/shërbime dhe subvencione në shumën totale prej 345,755€. Arsyeja e keq klasifikimit ishte planifikimi jo i mirë i buxhetit nëpër kategori ekonomike. Vlen të sqarohet se vlera prej 140,862€ e destinuar për bashkëfinancim të investimeve kapitale, ishte paguar për subvencionimin e bujqëve (serra, kultivatorë, laktofriza, koshere të bletëve etj)”, thuhet në raport.

“Shpenzimet në vlerë prej 182,818€ për projektin (“Mirëmbajtja, pastrimi i ambientit, ngritja e kujdesit social, shëndetësor, shtëpiak, ambulantorë” që janë aprovuar si investime kapitale, në fakt janë paguar për një projekt të shërbimeve, dhe nuk janë materializuar në pasuri”, sqaron më tej raporti.

“Pagesat totale prej 15,551€ nga investimet kapitale janë bërë për shërbime të përkujdesit social shëndetësor nga projekti ‘Mirëmbajtja investive’, ndërsa nga kategoria mallra dhe shërbime, janë bërë pagesa për subvencione prej 6,524€”, shkruan në raport.

Pagesat e sipër përmendura, thuhet se nuk i përmbushin kushtet të trajtohen si projekte kapitale.

Komuna, sipas audituesve, nuk ka arritur që të regjistrojë as pasurinë e plotë nën 1000€, pasi që blerjet prej 51,172€ (kontejnerë plastik) nuk janë paraqitur në regjistrin e-pasuria./AktivPress

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Fillon aplikimi për Global Engineer Girls Kosova
-Advertisement-

Të tjera