Lajme

Fungo: KFOR’i ka garantuar një mjedis të qetë e të sigurt në Kosovë

Autori: Gazeta inFokus 09:40 | 22 June 2017

Gjendja e sigurisë në Kosovë dhe sfidat që kanë përfshirë Ballkanin Perëndimor, ishin pjesë e fjalimit të mbajtur nga komandanti i KFOR-it, gjeneral major Giovanni Fungo gjatë Sesionit të përbashkët të Komitetit të Parlamentit Evropian për Punë të Jashtme (AFET) dhe Nënkomitetit të tij për Siguri dhe Mbrojtje (SEDE).

Në një komunikatë të lëshuar nga KFOR-i, thuhet se në takimin e mbajtur në Bruksel, komandanti i KFOR-it theksoi bashkëpunimin vendimtar ndërmjet NATO-s dhe BE-së si një kusht thelbësor për të arritur stabilitetin në rajonin e Ballkanit dhe rolin e rëndësishëm që luan KFOR-i si një garantues i paanshëm i sigurisë, përcjell gazetametro.net

“Ekziston një bashkëpunim veçanërisht i fortë dhe efektiv ndërmjet KFOR-it dhe gjithë bashkësisë ndërkombëtare”, tha komandanti i KFOR-it.

-Advertisement-

“Puna kryesore e KFOR-it është ofrimi i sigurisë në Kosovë dhe në këtë mënyrë, të projektojë stabilitet në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Së bashku me Bashkimin Evropian, bashkësinë ndërkombëtare dhe institucionet vendore ne punojmë për ta bërë këtë të mundshme. Qëndrimi sigurues i KFOR-it, veprimet parandaluese nga të gjithë aktorët e sigurisë, duke përfshirë EULEX-in dhe përpjekjet për ndërmjetësim të udhëhequra nga bashkësia ndërkombëtare, BE dhe NATO kryesisht, janë të gjitha elementet e kësaj qasjeje gjithëpërfshirëse që synon nxitjen e stabilitetit dhe prosperitetit në Kosovë dhe më gjerë . Prandaj, normalizimi është fjala kryesore dhe dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës mjeti kryesor. Bashkimi Evropian është kyç në mbajtjen e dialogut të gjallë dhe në përparim, dhe KFOR-i është plotësisht mbështetës në këtë drejtim. Uniteti i qëllimit të NATO-s dhe BE-së është një parakusht themelor për normalizimin dhe stabilitetin në të gjithë rajonin”, tha Fungo.

Lidhur me rëndësinë e pranisë së KFOR-it në Kosovë, si për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor, komandanti i KFOR-it rikujton që KFOR-i, përgjatë viteve të fundit, ka garantuar një mjedis të qetë dhe të sigurt, si dhe lirinë e lëvizjes në Kosovë, në përputhje të plotë me mandatin e OKB-së që rrjedh nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit.

“Në vitin 1999 forca e KFOR-it kishte rreth 55 mijë ushtarë. Sot, pas disa rishikimeve të misionit dhe detyrave të KFOR-it, trupat e autorizuara nga NATO janë rreth 4.5 mijë. 29 kombe aktualisht kontribuojnë në kuadër të KFOR-it: 21 vende anëtare të NATO-s dhe 8 vende jo-anëtare të NATO-s. Misioni fillestar, siç parashihet në Rezolutën 1244, ishte krijimi i një mjedisi të qetë e të sigurt dhe ofrimi i lirisë së lëvizjes për të gjithë në Kosovë. Progresi në fushën e sigurisë dhe ngritja e forcave vendore të sigurisë kanë bërë që misioni i KFOR-it të zhvillohet në ruajtjen e një mjedisi të qetë dhe të sigurt dhe përfundimisht në kontributin ndaj tij. Sot në Kosovë KFOR është i ashtuquajturi përgjegjësi i tretë i sigurisë. KFOR-i vazhdon të veprojë si garantues i paanshëm i sigurisë, duke qenë neutral ndaj statusit të institucioneve në Kosovë. KFOR-i ende ofron siguri të drejtpërdrejtë në një vend, përkatësisht manastirin në Deçan. Gjendja e sigurisë vlerësohet vazhdimisht”, tha gjenerali Fungo.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova vazhdon përkushtimin ndaj gjithëpërfshirjes duke dhuruar një furgon për të mbështetur fëmijët me nevoja të veçanta
-Advertisement-

Të tjera