Lajme

FSK-ja u vu në gjendje gatishmërie, ministri Maqedonci jep detaje

Autori: Gazeta inFokus 15:20 | 30 September 2023

Shtëpia e Bardhë ka dalë me një njoftim dje ku shprehen shqetësimet lidhur me mobilizimet ushtarake serbe pranë kufirit me Kosovën. Kreu i Qeverisë së Kosovës ka thënë se e ka siguruar këshilltarin e Joe Biden për bashkëpunimin e vazhdueshëm të Policisë së Kosovës me KFOR-in.

Ndërsa sot FSK është thirrur në gjendje gatishmërie. Gazeta Insajderi ka mësuar përmes burimeve se ushtarët e FSK-së nga ora 04:00 e mëngjesit kanë pranuar një telefonatë siç e quajtën ata “alarm”.

Në këtë thirrje atyre iu kërkua që të shkojnë në bazë.

-Advertisement-

Por, Ministri i i Mbrojtjes në Kosovë, Ejup Maqedonci, tha për Gazetën Insajderi, se kjo ishte thirrje për gatishmëri por, sipas tij kjo është e zakonshme.

“Ka qenë një gjendje e rregullt e gatishmërisë të njësive në thirrje, që praktikohet zakonshëm në FSK”, tha ministri për Insajderin.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot në fjalën e tij para Këshillit të Përgjithshëm të VV-së ka thënë se për shkak të zotimit të ish-preisdentit Hashim Thaçi, FSK-ja s’mund të vendoset në veri.

“Është zotimi i njëanshëm ndaj NATO-s i një pararendësi tim që nuk lejon FSK-në të futet në veri, por kufiri ynë duhet të ruhet. Ky vakum që është atje duhet të mbushet. Për këtë jemi duke shtuar bashkëpunimin me partnerët e aleatët tanë ndërkombëtarë, e ata praninë e NATO-s, KFOR-it atje”, tha Kurti

Ndryshe kreu i Qeverisë së Kosovës ka thënë se e ka siguruar këshilltarin e Joe Biden për bashkëpunimin e vazhdueshëm të Policisë së Kosovës me KFOR-in dhe se përkushtimi i Kosovës për të mbrojtur të gjithë qytetarët është i palëkundshëm.

Edhe Koordinatori për komunikime strategjike në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Kirby, shprehu shqetësimin e Uashingtonit, për siç tha, “dislokimin e madh” të trupave të Serbisë përgjatë kufirit me Kosovën.

Po ashtu sot përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, i bëri thirrje Serbisë të shtunën ta ndalë menjëherë zhvendosjen e ushtrisë përgjatë kufirit me Kosovën dhe t’i tërheqë trupat e vendosur deri tani.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Diplomon gjenerata e dytë e studentëve UNIK të UNI-të me diploma të fuqizuara nga Arizona State University
-Advertisement-

Të tjera