Lajme

“Fshehja prapa SHBA-së”: Çka nuk u tha në vendimin ministrit Aliu për shkarkimin e Nexhat Krasniqit?

Autori: Gazeta inFokus 12:06 | 27 November 2023

Brenda pesë ditëve, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) që drejtohet nga Liburn Aliu, nxori dy vendime kontradiktore rreth shkarkimit të Nexhat Krasniqit, të sanksionuarit nga SHBA “për korrupsion të madh”.

Fillimisht e pezulloi nga pozita e Drejtorit të Divizionit të Prokurimit, për ta emëruar më vonë një pozitë të re dhe për ta shkarkuar, pas disa ditësh. Krejt kjo ndodhi në një interval kohor prej rreth 3 javësh.

Me datën 3 nëntor, Departamenti Amerikan i Shtetit e vendosi Krasniqin në listën e sanksioneve për shkak të përfshirjes në korrupsion të madh. Sipas njoftimit, atij do t’i ndalohet hyrja në SHBA.

-Advertisement-

“Si zyrtar publik përgjegjës për mbikëqyrjen e kontratave të prokurimit, Krasniqi ka abuzuar me postin e tij publik duke pranuar ryshfet në këmbim të dhënies së kontratës për lejimin e ndërtimit të parkut industrial në komunën e Drenasit nga kompania Eltoni”, u tha në njoftim.

Në kohën e marrjes se këtij vendimi, Krasniqi në MMPHI mbante pozitën Drejtor i Divizionit të Prokurimit. Po këtë ditë, Krasniqi u pezullua nga puna përmes një vendimi të kësaj ministrie.

Mirëpo, në kohën kur pritej shkarkimi i tij pas sanksionimit nga SHBA, Krasniqi u shpërblye me pozicion të ri. Në një vendim tjetër të datës 15 nëntor, atij iu ndërrua pozita, duke u emëruar tash si Drejtor i Departamentit të Infrastrukturës Rrugore.

“Nexhat Krasniqi, i pezulluar me Vendimin nr.8434 të datës 03.11.2023, nga pozita Drejtor i Devizionit të Prokurimit të cilën e mban sipas Aktemërimit, caktohet përkohësisht Drejtor i Departamentit të Infrastrukturës Rrugore, në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës”, thuhet në këtë vendim, një kopje të të cilit e ka siguruar Buletini Ekonomik.

Pas pesë ditësh, me 20 nëntor, kjo ministri nxori edhe një vendim tjetër, duke e dërguar tash Krasniqin në Komision Disiplinor.

Në vitin 2015, Krasniqi u dënua nga gjykatat e Kosovës me 26 muaj burgim pasi u gjet fajtor për keqpërdorim të detyrës zyrtare në rastin e Parkut të Biznesit në Drenas.

Mirëpo, në vendimin e fundit të datës 20 nëntor, me të cilin e dërgoi në Komision Disiplinor Nexhat Krasniqin, ministria që drejtohet nga Liburn Aliu, askund nuk e përmend se Krasniqi po shkarkohet për shkak se ishte i dënuar në vitin 2015 nga gjykatat e Kosovës për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Ndërkohë, në arsyetimin nga SHBA për futjen e Krasniqit në listë të zezë përmendet pikërisht rasti i dënimit të Krasniqit nga gjykatat e Kosovës për keqpërdorim të detyrës zyrtare në një tender që ka të bëjë me Parkun e Biznesit në Drenas.

Si arsye, në këtë vendim të MMPHI, përmendet vetëm fraza “duke pasur parasysh raportet speciale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, e cila është përfshirë në një vendim zyrtar. Të nesërmen e këtij vendimi, Komisioni Disiplinor e përjashtoi Krasniqin krejtësisht nga shërbimi civil.

Ndryshe, Departamenti Amerikan i Shtetit e kishte vendosur në listën e sanksioneve Nexhat Krasniqin, ish-drejtorin e Departamentit të Prokurimit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, për shkak të përfshirjes në korrupsion të madh.

Sipas DASH-it, veprimet e sotme të SHBA-së dëshmojnë se Uashingtoni qëndron me ata në Kosovë që kërkojnë përgjegjësi nga zyrtarët e korruptuar publik.

“Ky vendim riafrimon përkushtimin e SHBA-së për luftimin e korrupsionit që dëmton interesat publike, pengon prosperitetin ekonomik të shteteve dhe zvogëlon aftësitë e qeverive për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive nevojave të shtetasve të tyre”.

Po ashtu, nën sanksione janë vendosur edhe fëmijët e Krasniqit, Aulona dhe Olti Krasniqi, të cilëve po ashtu nuk do t’iu lejohet hyrja në SHBA.

Në vitin 2015, Krasniqi u dënua me 26 muaj burgim pasi u gjet fajtor për keqpërdorim të detyrës zyrtare në rastin e Parkut të Biznesit në Drenas. Krasniqi kishte qenë edhe në departamentin e prokurimit në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Emri i Krasniqit ishte përmendur edhe në rastin gjyqësor për keqpërdorime në Ministrinë e Telekomunikacionit kur atë e drejtonte Fatmir Limaj, që atëbotë ishte zyrtar i Partisë Demokratike të Kosovës. Në aktakuzë dyshohej se Krasniqi dhe Limaj kishin krijuar një grup të organizuar kriminal dhe kishin keqpërdorur autoritetin zyrtar dhe kishin marrë ryshfet, duke favorizuar një kompani në procesin e prokurimit. Por, Krasniqi ishte liruar nga akuzat. /Buletini Ekonomik/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Prince Coffee shkon edhe në Ferizaj – ambient i ngrohtë e risi në menu (VIDEO)
-Advertisement-

Të tjera