Lajme

Fshehja e koeficientit të Ligjit të Pagave, paralajmëron eksperti i ekonomisë: Do të jetë më i ulët, mund të ketë trazira në rrugë

Autori: Gazeta inFokus 21:22 | 03 January 2023

Ligji i Pagave është miratuar në Kuvend në fund të dhjetor në vitin që lamë pas.

Ai do të nis së zbatuari nga muaji shkurt i këtij viti. Por, ende nuk dihet se sa do të jetë koeficienti.

Se kur do ta bëjë publik atë dhe sa do të jetë, nga Qeveria e Kosovës nuk kanë kthyer përgjigje për Gazeta Blic.

-Advertisement-

Ndërsa, eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, thotë se kriza ekonomike në Kosovë po thellohet çdo ditë e më shumë dhe se sfidues do të jetë edhe viti 2023, ndërsa që Qeveria ka ngecur në ndihmën ndaj qytetarëve dhe bizneseve.

Shqetësuese e sheh politizimin e çdo gjëje në Kosovë, përfshirë ligjet që miratohen në Kuvend.

“Kriza ekonomike në Kosovë po thellohet çdo ditë e më shumë. Ekspertët kanë paralajmëruar se edhe viti 2023 do të jetë mjaft sfidues, sidomos pas recesionit të paralajmëruar në eurozonë. Në këtë drejtim, besoj që Kosova ka ngecur në shumë  iniciativa për të ndihmuar bizneset dhe qytetarët, derisa kemi inflacion as 20 për qind, ne kemi ngrirje të pagave që nuk janë ndryshuar për vite të shumta dhe ajo që është më shqetësuese është që në Kosovë çdo gjë është e  politizuar por edhe ligjet e ndryshme”, vlerëson ai.

Sipas Gërxhaliut, nuk bëhet nder ndaj Kosovës të mos ketë debat për ligjet, në këtë rast për Ligjin e Pagave.

“Nuk i bëhet nder Kosovës të mos ketë debat të mirëfilltë publiko-privat, të mos ketë debate, diskutime lidhur me Ligjin e Pagave dhe dëmi më i madh që po i bëhet Kosovës është se ligjet që po miratohen në Kuvend, adresën e parë po e kanë Gjykatën Kushtetuese dhe kështu po dëmtohet në shumë sfera, aspektin politik, ekonomik, social dhe integrues të Kosovës”, thotë ai për Gazeta Blic.

Eksperti i ekonomisë thekson se Ligji i Pagave ka shumë paqartësi e mungesë të debatit dhe ka pasur dhe paralajmërime se do të dërgohet në Kushtetuese, teksa shton se është hera e parë që një Ligj i Pagave miratohet e nuk dihet koeficienti.

“Është e vërtetë që Parlamenti e ka miratuar Ligjin e Pagave, një ligj i cili me të vërtetë ka shumë paqartësi, mungesë të debatit, qoftë publiko-privat, qoftë me sindikatat dhe qytetarët, në këtë drejtim kemi parë paralajmërime për dërgimin e këtij ligji në Gjykatën Kushtetuese dhe për herë të parë ndodhë që miratohet një ligj lidhur me pagat dhe të mos ketë koeficient të definuar”, thekson Gërxhaliu.

Sipas tij, fshehja e koeficientit nënkupton se ai do të jetë i ulët dhe do të sjell pakënaqësi dhe se do të ketë trazira në rrugë për shkak të tij.

“E tëra kjo na jep të kuptohet se fshehjen e koeficientit është duke u blerë një paqe sociale sepse si duket do të jetë një koeficient më i ulët, që do të sjell pakënaqësi dhe pakënaqësitë eventuale me këtë koeficient do të sjellin trazira në rrugë”, deklaron ai.

Gërxhaliu vlerëson se gjithë kjo po e dëmton Kosovën dhe se është koha të mendohet për shtet e jo pushtet, për qytetarë dhe jo militantë dhe se debati duhet të jetë arma më e fuqishme e zgjidhjes së problemeve.

“E tëra kjo vërtetë po e dëmton Kosovën por dua të besoj se është koha kur duhet të mendohet më shumë për shtet, se sa për pushtet, është koha kur duhet të mendohet për qytetarë dhe jo vetëm për militantë, është koha kur debati duhet të jetë arma më e fuqishme e zgjidhjes së problemeve dhe avancimit të legjislacionit në Kosovë. Nuk i bën nder Kosovës që Kosova të shndërrohet në hapësirë eksperimentale siç po ndodh viteve të fundit dhe ky eksperimentim po ndodh si pasojë e mungesës së dialogut”, përfundon eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Ku mos mu HUTU me BLACK FRIDAY Artmotion
-Advertisement-

Të tjera