Lajme

Fshati i harruar

Autori: Gazeta inFokus 08:35 | 09 January 2018

Velegllava, njëri ndër fshatrat e pjesës verilindore të komunës së Kamenicës, dikur kishte rreth 30 shtëpi, por pas viteve të ’70-ta fshati pothuajse u boshatis tërësisht.

Tashmë Velegllava i ka vetëm dy shtëpi. Braktisja e fshatit nga banorët ndodhi për shkak të mungesës së kushteve për jetesë dhe siç thonë ata, edhe për shkak të rrezikut që u vinte nga Serbia.

Velegllava kufizohet me katër komuna që gjenden në Serbi, njëra prej tyre me shumicë shqiptare: Bujanoci, Medvegja, Lebana dhe Vranja.

-Advertisement-

Ata që janë duke jetuar në Velegllavë mbijetesën e sigurojnë përmes bujqësisë, por edhe në këtë vit ata përpos shkollës nuk kanë as qendër mjekësore. Qendra mjekësore më e afërt është në fshatin Roganë të Kamenicës, mbi 20 kilometra larg.

Në dy shtëpitë e mbetura në Velegllavë janë dy vajza të vogla, të cilat vijojnë shkollimin pavarësisht kushteve të rënda atmosferike, sidomos gjatë dimrit, kur ka raste që trashësia e borës kalon njëmetërshin.

Aurora dhe Anita janë vajza të axhës, të cilat vinë nga një familje velegllavase dhe vijojnë mësimet në shkollën më të afërt për to, atë të Velegllavës.

Aurorës 8-vjeçare dhe Anitës 10-vjeçare i duhet t’i kalojnë mbi 3 kilometra rrugë, të mbushur me baltë e përplot me ujë, për të mbërritur në shkollën e fshatit të Velegllavës.

Ato janë dy vajzat e vetme të shkollës së Velegllavës, ndonëse të reja në moshë të dyja e kuptojnë që rruga që ato duhet të ecin për në shkollë nuk është si e fëmijëve të tjerë, është shumë më e komplikuar se aq, shumë më e keqe se aq, sidomos gjatë dimrit, kur kalimi në të bëhet gati se i pamundur, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Atyre u duhet t’i ndërrojnë çdo ditë çizmet e gjata deri në gju për ta kaluar rrugën, të cilën nuk interesohet askush që të paktën t’ua lehtësojë të dyja vajzave të vogla.

Ndonëse vinë nga një familje dy vajzat e axhës shoqërohen çdo ditë nga axha i tyre, që njëkohësisht punon në shkollën ku vajzat vijojnë mësimet. Kjo për arsye se, siç thotë ai, nuk është i sigurt që t’i lejojë ato ta kalojnë rrugën vetëm për shkak të pasigurisë dhe rreziqeve që mund t’i hasin gjatë rrugës, shkruan tutje Gazeta “Zëri”.

Drunjtë në njërën anë, një burim uji në anën tjetër dhe në mes dy shtylla të futbollit të ndërtuara me drurë janë pamja që dy vajzat e hasin çdo ditë në oborr të shkollës.

Edhe Aurora, edhe Anita kanë mësuesen e përbashkët: Rabije Marovca, e cila ua mëson atyre gjuhën shqipe dhe letërsinë, si dhe lëndën e matematikës. Njësoj sikur vajzat, edhe mësuesja Rabije duhet ta kalojë të njëjtën rrugë për të ardhur në shkollë.

Ajo tregon për rrugën që vajzat dhe ajo duhet ta kalojnë vetëm e vetëm për të shkuar në shkollën e Velegllavës, shkollë kjo e cila shpeshherë ua pamundëson mbajtjen e mësimit në mungesë të nxehëses. Ato ngrohen vetëm me një oxhak me dru, i cili nuk arrin ta ngrohë plotësisht dhomën ku ato mbajnë mësimet.

Por, pavarësisht sakrificave, dy vajzat e vogla thonë që ato vinë me dëshirë në shkollë.

E sigurisht që nëse duhet t’i zgjedhin stinët, mes verës dhe dimrit ato preferojnë verën, pasi që rruga është e terur dhe nuk ka probleme të tilla, që do t’i ndalnin ato që të shkojnë në shkollë.

Për Aurorën mbesin edhe 3 klasë, ndërsa për Anitën edhe një klasë, periudhë kjo që u duhet ta kalojnë ato në këto kushte dhe me këto sakrifica për ta filluar sfidën e radhës drejt shkollimit të tyre. Ato pas klasës së 5-të duhet ta vazhdojnë mësimin në fshatin Desivojc, që është afër Velegllaves, por që nuk e lehtëson aspak rrugën që ato do të duhet ta kalojnë çdo ditë.

Ashtu siç i gjetëm vajzat, ashtu edhe i lamë, të kapura dorë për dore drejt çdo sfide që atyre u del para.

Edhe pse ndryshe nga shumë fëmijë të tjerë, për të cilët këto probleme mund të jenë të paimagjinuara, për to janë sfida ditore.

Anitën dhe Aurorën nuk i ndal asgjë, edhe sikur rruga të përmbysej plotësisht ato do ta gjenin një rrugë të re për të mbërritur në shkollën e tyre.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Edhe një storie suksesi – PRINCE CAFFE lidh marrëveshje bashkëpunimi me kompaninë më të madhe në Kroaci të shitjes me…

Të tjera