Lajme

Fryma ndëshkuese në zgjedhjet lokale

Autori: Gazeta inFokus 08:26 | 15 November 2021

Rezultati i zgjedhjeve të fundit lokale në Kosovë, reflekton frymën e ndëshkimit të partive përmes votës së qytetarëve, por edhe të vlerësimit të kandidatëve në mënyrë individuale nëpër komunat e caktuara, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike, Donika Emini dhe Agon Maliqi.

Partitë opozitare të nivelit qendror, në zgjedhjet lokale të fundit në Kosovë, shënuan fitore përballë Lëvizjes Vetëvendosje, e cila udhëheq me pushtetin qendror, të cilin e kishte fituar në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit me mbi 50 për qind të votave.

Fitueset kryesore të zgjedhjeve lokale janë, Partia Demokratike e Kosovës, në nëntë komuna dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, në shtatë komuna. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka fituar në pesë komuna. Ndërkaq, Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka pushtetin në nivelin qendror, ka arritur fitoren në katër komuna.

-Advertisement-

Rezultatet e këtyre zgjedhjeve, sipas tyre Eminit dhe Maliqit, janë reflektim i qytetarëve përballë partive politike në përgjithësi, por edhe reflektim i partive politike opozitare, të cilat kishin marrë mesazhin e qytetarëve në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit, kur vota e tyre i dërgoi ato në opozitë.

Emini: Disfata e Vetëvendosjes për mungesë të kapaciteteve

Donika Emini, drejtore ekzekutive në platformën CiviKos, thotë për Radion Evropa e Lirë se humbësja më e madhe në këto zgjedhje është Lëvizja Vetëvendosje, e cila nuk arriti të fitojë në qytetet më të mëdha të Kosovës, përveç në Gjilan, pavarësisht se rezultati i rivalëve të saj ishte mjaft i ngushtë në komunat si Prishtina dhe Prizreni.

“Humbja e këtyre të dyjave (Prishtinës dhe Prizrenit) është disfatë jo vetëm në aspektin strategjik, por edhe me faktin që pikërisht këto dy komuna janë ato me të cilat Lëvizja Vetëvendosje ka qeverisur. Do të thotë, në Prishtinë ka qenë për një mandat e gjysmë, ndërkaq në Prizren ka qenë për dy mandate. Kështu që në këto të dyja, tregon edhe pse ka pasur ndryshim të qeverisjes lokale, ka pasur një humbje të shpresës së qytetarëve dhe kthim të rezultatit, gjë që tregon një disfatë të Vetëvendosjes dhe një mungesë të kapacitetit që të ketë rrëfim suksesi në nivel lokal”, tha Emini.

Ajo shtoi se në nivelin qendror, Lëvizja Vetëvendosje është ende relativisht e fortë si partia e parë, por jo edhe në nivelin lokal.

Maliqi: Fitore e opozitës dhe ndëshkim ndaj Vetëvendosjes

Njohësi i çështjeve politike, Agon Maliqi, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, thekson që zgjedhjet e fundit lokale në Kosovë, shënuan rikthimin e partive opozitare të nivelit qendror, në qytetet më të mëdha të vendit, sikurse në Prishtinë dhe Prizren. Por, gjithashtu, sipas tij, votuesit treguan se më shumë i vlerësojnë kandidatët si personalitete sesa partitë politike, siç ishte rasti në Gjilan, ku fitoi kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje përballë të atij të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Zgjedhjet e fundit lokale, sipas Maliqit, reflektojnë një gjykim pozitiv të elektoratit për ndryshimet që kanë ndodhur brenda partive politike opozitare dhe në të njëjtën kohë edhe për kandidatët e atyre partive. Por, siç thotë ai, këto zgjedhje reflektuan edhe frymën ndëshkuese të elektoratit ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, si dhe thirrje ndaj saj për reflektim sa i përket pushtetit qendror.

“E kemi një rikthim të skenës politike, në shtrirje të përqindjeve dhe në shtrirje gjeografike, diku te viti 2017. Vetëvendosje, të paktën në nivel të zgjedhjeve lokale, u kthye nga një parti me shtrirje nacionale në të kufizuar, pak a shumë në Anamoravë dhe në Llap, pra në lindje të Kosovës, në katër komuna krejtësisht. Është padyshim, fitorja e opozitës, ndëshkim për Vetëvendosjen, por edhe sinjal se çka pritet prej Vetëvendosjes dhe këtë e tregoi fitorja e saj në Gjilan”, tha Maliqi.

“Reflektimi i opozitës pas marrjes së mesazhit nga votuesit”

Njohësit e zhvillimeve politike, vlerësojnë se fitorja në zgjedhjet e fundit lokale e partive opozitare përballë Lëvizjes Vetëvendosje, ka shumë arsye.

Emini vlerëson që Lëvizja Vetëvendosje, ka pasur probleme me kandidatët për kryetarë të komunave, sepse duke qenë e vetme në qeverisje në qendrore, kapacitetet humane i kishte të kufizuara. Ndërkaq, sipas saj, mungesa e fuqisë së Partisë Demokratike të Kosovës në nivelin qendror, i hapi rrugën asaj që për kryetar të komunave t’i fusë në garë kandidatët më të mirë që ka, si dhe të shfrytëzojë votuesit e saj të shumtë, siç i quan ajo, klientë.

Lidhja Demokratike e Kosovës, siç thotë ajo, ka shënuar suksesin më të madh me fitoren e kandidatit të saj për kryetar të Prishtinës, ndonëse ai nuk është fare politikan, të paktën i karrierës, ndërkohë që fitoi edhe në gjashtë komuna të tjera, por humbi një nga qytetet e mëdha sikurse Gjilani, ku fitoi kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje.

Sipas saj, zgjedhjet e fundit lokale treguan që asnjë kandidat i partive politike nuk kishte rehatinë, sepse, siç vlerëson ajo, votuesit janë emancipuar, sidomos për zgjedhjet në nivelin lokal, duke kërkuar projekte konkrete për të ardhmen dhe jo që zgjedhjet të fitohen duke u ankuar për të kaluarën. Kjo, siç thotë Emini, i bëri partitë politike, sidomos ato të opozitës, që paraprakisht të reflektojnë.

“Kështu që, kemi të bëjmë me vetëdijesimin e partive politike, reflektim të opozitës, marrjes së mesazhit të qartë për Vetëvendosjen që qytetari nuk është naiv dhe që nuk harron. Dhe normalisht që edhe partitë politike kanë filluar të reflektojnë, ndonëse kjo mund të jetë vetëm fasadë dhe mund të jetë vetëm për kandidatët dhe për zgjedhjet dhe jo domosdo e reflekton reformimin e thellë që këto parti duhet ta bëjnë së shpejti”, theksoi Emini.

“PDK dhe LDK po e kthejnë elektoratin”

Agon Maliqi thotë që megjithatë, Lëvizja Vetëvendosje nuk pati rezultat shumë të keq edhe në komunat e mëdha, sepse aty humbi me rezultat të ngushtë. Sipas tij, kjo tregon se kjo parti, ndryshe nga ato të opozitës, PDK-ja dhe LDK-ja, nuk kishte bashkëpunim me shumë partnerë.

Lëvizja Vetëvendosje, siç thotë ai, hyri në zgjedhje lokale me bindjen se ka 50 për qind të votuesve, por, një pjesë e madhe e votuesve të presidentes aktuale Vjosa Osmani, e cila në zgjedhjet parlamentare ishte në Listën e Vetëvendosjes, i janë kthyer Lidhjes Demokratike të Kosovës, ku bënte pjesë dikur Osmani.

Ndërkaq, PDK-ja , siç thotë ai, në masë të madhe i ka strukturat e disiplinuara, ka narracionin e vet historik dhe votuesit besnikë. Maliqi thotë se PDK-ja ka bërë hapin e duhur me lidershipin, duke u hapur rrugën figurave të reja për prirjen e partisë.

“Mendoj që organizimi është fuqia e PDK-së, por edhe kandidatët e mirë. Ta zëmë, Bedri Hamza (Mitrovicë e Jugut) dhe Shaqir Totaj (Prizren) janë figura të respektuara në qytetet përkatëse. Kështu që një kombinim i këtyre faktorëve, tregon që ajo braktisja e PDK-së, por edhe e LDK-së, që ndodhi në zgjedhjet (parlamentare) të shkurtit, ishte më shumë rrethanore dhe ndëshkuese. PDK-ja dhe partitë (opozitare) kanë reflektuar dhe po e rikthejnë elektoratin”, theksoi Maliqi.

Partia Demokratike e Kosovës, sipas rezultatit të rundit të parë dhe rezultateve preliminare të balotazhit në 22 komuna, të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka arritur të fitojë në komunat: Prizren, Vushtrri, Dragash, Drenas, Kaçanik, Mitrovicë e Jugut, Ferizaj, Skenderaj dhe Hani i Elezit.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka fituar në komunat: Prishtinë, Fushë Kosovë, Viti, Junik, Istog, Pejë dhe Lipjan.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka fituar në komunat; Gjakovë, Rahovec, Klinë, Deçan dhe Suharekë.

Vetëvendosje arriti të fitojë në Gjilan, Podujevë, Kamenicë dhe në Shtime.

Sipas rezultateve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), nga një komunë në këtë garë kanë fituar Nisma Socialdemokrate, partia turke KDTP, Lista Serbe dhe Iniciativa Qytetare për Obiliqin.

Lista Serbe ka fituar në dhjetë komunat e banuara me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan, Graçanicë, Novobërdë, Shtërpcë, Ranillug, Partesh dhe Kllokot.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Nëntori sjellë Magjinë në ETC
-Advertisement-

Të tjera