Lajme

Frashër Krasniqit i rrezikohet mandati i deputetit

Autori: Gazeta inFokus 10:53 | 20 November 2017

Ndonëse në Zgjedhjet e Përgjithshme të Qershorit mori rreth 8 mijë vota dhe fitoi mandatin e deputetit në Kuvendin e Kosovës, dënimi me 8 vjet burg nga Gjykata Themelore dhe caktimi i paraburgimit bëjnë që Krasniqi të humbas mandatin e deputetit.

Krasniqi së bashku me 3 aktivistë të tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje u dënuan nga Gjykata Themelore me me 21 vjet e gjysmë burg më 17 nëntor të këtij viti, nën akuzën se kanë sulmuar Kuvendin e Kosovës.

Si rrjedhojë e këtij dënimi, ndaj Krasniqit u caktua masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e vendimit, e kjo pamundëson që Krasniqi të jetë pjesë e seancave të Kuvendit të Kosovës.

-Advertisement-

Rregullorja e Punës së Kuvendit të Kosovës, në nenin 23 të saj përcakton rastet kur mund të humbet statusi i deputetit të Kuvendit të Kosovës.

Pika e) e këtij neni përcakton se mandati i deputetit mund të humbet kur një deputet i zgjedhur mungon për 6 muaj rresht në mbledhje të Kuvendit.

“Mandati i deputetit humbet nëse në periudhën gjashtëmujore nuk merr pjesë në asnjë mbledhje të Kuvendit. Nëse deputeti nuk ia dëshmon faktet bindëse për çështjen Kryetarit të Kuvendit, Kryetari e kërkon rekomandimin e Komisionit për Mandat, Imunitet dhe Rregullore. Pas rekomandimit të Komisionit Kryetari ia propozon Kuvendit pushimin e funksionit të deputetit. Kuvendi vendos për çështjen në mbledhje të radhës”, përcakton rregullorja e punës së Kuvendit të Kosovës.

Kodi i Procedurës Penale të Kosovës përcakton se masa e paraburgimit caktohet çdo herë kur dënimi i shqiptuar nga Gjykata e Shkallës së parë është më i lartë se 5 vjet burg.

Se Krasniqi rrezikon mandatin e deputetit, është i vetëdijshëm edhe avokati i tij Tomë Gashi.

“Nëse vendimi nuk ndërprehet apo nëse nuk ndryshohet nga Gjykata e Apelit, atëherë sigurisht se ky nuk mund të merr pjesë në seancat në Parlamentin e Kosovës dhe mund edhe ta humb statusin e deputetit nëse nuk mund të marrë pjesë më shumë se 6 muaj”, tha Gashi.

Gjithashtu përpos pamundësisë për të marrë pjesë në seanca për gjashtë muaj, rregullorja e punës së Kuvendit të Kosovës gjithashtu përcakton edhe një rast kur deputetit mund të humb mandatin e tij.

”Dënohet për një vepër penale me burgim për një periudhë kohore prej nj(1) e më shumë vjet”, përcaktohet në pikën d) të nenit 23 të rregullores.

Krasniqi aktualisht është i dënuar nga Gjykata e Shkallës së parë me 8 vjet burg dhe nëse Gjykata e Apelit e konfirmon këtë vendim apo i ulë dënimin në më shumë se 1 vit, atëherë përsëri Krasniqi do të rrezikonte të humbiste mandatin.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Vetëm edhe 4 ditë nga Bootcamp me Alan Greenberg, ish-Drejtorin për Edukim në Apple, Apliko Tani
-Advertisement-

Të tjera