Lajme

Franca alarmon botën: Irani brenda një apo dy vjetësh bëhet me armë bërthamore

Autori: Gazeta inFokus 21:56 | 10 January 2020

Ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Yves Le Drian, ka paralajmëruar se Irani mund të ketë armë bërthamore brenda një ose dy vitesh, nëse Teherani vazhdon të shkelë marrëveshjen bërthamore me fuqitë botërore.

Kryediplomati francez e bëri deklaratën përpara një takimi urgjent të ministrave të jashtëm të Bashkimit Europian, i cili mbahet për shkak të tensioneve në rritje midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara. Javën e kaluar Shtetet e Bashkuara vranë komandantin e lartë iranian, Qasem Suleimani, përmes një sulmi ajror në Bagdad. Forcat Kuds të cilat udhëhiqeshin nga Soleimani, konsiderohen terroriste nga ana e Shteteve të Bashkuara.

Më pas, Irani sulmoi me raketa balistike bazat ushtarake në Irak ku ishin të strehuara forcat amerikane. Teherani njoftoi se do të ndalojë së zbatuari kufizimet që parashihen me marrëveshjen bërthamore. Presidenti amerikan, Donald Trump, tha në vitin 2018 se Shtetet e Bashkuara po tërhiqeshin prej marrëveshjes dhe do të rivendosin sanksione të ashpra ndaj Iranit. Ky i fundit këmbëngul se programi i tij bërthamor është vetëm për qëllime civile.

-Advertisement-

Presidenti amerikan, Donald Trump, pretendon se marrëveshja ishte e pamjaftueshme dhe duhet të ri-negociohej pasi nuk e zgjidh problemin e programit të raketave balistike të Iranit ose përfshirjen e tij në konfliktet rajonale. Në të njëjtën kohë, rivendosja e sanksioneve amerikane ka shkaktuar një dëm të madh në ekonominë e Iranit.

BE-ja ka thënë se nuk do të “kursejë asnjë përpjekje” për të mbajtur të gjallë marrëveshjen bërthamore, pavarësisht tensioneve të përshkallëzuara midis Uashingtonit dhe Teheranit.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera