Fotografia nga Rambuje me Rugovën e gërvishur e gjetur në shtëpinë e Jakup Krasniqit pranohet si provë në Hagë
Autori: Gazeta inFokus
12:15 | 28 May 2024
Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, dëshmitarit Jan Kickert iu prezantua një fotografi, në të cilën u tha se shihej delegacioni i Rambujesë, e që në të ishte i gërvishtur ish-Presidenti Ibrahim Rugova. Gërvishtja pretendohet se u bë nga Jakup Krasniqi.
Pasi dëshmitari identifikoi që personi që është gërvishtur në fotografi është Rugova, prokurori kërkoi që kjo provë të pranohet në prova materiale.
Por, duke u përgjigjur në pyetjen e trupit gjykues, prokurori John Capin tha se fotografia e dëmtuar e cila është gjetur në shtëpinë e Krasniqit, reflekton ndjesinë e armiqësisë që ka pas i akuzuari ndaj Rugovës.
“Me sa kam unë dijeni, kjo është marrë nga një album fotografik nga shtëpia e Jakup Krasniqit. Është një prej shumë fotografive, por asnjë nga fotografitë e tjera nuk është e gërvishtur dhe e dëmtuar si kjo fotografi. Ne mendojmë se kjo fotografi është dëmtuar sepse reflekton ndjesinë që ka pasur ky i akuzuar kundrejt këtij personi, armiqësinë pra”, tha prokurori Capin, duke shtuar se mendojnë që këtë gjë e ka bërë Krasniqi.
Përpara kësaj, pranimin e kësaj fotografie si provë materiale e kundërshtoi mbrojtja e Krasniqit, përmes avokatit Aiden Ellis.
Ellis tha se ajo ka efekt paragjykues pasi që nuk dihet se në çfarë rrethanash është gjetur në shtëpinë e Krasniqit.
“E kundërshtojmë për shkak se nuk ka relevancë dhe nuk ka asnjë vlerë provuese. Sipas nesh, ky nuk është një dokument që shërben për t’i identifikuar anëtarët e delegacionit të Rambujesë sepse trupi gjykues ka shumë materiale në lidhje me Rambujen, por ky është paragjykues si dokument sepse është gërvishtur fotografia e Ibrahim Rugovës, kjo është e vërtetë. Prokuroria nuk është në gjendje ta thotë kush e ka gërvishtur fotografinë e tij, kur është gërvishtur fotografia e tij dhe jam i bindur që prokurori do të thotë që ky është një dokument që është gjetur gjatë bastisjes së shtëpisë së zotëri Krasniqi”, tha Ellis.
Ai gjithashtu tha se kjo fotografi nuk ka asnjë provë se s’i ka përfunduar në shtëpinë e Krasniqit dhe sipas tyre relevanca është shumë e vogël.
“Nuk ka asnjë provë që vërtetohet se si ka përfunduar kjo fotografi në shtëpinë e zotëri Krasniqi dhe mendojmë që relevanca është shumë e vogël dhe ka një efekt paragjykues të pranohet kjo fotografi pa u vërtetuar… në ç’kusht është gjetur kjo fotografi në shtëpi të Krasniqit. Ne mendojmë që efekti cenues dhe paragjykues që ka kjo fotografi është tepër i dëmshëm edhe nuk ka asnjë vlerë provuese”, tha Ellis.
Megjithatë, kryetari i trupit gjykues Charles Smith tha se kjo fotografi do të pranohet në prova materiale e që vlera provuese e saj do të përcaktohet më vonë nga trupi gjykues.
Personat që identifikoi dëshmitari Kickert në fotografinë për të cilën u diskutua në seancë, ishin Xhavit Haliti, Ibrahim Rugova, Fehmi Agani, Skender Hyseni, e të tjerë.
“Xhavit Halitin, Skender Hysenin, Ibrahim Rugovën, Ramë Bujën, Bren Shala, Veton Surroin, Fehmi Aganin, është edhe dikush tjetër nga opozita këtu dhe krejt në të majtë Jakup Krasniqi, Hidajet Hyseni”, tha ai.
Përpara kësaj, dëshmitari pohoi se ka kontaktuar me Hashim Thaçin përmes telefoni në vitin 1998 dhe 1999.
“Kam supozuar që ai më kontaktonte me telefon satelit. Më thirrte në telefonin tim celular dhe kam menduar se po përdorte telefon satelit se telefonat celularë në atë kohë në Kosovë nuk qëndronin në të gjithë territorin”, tha ai, duke shtuar se nuk e ka parë ndonjëherë atë që të përdorte telefon satelitor.
Prokurori u fokusua gjithashtu edhe për një sërë takimesh që kishte pasur dëshmitari me Hashim Thaç in, Kadri Veselin e Jakup Krasniqin në korrik të 1998-ës për të cilat tregoi cili ishte qëllimi i tyre si diplomatë.
“Qëllimi jonë ishte të identifikojmë një person të UÇK-së që do të ishte në gjendje të përfshihet në procesin politik dhe të ishte me autoritet në emër të UÇK-së”, tha ai, duke shtuar se nuk dinin asgjë për UÇK-në se si funksiononte.
Ndërsa, për një takim tjetër i cili ishte mbajtur në janar të 1999 lidhur me lirimin e pesë ushtarëve serbë, dëshmitari tha se ka qenë takim i gjatë për shkak se anëtarët e UÇK-së konsultoheshin dhe kishin përshtypjen se vendimmarrja ishte kolektive.
“Ka qenë takim i gjatë sepse mendoj se nuk mund të merrej vendimi menjëherë. Për t’u konsultuar mbase. Përfaqësuesit shqiptarë të Kosovës në atë takim konsultoheshin me të tjerët. Nuk ishte e pazakontë diçka e tillë. Gjatë gjithë angazhimeve që kemi pasur me UÇK-në nuk ka pasur një person që mund ta merrte vendimin vetë. Ne, kishim përshtypje se vendimmarrja ishte kolektive”, tha ai.
Diplomati austriak nis dëshminë në Hagë, ZPS thotë se është takuar me katër të akuzuarit gjatë luftës në Kosovë
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka filluar dëshminë dëshmitari i 68-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Jan Kickert, i cili mban kodin W02144 në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selmit dhe Jakup Krasniqit.
Sipas përmbledhjes së lexuar nga prokurori John Capin, ky dëshmitar gjatë vitit 1997 deri në vitin 1999 ka punuar si diplomat austriak në Serbi dhe se është takuar me krerë të UÇK-së duke përfshirë katër të akuzuarit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Nga fundi i vitit 1997 deri në mars të vitit 1999, Jan Kickert ka punuar në Beograd si diplomat austriak. Në fillim të vitit 1998 ka udhëtuar në Kosovë i ngarkuar për t’u takuar me udhëheqësit e partive, ndërkombëtarë dhe anëtarëve të tjerë. Vizitat e Kickert në Kosovë janë bërë më të shpeshta në pjesën e dytë të vitit 1998 pasi ai ishte udhëzuar të krijojë një pikë kontakti me udhëheqjen e UÇK-së për t’i angazhuar ata në procesin politik. Për të arritur këtë qëllim, ai ka marrë pjesë në disa takime me anëtarë të Shtabit të Përgjithshme; përfshirë Hashim Thacin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin”, tha prokurori Capin.
Prokurori Capin tha se dëshmitari ka marrë pjesë në një takim për të diskutuar lidhur me lirimin e disa ushtarëve serbë.
“Në korrik të vitit 1998, Kickert u takua me Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe pastaj ndaras me Jakup Krasniqin. Më 1999, Kickert mori pjesë në takim për të negociuar lirimin e ushtarëve serbë. Kickert ishte vëzhgues gjatë negocitave gjatë dhe pas Konferencës së Paqes në Rambuje, duke ndërvepruar me udhëheqjen UÇK-së, duke përfshirë edhe Hashim Thaçin. Në mars të vitit 1999, Kickert mori pjesë në një takim për të diskutuar marrëveshjen e Rambujesë me udhëheqësit e UÇK-së duke përfshirë Rexhep Selimin, Jakup Krasniqit”, tha Capin.
Më 1999, u tha se ishte këshilltar politik i UNMIK-ut.
Dëshmitari pohoi se ka dhënë dëshmi edhe në rastin e Fatmir Limajt. Si rrjedhojë e seancës, në prova materiale u pranuan dy dëshmitë e dëshmitarit të dhëna më herët pranë autoriteteve të drejtësisë së bashku me materialet përcjellëse.
Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, dëshmia e këtij dëshmitari do të zgjasë rreth tetë orë e gjysmë e që një prej tyre është parashikuar për pyetjet e ZPS-së ndërsa shtatë e gjysmë për kundërpyetjet e mbrojtjes.
Vlen të theksohet se të gjithë të akuzuarit janë prezent në sallën e gjyqit, përveç Jakup Krasniqit i cili është i pranishëm përmes video-lidhjes.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /Betimi për Drejtësi

T� tjera
-
Kurti bisedon me Rutten në Dublin: Anëtarësimi i Kosovës në NATO i shërben sigurisë në Evropë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar një bisedë me Sekretarin e P...
-
KFOR organizon ushtrimin “Golden Sabre” në Kampin Vrella, marrin pjesë edhe Policia, EULEX-i dhe FSK-ja
Forca e Kosovës (KFOR) do të zhvillojë ushtrimin “Golden Sabre” në Kampin Vre...
-
Nëna nga Gjakova e raporton djalin e saj në polici, ai dërgohet në mbajtje
Një rast i dhunës në familje është raportuar të ketë ndodhur në Gjakovë. S...
-
Burri la tre fëmijët në rrugë në Prishtinë, ish-gruaja e raporton në polici për sulm
Një rast i dhunës në familje është raportuar në Prishtinë, ku një grua dyshoh...
-
Dhunë në familje në Podujevë, Prishtinë, Gjakovë dhe Malishevë, në njërin rast gjenden armë dhe municion
Policia e Kosovës ka raportuar disa raste të dhunës në familje në raportin 24...
-
Një person gjendet pa shenja jete në shtëpinë e tij në Prizren
Një person është gjetur pa shenja jete në shtëpinë e tij në Prizren. Rasti...
-
Të martën shpallet aktgjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve për administrim të drejtësisë
Pasnesër pritet të shpallet aktgjykimi ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ...
-
Bilanc tragjik këtë të shtunë në Shqipëri – Tre të vdekur brenda pak orësh në aksidente, pesë të lënduar
Tre të vdekur dhe pesë të lënduar është bilanci i aksidenteve në rrugë gjatë ...
-
Haziri: Republika mban autorësinë e Rugovës, Adem Jashari e kryengritësit e tjerë janë meritë e tij, Demaçit, Bukoshit e Ahmet Krasniqit
Lutfi Haziri nga Lidhja Demokratike e Kosovës, duke reaguar lidhur me debatin...
-
Cili është kanceri më i rrezikshëm i lëkurës që po shënon rritje? Dermatologia zbulon detajet alarmuese!
Dermatologia Shkëndije Dobruna, në emisionin “Doktor Plus”, ka folur për lloj...
-
Shiroka Pula në Ballon e Marinsave: Amerika është shumë më tepër se një aleat strategjik
Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, mori pjesë në Ballon e Marinsave...
-
Vergori në vizitën e dytë në Beograd një muaj pasi mori detyrën – çfarë diskutoi me shefin e ushtrisë serbe?, KFOR jep detaje
Komandanti i KFOR’it, Roberto Vergori, sot në Beograd është takuar me shefin ...

































