Ekonomi

FMN kundër Projektligjit për mësimdhënësit e viteve 90-ta

Autori: Gazeta inFokus 15:15 | 26 June 2018

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) edhe një herë është shprehur kundër Projektligjit për mësimdhënësit e viteve 90-ta.

Ruud Vermeulen nga ky institucion vlerësoi se që kjo formë e Projektligjit është shumë e dëmshëm për buxhetin e Kosovës. Sipas tij, jepen pensione gjeneroze dhe kjo zemërgjerësi nuk do të vërehet në dy vitet e para.

Vermeulen tha se pas miratimit të këtij Projektligji edhe kategoritë e tjera do të kërkojnë benificione, raporton Ekonomia Online.

-Advertisement-

”Ne e kemi përcjellë diskutimin sidomos në fushën e kostos. Nga FMN ne njohim shërbimin e mësuesve në vitet e 90-ta.  Ne mendojmë që projektligji në këtë formë është shumë i dëmshëm per buxhetin e Kosovës. Ne mendojmë që po jepen pensione gjeneroze. Një mësues që punonte vetëm një vit do të merrte një pension që një punëtor tjetër meriton nëse punon 40 vjet”.

“Kjo zemërgjerësi nuk do të vërehet në vitin e parë ose të dytin dhe mund të arrijë deri në 1 për qind të GDP. Pajtohem me Ministrinë e Financave që nuk ka qartësi për numrin e përfituesve. Përtej kostos ne jemi të shqetësuar për efektin ngjitës për të tjerët. Ne e dimë se në momentin që kalon ky ligj punëtorët e tjerët do të kërkojnë për benefite të ngjashme”.

Këto komente ai i bëri në Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi ku u mbajt dëgjim publik lidhur me Projektligjin për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Kosovës nga viti shkollor 1990/91 deri në vitin shkollor 1998/99.

Edhe Zëvendësministri i Financave (MF), Fatmir Gashi, thotë se nuk janë kundër këtij Ligji, por kanë rezerva sa i përket kostos së tij. Ai tha se në ligj duhet të përcaktohet saktë kush dhe sa përfiton.

“Problemi kryesor është llogaritja e kostos. Është e pamundur të llogaritet kostoja. Mendojmë që ligji duhet të caktojë saktë kush sa përfiton. Nuk janë të kyçura këto shpenzime sepse s’kemi mundur të llogarisim këto shpenzime. Na del kostoja vjetore rreth 32 milionë euro. MF s’ka asgjë kundër ligjit, ka rezerva lidhur me koston e ligjit. Deputetët mos ta përsërisin ligjin e njëjtë, kemi filluar me veteranët, të bëhet kostimi pastaj të ecim përpara me ligjin”.

Përfaqësuesi i Sindikatës së Arsimit, Imer Ymeri, tha se numri i përfituesve që ka thënë MF-ja prej 9 mijë e 656 pensionistë është i fryrë sepse sipas tij, në këtë numër është llogaritur se nuk ka vdekur asnjë përfitues.

Sipas tij, nga ky numër i bie që të përfitojnë rreth 5 mijë e 900 ish-mësimdhënës, pasi siç tha rreth 3 mijë e 600 prej tyre kanë vdekur.

“Te kostoja buxhetore sipas versionit qe ka dhënë vet ministria e financave thotë  se numri i përfituesve është 9 mijë 656 pensionistë që është numër i fryrë, nuk është llogaritur që ka vdekur askush. Llogaritet që kanë 100 vjet ata punëtorë të arsimit. 3 mijë e 600 persona kanë vdekur prej tyre, 5987 i bie që përfitojnë. Flitet në ligj që kanë me gëzuar benifitet fëmijët e moshës 18 vjeçare, por s’ka pensionist që është 73 vjeçar e që ka fëmijë 18 vjeçar”.

Isni Kryeziu nga Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), tha se nuk ka dilema sa i përket numrit të përfituesve. Ai shtoi se kostoja për tri vitet e ardhshme është 16 milionë euro.

“Nuk ka asnjë dilemë se sa është numri i përfituesve, është i precizuar në nenin 6. Vitin e ardhshëm do të jenë 10 mijë e 808 përfitues, krejt është e qartë. Shuma për tri vitet është 16 milionë. Dilema tjetër që po shtrohet është se nuk dihet saktë numri i përfituesve. Në vitin 1992 janë 19614 përfitues, më 1996 janë 22 721 përfitues, ndërsa në vitin 1998 janë 23 496 përfitues”.

Agron Demi nga instituti GAP, tha se kostoja e këtij projektligji është 650 milionë euro. Sipas Demit kostoja e vjetore e Projektligjit rritet nga 32 milionë euro në 37 milionë nëse miratohet ky Projektligj dhe ai për pagat.

“Është e pamundur të dihet kostoja buxhetore. Është problematike që një tjetër ministri e sponsorizon një tjetër e zbaton. Ne kemi përmendur 4 lëshime, e para qe jo të gjithë kualifikohen për pensionin 240 euro. Prej 32 milionë ne e kalkuluam se do të jenë 37 milionë euro në vit nëse aprovohen këto dy projektligje. Kanë filluar kërkesat e pronave të shtëpive shkolla që s’janë përshirë në ligj, janë mbi 3 mijë pronarë”.

Deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu, tha se për pesë vjet janë duke e pritur këtë projektligj dhe se me të dikush po tenton të bëjë politikë.

“Kemi bërë kërkese të vazhdueshme kuvendit për të sjellë ligjin. Pesë vite dokumente përfundime të komisionit drejtuar kuvendit dhe kemi pas debate. Për pese vite pritëm, për të ardhur në kuvend dhe tani ne si deputetë. Dikush po tenton të bëjë politikë pas votimit në parlament dhe kjo është lojë e shumëfishtë se di e kujt, po dua të besojë që jo prej partive politike. Më befason kur thuhet prej ministrisë së Financave se nuk e dimë kush është përfituesi”.

Deputeti i VV-së, Driton Çaushi, tha se para se të futen në obligime afatgjate, sipas tij Kosova ka nevojë për një kod unik pensional.

“Askush nuk e konteston kontributin e punëtoreve të arsimit. Ky diskutim do te duhej të ishte në nivel të trajtimit te rrezikut dhe dëmeve. Ne do të japim vërejtët tona në lexim të dytë, por ne po futeni në obligime pa menduar në afatgjate nevojën që Kosova të këtë kod unik pensional. Besoj që duhet të pajtohemi që të gjitha kategoritë kanë të drejtë për konsideratë të barabartë, të gjithë që kanë dhënë kontribut në të njëjtën kohë dhe kjo natyrisht që do të ketë implikime”.

Deputeti i PDK-së, Nezir Çoçaj, tha se është shqetësuese që ministritë nuk kanë të dhëna të sakta sa i përket numrit të mësimdhënësve dhe kostos buxhetore. Sipas tij, ky Projektligj nuk e rrezikon buxhetin e Kosovës.

“Shqetësues është qe tri ministritë s’kanë të dhenë konkrete as te numrit të mësimdhënësve e as të kostos. Mësuesit janë ata qe kanë dhënë kontribut në procesin arsimor në rrethanat më të vështira, duhet ne dhe partnerët tanë ta kenë parasysh, mësuesit dallojnë nga akterët tjerë. Nuk mendoj që kemi kosto që e rrezikon buxhetin”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
FREE FRIDAY ME ZBRITJE DERI 70%
-Advertisement-

Të tjera