Lajme

Fluks i madh i fëmijëve të prekur nga viruset sezonale, për 24 orë deri në 150 vizita në Emergjencën Pediatrike në QKUK

Autori: Gazeta inFokus 20:44 | 25 March 2023

Viruset tek fëmijët janë të shpeshta sidomos në sezonin dimëror, por edhe në atë të pranverës.Reparti i Emergjencës Pediatrike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ditëve të fundit ka pranuar numër të madh të fëmijëve të prekur nga viruset e stinëve.

Kështu tha doktoresha Afërdita Selmanaj, pediatre si dhe shefe e Emergjencës pediatrike në QKUK.Sipas saj, për shkak të viruseve që janë në qarkullim këto ditë kanë pasur shtim të numrit të rasteve.

Ajo tregoi se në Emergjencën pediatrike diku për 24 orë janë vizituar 150-160 pacientë, ndërkaq, 20-25 prej tyre janë hospitalizuar.“Si simptomë kryesore ka dominuar temperatura deri në 40 gradë, e cila ka zgjatur 5-7 ditë. Por ka pas edhe simptoma tjera kollitje, lodhje, dhimbje fyti – simptoma të gripit. Më e atakuar ka qenë mosha e vogël nga 0-3 vjeç”, ka thënë Selmanaj.

-Advertisement-

Por, doktoresha tregoi se në këtë repart vijnë të gjitha rastet, edhe ato pa udhëzim nga Qendrat e Mjekësisë Familjare (QMF).

Ndërsa, infermierja e këtij reparti, Lavdie Bytyqi theksoi se për shkak të prezencës së virusit numri i pacientëve është i madh.

Mirëpo, siç tha ajo pavarësisht numrit të madh, ata janë në shërbim të pacientëve 24 orë.“Për shkak të prezencës së virusit tani që e kemi, numri i pacientëve është bukur i madh. Pavarësisht numrit të madh të pacientëve ne jemi 24 orë në gjendje gatishmërie të kryejmë shërbimin tonë ashtu siç na takon neve si infermierë. Shumica e pacientëve vijnë të udhëzuar nga QMF-të, por edhe ata të cilët vijnë direkt nga shtëpia, trajtimin e marrin të gjithë njësoj”, ka thënë Bytyqi.

Ekipi i mediumit sa qëndroi në këtë repart për të shikuar nga afër situatën e fluksit të madh të fëmijëve bisedoi dhe me disa prindër, të cilët i kishin sjell fëmijët e tyre për kontroll.Vjollca Sejdiu Zeka, e cila kishte ardhur për t’ia kryer një kontroll vajzës së saj tregoi simptomat e këtij virusi.

“Kam ardhur në vizitë për të kontrolluar vajzën. Ka simptoma dhimbje barku, edhe ethe ka pas mbrëmë. Më orientoi doktoresha e shtëpisë së shëndetit, shërbimi ishte shumë i mirë, kontrolli që iu bë vajzës ishte shumë mirë”, tha ajo.Ndërsa, një nënë tjetër Florentina Reçica, e cila e kishte sjell vajzën e saj 1 vjeçare për kontroll tregoi për shërbimet që i ofron ky repart.

“Temperaturë, kollë, hundë… sot e solla këtu në kontroll. Nga Vranidolli e bij këtu, ia bëj kontrollet, janë shumë mjekë të mirë”, ka thënë ajo./Telegrafi/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
KosovaMed përmbyll vitin me sukses – dhuron donacione për QKMF-në e Junikut
-Advertisement-

Të tjera