Lajme

Flora Brovina dorëhiqet javën tjetër?

Autori: Anita Krasniqi 15:21 | 23 May 2019

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Flora Brovina shokoi opinionin publik javën e kaluar me  fotografinë e famshme për krimet e luftës të prezantuar në Kuvendin e Kosovës.

Më shokuese se sa përmbajtja doli origjina e fotografisë, e cila ishte marrë nga një film pornografik në Irak, shkruan Gazeta inFokus.

E për këtë veprim ajo duket se ka vendosur ti jap fund aktivitetit politik në Kuvendin e Kosovës.

-Advertisement-

Burime të sigurta të Gazetës inFokus kanë thënë se Flora Brovina pritet të jap dorëheqje në fillim të javës së ardhme.

Mësohet se ajo ka kërkuar nga kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, pjesë e të cilës është edhe Brovina, ta liroi nga detyra e deputetes.

Lidhur me këtë rast asnjë nga deputetët e kësaj partie nuk i janë përgjigjur Gazetës inFokus për të dhënë më shumë informacione nëse Brovina do të jap dorëheqje.

E vendin e saj në Kuvend pritet ta zë Leonora Bunjaku nga PDK.

Këtë e ka konfirmuar për gazetën inFokus, Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI).

Sipas tij, legjislacioni në fuqi nuk njeh mundësinë e shkarkimit të deputetëve, si formë e mbarimit të mandatit të tyre. Në rastin në fjalë, mandati i deputetes Brovina mund të ndërpritet vetëm në rast së dorëheqjes së saj.

“Ndërsa, sa i përket zëvendësimit, Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme parasheh që deputeti të zëvendësohet nga kandidati i gjinisë së njejtë, që ka numrin më të madh të votave, dhe që në listën me të cilën është garuar në zgjedhje. Në bazë të listës së zgjedhjeve të fundit, deputetja që do t’a zëvendësoj Flora Brovinën është Leonora Bunjaku, e cila ka garuar në listën e koalicionit PAN”, ka thënë Cakolli.

Zeka: Në mbrojtje të Brovinës

Përkundër skandalit, Brovinës i del në mbrojtje deputeti i Nisma-s, Milaim Zeka.

Zeka për Gazetën inFokus ka thënë se ajo mbetet një heroinë, dhe, sipas tij asnjë deputet normal nuk do të duhej të kërkonte dorëheqjen e saj.

“Nuk ka deputet që mundet të kërkoj dorëheqjen e saj. Është çështje personale, individuale. Për mu skandal më i madh është videoingjizimet e Kadri Veselit sesa ajo që ka bërë Flora. Ju kanë gju në shpinë një njeriu që tan jetën e vet ka nejt nëpër burgje, a kanë humanizën këta njerëz? E thash në parlament, Flora Brovina është personalitet botëror, un thash e ka lëshu memoria, çfarë torturash ka përjetuar ajo”, ka thënë Zeka.

Ndërsa aktivisti i shoqërisë civile, Haki Abazi, për këtë skandal ka thënë se deputetja Brovina është shfrytëzuar duke ia përdorur reputacionin e saj.

Siaps tij, përveç që ka qenë e orkestruar deri në fund ka qenë gjithashtu e përgatitur në momentin ku skenari derisa është diskutuar në parlament formimi i Tribunalit Ndërkombëtar, “e kanë bërë që me u duk keq opozitën nëse kishin tentu me pas diskutim për këtë punë, e kanë bërë publike fotografinë ku iu ka dhënë”.

“E kanë përdor duke menduar që një grua në moshë dhe gëzon një reputacion për të kaluar e saj mund me qenë imune ndaj marrëzirave që mundem me ndodh. Kjo është turp që luhet me kredibilitetin e institucionit e aq më tepër hiprokizia që përdoret të viktimizohet ajo për të falur atë që ka bërë duke harruar nivelin e përgjegjësisë si anëtare e parlamentit të Kosovës”, ka thënë Abazi./Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera