Lajme

Fletarrest ndërkombëtar për bosët e Serbisë

Autori: Gazeta inFokus 13:40 | 24 May 2019

Me kërkesë të Gjykatës kompetente, në Ministrinë e Drejtësisë është dorëzuar urdhëresa për lëshimin e fletarrestit ndërkombëtar për tre persona, ndërsa këto fletarreste kanë arritur edhe në Drejtorinë e Policisë së Kosovës për rajonin e veriut.

Burime të KosovaPress-it bëjnë të ditur se bëhet fjalë për bosët e nëntokës në atë pjesë të vendit, Zvonko Veselinoviq, Millan Radojçiq dhe Millan Mihajlloviq i njohur me nofkën ‘Pop’l.

Veselinoviq, Radojçiq dhe Mihajlloviq, për banorët e veriut janë të njohur si sinonim i nëntokës, i dhunës, kërcënimeve dhe distribuimit të narkotikëve.

-Advertisement-

Sipas këtyre burimeve, ata punojnë së bashku kohë të gjatë dhe përveç që kanë pasuri marramendëse, janë të lidhur edhe me kompanitë më të mëdha në Serbi.

“Bosët e veriut kanë qenë të akuzuar për pasurim të paligjshëm edhe në Serbi, derisa nga partnerët e tyre, kompanitë dhe bankat, janë konsideruar si klientë shumë të rëndësishëm. Mirëpo në fund të gjykimit para disa viteve, u konstatua se aktakuza ndaj tyre  ka qenë e motivuar politikisht dhe si e tillë, me ndërrimin e pushtetit në Serbi, ka përfunduar në shportën për bërllok të Gjykatës speciale  për krim të organizuar në Beograd”, thotë burime të KosovaPress-it.

Burimet më tej shtojnë se bosët pasi janë liruar me ‘duar dhe fytyrë të pastër’, kanë arritur ndër vite që me punë të kundërligjshme të ngrisin pasurinë dhe pushtetin e tyre, si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi.

Emri i Millan Radojçiqit, i njohur më shumë për opinionin kosovar si nënkryetar i Listës serbe, ndërlidhet me shumë ngjarje në veri, duke përfshirë edhe vrasjen e politikanit Oliver Ivaniviq.

Ai pati arritur t’ju ikë organeve të rendit gjatë një operacioni të këtyre të fundit muaj  më parë në veri të vendit, me ç’rast ishin arrestuar katër persona, ndërsa prej atëherë besohet se ndodhet në Serbi, madje shfaqet publikisht së bashku me krerët e shtetit të Serbisë në takimet me Listën Serbe.

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
E treta e verteta, shpallet fituesi I trete I Lojes Shperblyese se Artmotion?

Të tjera