Lajme

Flet pejani me HIV/AIDS: U infektova me gjakun që ma dhanë gjatë operacionit

Autori: Gazeta inFokus 17:47 | 10 December 2017

Mentori (emri i njohur për redaksinë), është 62-vjeçar. Ai është nga qyteti i Pejës dhe tash e 21 vjet, që më 1996, jeton me virusin HIV/AIDS. Për Radion Evropa e Lirë, ai tregon se si është infektuar me këtë virus.

“Jam operuar në një spital në Spanjë, ku edhe kam qëndruar për tre muaj. Dyshohet se aty edhe e kam marrë këtë virus pasi që në vitin 1995 nuk e kanë testuar gjakun të cilin unë e kam marrë të infektuar”, tregon Mentori.

Jeta më sëmundje është e vështirë, aq më vështirë të jetosh me HIV/AIDS në Kosovë, ku njerëzit e kësaj kategorie ndihen të stigmatizuar.

-Advertisement-

“Unë jetoj normalisht. Shumica e njerëzve nuk e dinë që jam i infektuar. Bëj shumë sport, pasi ky virus kërkon aktivitet për shkak se terapia është shumë e rëndë. Por, me ushtrime fizike i mbron veshkat dhe mëlçinë. Unë merrem me alpinizëm më së shumti. Deri 20 kilometra në ditë eci”, thotë Mentori.

Në Kosovë, që nga viti 1986 kur ishte identifikuar rasti i parë, sipas shënimeve të Klinikës infektive me virusin HIV/AIDS janë prekur rreth 160 persona. Prej tyre janë 30 persona të cilët marrin terapi. E, terapia, të cilën e posedon Klinika infektive në QKUK, sipas Mentorit, është e njëjta me të cilën bëhet imunizimi. Ai konsideron se terapia duhet të ndërrohet pas disa vitesh, mirëpo kjo nuk bëhet:

“Unë kam jetuar edhe në Spanjë dhe atje është krejt tjetër mënyrë e trajtimit. Por, gjendja është shqetësuese, sepse ka shumë të prekur me HIV, që nuk shkojnë të marrin terapi e pa terapi jeton shumë shkurt’’, thotë ai.

Në Klinikën infektive në QKUK, infektologu Sali Ahmeti thotë se përdorin terapi protokollare, ashtu si edhe në të gjitha vendet tjera të rajonit e Evropës, për trajtimin e të prekurve me virusin HIV/AIDS.

“Sa i përket terapisë për të sëmurët me HIV/AIDS, kemi terapi dhe pacientët e marrin në mënyrë sistematike. Në trajtim i kemi rreth 30 raste, derisa numri total është rreth 160”, thotë ai. “Aplikohen protokollet standarde si në vendet e regjionit dhe ato evropiane. Realisht, për të sëmurët me HIV/AIDS ekzistojnë stigmatizime të ndryshme si edhe në vendet e tjera, për këtë arsye kemi raste që pacientët orientohen në qendra jashtë Kosovës për shkak të paragjykimeve”.

Në anën tjetër, Alban Gjonbalaj, udhëheqës i Asociacionit Kosovar të Personave që jetojnë me HIV në Kosovë, thotë se trajtimi i personave me HIV është i mangët.

Një nga donacionet e mëdha që ka mbështetur sistemin shëndetësor në Kosovë ndër vite është edhe Fondi Global, ku fokusi ka qenë në parandalimin si dhe trajtimin e të sëmurëve me HIV/AIDS, dhe tuberkuloz. Për këto sëmundje janë ndarë çdo pesë vjet nga pesë milionë euro. /REL/

 

 

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
-Advertisement-

Të tjera