Fokus

Flasin sirianët që erdhën në Kosovë nga vendi ku u vra shefi i ISIS (Video)

Autori: Halil Berisha 16:15 | 19 November 2019

Rreth 20 të rinj sirian, të martën, kanë përfunduar në Kosovë, në përpjekje për ta shpëtuar kokën nga lufta. Të gjithë me prejardhje nga Idlibi, vendi ku u vra shefi i ISIS-it Abu Bakr al-Baghdadi.

Destinacioni i tyre i fundit thonë se është Gjermania, ndërsa rruga e tyre nga vendlindja nuk ishte aspak e lehtë.

Dy prej tyre treguan për Gazetën inFokus, si përfunduan në shtetin më të ri në Evropë

“Ne kemi ardhur nga Siria, Idlibi, ku kemi kaluar në Turqi, pastaj nga atje shkuam në Greqi, Shqipëri, e tash jemi këtu në Kosovë. Ne kemi ikur nga regjimi i tmerrshëm në Siri, ku përndjekkemi e vritemi. Ne po kërkojmë një jetë më të mirë diku”, tregon njëri nga të rinjtë sirianë i cili nuk din asnjë nga gjuhët evropiane.

Atij i pëlqen Kosova, por thotë se synim ka bashkë me shokët të shkojnë tjetër kund.

“Ne na pëlqen shumë vendi këtu, Prishtina e Kosova janë shumë të mira, por ne po synojmë të shkojmë në Gjermani. Sot, mundësisht do të kalojmë në Serbi, e pastaj nëse do Zoti do të mbërrijmë në Gjermani”.

Ata thonë për Gazetën inFokus, se problem kryesor e kanë ushqimin e mjekimin, ani se vlerësojnë që në institucionet e Kosovës, u kujdesën për ta.

“Ne kemi shumë probleme, nuk dimë ku të qëndrojmë. Ne nuk duam më shumë, duam vetëm bukë që të hamë e mjekim. Jemi popull që kemi ikë nga vendi ynë, nga regjimi i tmerrshëm atje, duam vetëm të hamë, asgjë tjetër”, thotë i riu i ikur nga Siria.

Ata kanë arritur në Kosovë pikërisht në ditën kur po zhvillohej ndeshja historike mes Kosovës dhe Anglisë.

Kjo edhe i ka bërë shumë përshtypje njërit nga ta.

“Prishtina është vend shumë i mirë, futbollin e keni shumë të mirë”.

Por, duket se nuk do të presin gjatë për të parë edhe ndonjë ndeshje tjetër të Kosovës.

Ngjashëm, zyrtarët e Ministrisë së Punëve të brendshme, tregojnë se kanë vepruar edhe grupe tjera të të ikurve nga Siria.

Qëndrimi i tyre në Kosovë, sipas zëvendës-ministrit të Punëve të Brendshme, Izmi Zeka zakonisht zgjatë deri në tri ditë.

“Kanë të drejt me lëvizë deri në ora 22, gjersa janë në qendër të azilit, kanë të drejtë, edhe letrat e dokumentet i kanë që janë duke qëndruar këtu, këta edhe mund të dalin prej shtetit të Kosovës, zakonisht janë tranzit e dalin, mirëpo sa janë këtu janë në kuadër të ligjeve të Kosovës. Zakonisht, këta në Kosovë, rrijnë për 2 ose 3 ditë, nuk qëndrojnë më gjatë, pastaj vazhdojnë nëpër vende tjera”, ka thënë për gazetën inFokus, Izmi Zeka./Gazeta inFokus/

Të tjera