Lajme

Flasin për inFokus projektuesit e lagjes te Liqeni i Badovcit

Autori: Halil Berisha 12:38 | 13 January 2020

Një projekt për një lagje skaj Liqenit të Badovcit u bë shumë i përfolur ditëve të fundit.

Madje në kundërshti të të cilit u organizuan edhe grupe në Facebbok, ku brenda më pak se 3 ditësh u mblodhën mbi 12 mijë veta, shkruan gazeta inFokus.

Këta po e kundërshtojnë me të madhe këtë projekt, pasi thonë që po dëmtohet një prej burimeve më të mëdha me ujë të pijshëm.

-Advertisement-

Këta po thonë që nuk duhet të ketë ndërtim aty afër, e që kjo gjë nuk do të duhej të lejohej nga shteti.

Gazeta inFokus, për këtë punë ka kontaktuar edhe kompaninë angleze që ka bërë projektimit e kësaj lagje, “4M Group”.

Fitim Muçaj nga kjo kompani ka thënë për inFokusin se ende nuk kanë leje ndërtimore për këtë ndërtim, por që janë marrë kushtet ndërtimore e deri tek leja nuk është mbërri ende.

Sipas Muçajt nga “4M Group”, uji i Badovcit nuk do të dëmtohet në asnjë formë, ani se thotë që i kupton shqetësimet që i kanë qytetarët.

“Natyrisht, uji është i nevojshëm edhe pa pas nevojë me qenë për pije, është e arsyeshme brenga e dikujt që mundet ajo me u dëmtu, por edhe ne jemi qytetarë të Prishtinës, edhe ne jemi të interesuar të vazhdojmë me ujë të pijshëm, kështu që synimet e tilla më së pari është dashtë me i mëndu që nuk është e mundur dikush me helmu ujin edhe për vete”, ka thënë Muçaj.

Tutje, Muçaj ka shtuar se krejt projekti është me standardet më të larta e që në asnjë formë nuk do ta dëmtoj mjedisin dhe është i bazuar në projekte të tilla që janë bërë edhe në shtetet më të zhvilluara, shkruan gazeta inFokus.

“Projekti me këto fazat ku ka kaluar proceduralisht në institucionet, ka prezantuar mënyrën që do të trajtoj ndikimin që i ka në kuadër të mjhedisit, nuk është zhvillimi i parë në botë afër ujit, ka praktika ndërkombëtare në çështje të caktuara e në bazë të tyre është bërë edhe prezantimi e është marrë miratimi për me vazhdu mbi fazën e raportit për ndikim në mjedis që janë në proces e nuk ka bazë shqetësimi, mundem me kuptu që të shqetësohen kur e ndëgjojnë lajmin e mendojnë që çdo kush siç thonë “i ka shti vesht në lesh” dhe e injoron mjedisin, po do të mbërrijmë në fazat tjera informative me qetësu këtë brengë, pasi nuk është e bazuar. Synimi është me e dhanë shembullim në trajtimin e mjedisit në këtë projekt dhe është e palogjikshme që me zhvillu dikush diçka përskaj ujit e me ndotë bukfalisht “kojshillakun” e afërt, nuk ka kuptim me i hedh ujërat e zeza përskaj ujit që je”, ka përfunduar Muçaj.

Edhe kryetari i Prishtinës ka konfirmuar se kompania në fjalë ende nuk është pajisur me leje ndërtimi në këtë zonë.

“Kompania në fjalë nuk ka leje ndërtimi dhe ende nuk ka aplikuar për leje ndërtimi. Kompania në fjalë ka aplikuar për kushte ndërtimore të cilat i paraprijnë aplikimit për leje. Në këtë procedurë është qe disa vite. Në Kushtet Ndërtimore i thuhet se para se të aplikojë për leje në Komunën e Prishtinës, duhet të aplikojë për pëlqimin për vlerësimin mjedisor në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, të cilën ende nuk e ka bërë”, ka deklaruar Ahmeti./Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita po tërheq klientë seriozë në Panarin IMM, në Këln të Gjermanisë

Të tjera