Lajme

Flasin nga PAN tregojnë se kur do të bisedojnë për ndarjen e Ministrive

Autori: Gazeta inFokus 13:11 | 11 August 2017

Koalicioni PAN ende nuk ka vendosur për ndarjen e posteve ministrore ani pse kandidati për Kryeministër Ramush Haradinaj ka deklaruar se Kosova brenda dhjetë ditësh do ta ketë Qeverinë e saj. Por, një ndarje e tillë do të bëhet shumë shpejt.

Këtë e thonë zyrtarë të AAK-së. Bashkëpunëtori i Haradinajt, Muharrem Nitaj, madje thotë se gjithçka do të sqarohet javën e ardhshme.

Ende nuk janë ndarë postet ministrore në mes të koalicionit PAN, por të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me ndarjen e dikastereve do të ndodhin para votimit të Qeverisë. Kështu ka sqaruar për gazetën Express anëtari i kryesisë së AAK-së Muharrem Nitaj. Ai pranon se ende nuk janë ndarë postet në mes të partnerëve të koalicionit dhe se gjithçka është ende në fazën e diskutimeve.

-Advertisement-

“ Ende jo, sigurisht se do të zgjidhen të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me dikasteret e qeverisë dhe me ndarjen e resorëve, përpara ditës se votimit të qeverisë. Por ky proces ende është në fazën e diskutimeve”, bën të ditur zëdhënësi i AAK-së Muharrem Nitaj.

Madje ky i fundit tha se java e ardhshme do t’i sqarojë të gjitha. “Them që java që vjen, do t’i sqarojë të gjitha gjërat”, ka theksuar ai.

Ndërkaq, kandidati për Kryeministër i koalicionit PAN Ramush Haradinaj ka bërë të ditur në një intervistë se Kosova do ta ketë qeverinë e saj brenda dhjetë ditësh.

Haradinaj ka takuar dy ditë më parë edhe liderin e AKR’së Behgjet Pacollin. Kreu i AAK’së ka thënë se shpreson “që Pacolli dhe AKR nuk do të presin pa kufi për të ndihmuar në konstituimin e Kuvendit, formimin e Qeverisë, po edhe t’i marrin përgjegjësitë”.

Sipas marrëveshjes për koalicionin parazgjedhor është vendosur që posti i kryeministrit t’i takojë AAK’së, kryetari i kuvendit PDK’së, ndërsa i zëvendëskryeministrit partisë së Fatmir Limajt, Nisma.

Megjithatë, institucionet ende nuk po mund të formohen ani pse zgjedhje janë mbajtur më 11 qershor. PAN nuk po merr pjesë në seancë me arsyetimin se vendimi për mbajtjen e tyre po bëhet njëanshëm.

Seanca e radhës është vendosur të mbahet të hënën, më 14 gusht.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Intervistë: Dr. Gorazd Konjanovski – Klinika Zhan Mitrev ka luajtur një rol kyç në vendosjen e themeleve në kardiokirurgji dhe…
-Advertisement-

Të tjera