Lajme

Flasin ekspertët: Është e padrejtë nëse shtrëngohen tani masat anti-COVID

Autori: Gazeta inFokus 17:30 | 22 February 2021

Të dielën Kosova ka shënuar numër rekord të rasteve me koronavirus për këtë vit, shkruan Gazeta Infokus.

Vetëm gjatë një dite janë infektuar 398 qytetarë.

Por, pavarësisht rritjes së numrit të rasteve me Covid-19, Ministria e Shëndetësisë nuk do të ndërmarr masa shtesë që kufizojnë lëvizjen e qytetarëve apo aktivitetet ekonomike në vend.

-Advertisement-

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, në mbledhjen e fundit të Komitetit për Vlerësimin e Situatës me COVID-19,  ka thënë se në Kosovë do të jenë në fuqi masat e ndërmarra deri më tani.

“Ne duhet të vazhdojmë masat rigoroze nëpër komuna duke i klasifikuar ato sipas ngjyrave, të vazhdojë mbikëqyrja strikte në çdo institucion dhe të ketë kufizime në të gjitha vendet ku ka grumbullim të vendeve. Në mënyrë rigoroze të respektohen masat mbrojtëse. Përdorimi i maskave, dezinfektimi e të gjitha këto. Inspektoratet duhet ta respektojnë patjetër ligjin antiCOVID”, ka thënë ai.

Këtë vendim të ministrisë së Shëndetësisë po e cilësojnë si të drejtë ekspertët.

Infektologu Ilir Tolaj, ka thënë për Gazetën inFokus se është i panevojshëm shtrëngimi i masave në këtë kohë.

“Gjendja nuk ka eskaluar në mënyrë që të mendohet për shtrëngim të masave. Duhet pritur edhe se paku një jave për ta parë trendin e numrit të rasteve dhe pastaj me vendosë. Do te ishte një veprim i ngutshëm dhe joprofesional nëse për javë të tëra nuk jemi lodhur fare për asnjë masë anticovid e tash përnjëherë, bazuar në një ngritje te lehte te numrit te rasteve te merren masa kufizuese”, ka thënë Tolaj.

Gjithashtu, Tolaj ka deklaruar se nuk ka ndonjë arsye që të rikthehet izolimi në vend pasi edhe në mars ka qenë i panevojshëm dhe i tepërt

Po sipas tij nëse  vazhdon  të rritet numri i rasteve me koronavirus shkaktare janë tubimet e partive politike./Gazeta Infokus./

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera