Lajme

Flamujt e kulmeve – Traditë që ka filluar të zbehet

Autori: Sylejman Sylejmani 19:03 | 28 November 2018

Para disa vitesh një shqiptar kishte filluar që të ndërtonte një shtëpi në Austri.

Ai vendosi që ta bënte këtë gjë duke respektuar traditat shqiptare.

E vendosi flamurin kombëtar, bashkë me atë të Kosovës e të Austrisë në kulm të shtëpisë, shkruan Gazeta inFokus.

-Advertisement-

Disa banorë austriak ishin ndjerë të shqetësuar nga ky veprim, por shumë të tjerë e kishin përkrahur atë, përfshirë këtu edhe kryetarin e komunës ku jetonte shqiptari.

Raste të veçanta të vendosjes së flamurit kombëtar në kulmet e shtëpive, ka parë edhe arkitekti Ylli Shaqiri.

Ai tregon njërin prej tyre, ku pavarësisht vështirësive që kishin në projektimin dhe ndërtimin e një kulmi në Deçan, mjeshtërit së pari kishin ndërtuar vendin për flamur, e më pas kishin filluar të mendonin për ndërtimin e kulmit.

“Ishim duke e punu një kulm relativisht të koklavitur në Deçan dhe zgjidhja gjeometrike e tij nuk ishte e lehtë. U desh të adaptoheshim me një zgjidhje që e kishim, me oxhaqe shumë, ndërkohë po thirrë dikush prej mjeshtërve po thotë kulmin e kanë nisë, e kanë qitë dhe unë po çuditem akoma nuk e kishim bërë zgjidhjen, kurse ish qitë kulmi. Po e thirri pronarin dhe po e pyes kush e solli zgjidhjen, ai tha jo ky është vetëm një kulm i përkohshëm, një kulm për flamur”, rrëfen ai.

Megjithatë thotë se kohëve të fundit ka filluar të zbehet kjo traditë.

“Prej pasluftës edhe si influencë e zhvillimeve të politikës, popullit ka filluar t’i zbehet ndjenja e patriotizmit dhe ndjenja e nacionalizmit dhe fillon me u zbeh. të paktën në vitet e fundit, ndoshta është në dy tri raste që e kam hasë. Është një dukuri në zhdukje, sepse tash nuk e tërheqë krenarinë që e ka pasur dikur”, thotë ai.

Megjithatë, sociologu Shemsi Krasniqi beson se kjo traditë do të vazhdojë edhe për shumë kohë.

“Vënia e flamurit kombëtar ka mbijetuar dhe sigurisht se kjo traditë do të vazhdojë edhe mëtutje. Kjo nuk është vetëm traditë e jona por edhe e popujve tjerë në Ballkan. Te ne, pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, në shumë raste krahas flamurit kombëtar, valon edhe flamuri i Kosovës. Përdorimi i flamurit ose flamujve në këtë fazë ndërtimi është i arsyeshëm, sepse vënia e kulmit shtëpisë është moment festiv për familjen. Kulmi simbolizon përfundimin e punës ndërtimore dhe jetën e përbashkët të familjes në shtëpinë e re”, thekson Krasniqi.

E krejt ky patriotizëm me vendosjen edhe në kulm të flamujve, ai thotë se ndodhë pasi flamuri kombëtar është i rrënjosur thellë në zemrat e shqiptarëve.

“Flamuri kombëtar vazhdon të përdoret masivisht te shqiptarët e Kosovës, sepse ai është i rrënjosur thellë në zemrat e tyre, është pjesë qenësore e identitetit, pjesë e kujtesës kolektive, e idelave çlirimtare, e vuajtjeve dhe krenarisë së tyre”, tregon sociologu Krasniqi. /Gazeta inFokus

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Prince Caffe zgjeron shtrirjen në rajon, arrin marrëveshje bashkëpunimi me zinxhirin kroat Plodine
-Advertisement-

Të tjera